Ministrja Gjosha: Duhet dialog politik për Reformën në Drejtësi

503
Fillimisht, dua të shpreh ngushëllimet e mia për jetët e humbura nga sulmet terroriste që ndodhën më 22 Mars në Bruksel dhe për personat e shumtë që u lënduan nga këto sulme të tmerrshme. 
Shpresoj që BE-ja të mund të gjejë forcën për të qëndruar e bashkuar në mënyrë që të luftojë fenomenet e tilla. Kjo po na ndërgjegjëson që të bashkëpunojmë ngushtë me njëri-tjetrin që t’u ofrojmë siguri qytetarëve tanë. 
Faleminderit për praninë tuaj këtu, e cila tregon rëndësinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. 
Ky është një proces i vazhdueshëm dhe si i tillë ne kemi bashkuar të gjitha përpjekjet tona në mënyrë që të shënojmë progres të mëtejshëm me të gjitha reformat, të cilat jo vetëm e afrojnë Shqipërinë me BE-në por edhe kanë një ndikim të madh në jetët e qytetarëve tanë. 
Vullneti ynë për të ecur përpara tregohet në faktin se kjo mund të quhet qeveria më reformuese, sepse ne besojmë në një strategji afatgjatë dhe në krijimin e një sistemi të qëndrueshëm, i cili to të jetë shumë rezultativ në muajt dhe vitet e ardhshme. 
Ne kemi monitoruar me shumë rigorozitet dhe përpikmëri Udhërrëfyesin për pesë prioritetet kyçe dhe Planin Kombëtar të Integrimit Europian, i cili e afron Shqipërinë me acquis të BE-së. 
Raportet tona për të treguar progresin e qëndrueshëm në secilin sektor kyç janë kryer rregullisht dhe ne tani jemi përpara një momenti shumë të rëndësishëm. Shqipëria duhet të kalojë reformën më të rëndësishme që është bërë ndonjëherë në vend, atë në drejtësi për të hedhur hapin e radhës me procesin e integrimit. 
I nderuar Komisioner,
Ne jemi të vetëdijshëm për faktin se ka ende shumë punë për të bërë në të gjitha fushat, por në të njëjtën kohë ne vërtet kemi nevojë ta bëjmë këtë proces më të lehtë, më të prekshëm dhe të besueshëm për qytetarët tanë. Ndaj ne shohim nevojën për të pasur një përcaktim kohor të procesit , data dhe procedura, në mënyrë që të përmbushim në kohë të gjitha standardet dhe masat e kërkuara.
Ne besojmë se pas miratimit të reformës në drejtësi, Shqipëria meriton hapjen e bisedimeve për anëtarësim, duke vijuar implementimin e kësaj reforme përmes kapitujve 23 dhe 24. 
Duke ju falënderuar edhe njëherë për praninë tuaj, do doja të shprehja angazhimin tonë maksimal për progres të mëtejshëm me reformat në vend. 
Një përmbledhje e situatës për secilin prioritet
Prioriteti 1: Reforma në Administratën Publike 
Sipas Raportit 2015 të Komisionit Evropian, Shqipëria ka bërë një progres të moderuar në Reformën e Administratës Publike. Ky është një proces i vazhdueshëm dhe i nevojshëm, i cili lidhet shumë ngushtë me përpjekjet e Qeverisë Shqiptare drejt integrimit evropian. Për të adresuar rekomandimet e përmendura në raport dhe për të treguar përkushtimin tonë në reformimin e administratës publike, janë marrë një sërë masash: 
Për të siguruar një implementim të duhur të legjislacionit për shërbimin civil, të gjitha aktet nënligjore dhe udhëzimet e Departamentit të Administratës Publike janë përafruar dhe miratuar.
Departamenti i Administratës Publike ka krijuar një mekanizëm online të ri dhe të përmirësuar për raportimin e të dhënave, me qëllim implementimin e legjislacionit të shërbimit civil. Ky mekanizëm ka lehtësuar më tutje procesin e raportimit dhe ka përmirësuar cilësinë e të dhënave të marra.
Për të përmirësuar procedurat e rekrutimit për pozicionet e shërbimit civil dhe për të siguruar transparencë, është ngritur një sistem inovativ i cili automatikisht do të gjenerojë pyetje (nga një bankë-pyetjesh) sipas kritereve specifike të pozicioneve të lira dhe fushave përkatëse të njohurive të kërkuara. Vlerësimi i testeve do të kryhet në mënyrë automatike përmes këtij sistemi duke përjashtuar kështu edhe mundësinë e gabimit njerëzor, njëanëshmërinë gjatë vlerësimit ose çdo ndikim të mundshëm që mund të pengojnë vlerësimin.
