Ministrja Gjosha pret Delegacionin e Komisionit të Politikave të BE në Senatin italian.

460
Ministrja Gjosha: Vettingu kusht për negociatat, duhet të realizohet në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën
Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, priti një Delegacion të Komisionit të Politikave të Bashkimit Europian në Senatin italian.

Ministrja Gjosha, shprehu në emër të qeverisë shqiptare, falenderimet për mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë me procesin e integrimit.

Përfaqësuesit e Delegacionit u shprehën se avancimi i Shqipërisë me procesin e integrimit i shërben vendit, por edhe vetë Bashkimit Europian, ndaj Italia do të vijojë të japë mbështetjen e saj më maksimale për këtë proces. 

Përfaqësuesit e delegacionit vlerësuan progresin e bërë nga Shqipëria, i njohur edhe në raportin e Komisionit Europian.

Delegacioni vlerësoi miratimin konsensual të reformës në drejtësi duke theksuar rëndësinë e arritjes së rezultateve sa më të shpejta në zbatimin e saj. 

Duke uruar që ky objektiv i Shqipërisë të realizohet në një kohë sa më të shpejtë, përfaqësuesit e delegacionit u shprehën se veçanërisht ligji i vettingut është një kusht i Bashkimit Europian për të përparuar me procesin e integrimit.

Ministrja Gjosha, theksoi se Shqipëria është e vendosur të çojë përpara axhendën e saj europiane, pasi vetëm nëpërmjet kësaj axhende do të mund të forcohet shteti i së drejtës dhe të rriten standardet për qytetarët. 

Duke u ndalur te vettingu, Ministrja Gjosha u shpreh se zbatimi i këtij ligji është i domosdoshëm për hapjen e negociatave me BE dhe duhet të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën, në mënyrë që të jetë i gjithëpranueshëm dhe i pakontestueshëm. 
Sigal