Ministrja Gjosha: Të vendosur të avancojmë me axhendën e integrimit

508
Ministrja e Integrimit Europian Klajda Gjosha, zhvilloi në Hagë një takim me Robert De Groot, drejtor për Integrimin Europian në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hollandës. Gjithashtu Ministrja takoi edhe Daphne Bergasma, drejtoreshë e departamentit të Europës në Ministrinë e Punëve te Jashtme.
Gjatë këtij takimi, ministrja vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe rishprehu falenderimet për mbështetjen që Holanda i dha Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Ministrja u shpreh se pavarësisht sfidave që po kalon sot Europa, Shqipëria është e angazhuar maksimalisht të përparojë me axhendën e saj të integrimit. “Për ne procesi ka qenë para së gjithash shtysë e fortë në konsolidimin e demokracisë, ndaj jemi të vendosur për të përmbushur të gjitha detyrimet tona, në mënyrë që të hedhim një tjetër hap përpara. Ne besojmë tek fuqia transformuese e projektit Europian”, tha Gjosha.
Reforma në drejtësi ishte një pikë e rëndësishme diskutimi gjatë takimit. Ministrja e informoi De Groot me hapat që janë hedhur për kryerjen e kësaj reforme, duke nënvizuar se me miratimin e saj Shqipërisë do t’i ndizej drita jeshile për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Në fokus të bisedimeve ishte edhe Samiti i Parisit, i cili solli miratimin e disa projekteve infrastrukturore dhe ndërlidhëse për Ballkanin Perëndimor. “Siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është gjithashtu siguri për vetë Europën e Bashkuar, ku këto vende aspirojnë të hyjnë”, u shpreh Gjosha. Nga ana tjetër De Groot tha se mënyra më e mirë për të avancuar me procesin e integrimit janë rezultatet e reformave të një vendi.
Sigal