Ministrja Gjosha: Integrimi në BE objektiv i qartë, vijojmë reformat

478
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha priti të enjten në një takim një delegacion me anëtarë të Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri në Senatin Francez të përbërë prej Senatores Bariza Khiari, Zv. Presidente e Senatit dhe Senatorit Bernard Fournier, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme, Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.
Të pranishëm në takim ishin edhe znj. Mimoza Hafizi, Kryetare e Grupit të Miqësisë Shqipëri-Francë në Kuvendin e Shqipërisë dhe Ambasadori i Francës në Shqipëri, Bernard Fitoussi. Ministrja Gjosha vlerësoi forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës si dhe shprehu falenderimet në emër të qeverisë shqiptare, për mbështetjen që Franca ka dhënë për procesin e integrimit, veçanërisht për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Ministrja u shpreh se Franca është një vend mik i Shqipërisë edhe një partner shumë i rëndësishëm në kuadër të avancimit të procesit të integrimit europian.
Ministrja Gjosha informoi delegacionin francez në lidhje me ecurinë e reformave, masat që janë marrë për përmbushjen e 5 prioriteteve, duke shprehur angazhimin maksimal të institucioneve shqiptare dhe të gjithë shoqërisë për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për ne, antarësimi në familjen europiane, është një objektiv i qartë, është prioriteti ynë më madhor kombëtar. Shqipëria do të vazhdojë pa u ndalur me reformat që do të transformojnë vendin”, tha Ministrja Gjosha. Senatorët, Khiari dhe Fournier rikonfirmuan mbështetjen e plotë të Francës dhe të Senatit për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Senatorët u shprehën të impresionuar nga toleranca fetare në Shqipëri, çka sipas tyre është një tregues i qartë i përqafimit të vlerave europiane. “Mbështetja jonë është e pakursyer për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, pasi historia e Shqipërisë është një histori evropiane”, u shprehën senatorët.
Sigal