Përpjekjet vazhdojnë për ta bërë plotësisht funksional Sistemin e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore (HRMIS), i cili një bazë elektronike të dhënash i cili menaxhon informacionin për burimet njerëzore. Ky sistem është shtrirë në Kryeministri dhe në të gjitha ministritë e linjës dhe institucionet e varësisë të cilat janë pjesë e shërbimit civil. Po punohet për të përfshirë të gjitha institucionet vartëse dhe të vazhdojë më tej me përfshirjen e njësive të qeverisjes vendore. 
Implementimi i Kodit të ri të Procedurës Administrative ishte një nga rekomandimet e Raportit të Progresit 2015 për Shqipërinë. Ministria e Drejtësisë bashkë me ministritë e linjës ka rishikuar legjislacionin që duhet të jetë një linjë me Kodin, si dhe për hartimin e një “shpjegimi/udhëzimi” i cili detajon më tej zbatimin e duhur të këtij kodi. Këto hapa janë marrë me asistencën e ngushtë të SIGMA, si dhe me mbështetjen e Projektit të Binjakëzimit IPA. 
Nëpërmjet Shkollës së Administratës Publike (ASPA) dhe Projektit të binjakëzimit IPA, DAP vazhdon të zhvillojë trajnime intensive në nivel qëndror dhe lokal për të përforcuar menaxhimin e kapaciteteve në shërbimin civil, duke zhvilluar trajnimin e trajnerëve, ekspertëve dhe nëpunësve civilë për procedurat e reja që rrjedhin nga zbatimi i ligjit për Shërbimin Civil (CSL) dhe ligjit të ri të Përgjithshëm mbi Procedurën Administrative (LGAP). 
Ky prioritet është sigurisht, një nga më të rëndësishmit dhe në jemi të bindur se me implementimin e plotë të ligjit për nënpunësin civil, institucionet tona do të mund të kenë kapacitete njerëzore të specializuara të cilat do t’i përgjigjen sfidave të së ardhmes. 
Prioriteti Kyç 2 – Reforma në Drejtësi
Ky prioritet është ngushtësisht i lidhur me reformën në drejtësi e cila ka kaluar nëpër të gjitha hallkat dhe procedurave të nevojshme ligjore të hartimit të saj, përfshi këtu ekspertizën e huaj, konsultimet, mekanizmat parlamentar. Kjo reformë aktualisht është reforma më e rëndësishme që i duhet vendit për të kaluar në fazën e radhës që është hapja e negociatave. 
Tani është koha për dialog politik dhe unë besoj fuqimisht në gjetjen e maturisë të të gjitha partive për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe konsensusin për ta kaluar këtë reformë në Parlamentin shqiptar. 
Në ju sigurojmë se këtë reformë do ta bëjmë përpara së gjithash pasi i shërben qytetarëve tanë, forcimit të institucioneve tona, konsolidimit të demokracisë dhe ekonomisë sonë. 
Prioriteti kyç 3: Lufta kunër korrupsionit 
Ka patur progres në luftën kundër korrupsionit, megjithatë Qeveria mendon se ka akoma shumë për të bërë për të intensifikuar përpjekjet kundër korrupsionit, të miratojë dhe zbatojë planin e veprimit të anti-korrupsionit, të forcojë kuadrin ligjor të ndryshuar dhe të përforcojë bashkëpunimin midis agjencive ligj-zbatuese. 
Prokuroria ka intensifikuar përpjekjet e saj për luftën kunër korrupsionit. Në vitin 2015 janë regjistruar procedime penale disa herë më të larta, për veprën penale të korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike përfshirë gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të tjerë të sistemit të drejtësisë.
Në 2015 qeveria lancoi portalin unik për të denoncuar korrupsionin që është një mekanizëm i cili ka rritur besimin e qytetarëve denoncimet e tyre duke u bërë pjesë integrale e luftës kundër korrupsionit. 
Luftimi i korrupsionit brenda rangjeve të Policisë së Shtetit ka qenë një prioritet i Ministrisë së Punëve të Brendshme. 
Një ligj për mbrojtjen e sinjalizuesëve është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe pritet të miratohet shumë shpejt nga Parlamenti.
Prioriteti Kyç 4: Lufta kundër krimit të organizuar
Bashkëpunimi ndërkombëtar: Gjatë vitit 2015, Interpoli dhe Europoli mbeten burimet e shkëmbimit të shumicës së informacionit. Është intensifikuar rritje në bashkëpunimin në lidhje me SELECT si dhe në bashkëpunimin dypalësh me të gjitha shtetet fqinje dhe me shtetet anëtare të BE-së. 
Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore: në vitin 2015 numri i veprave penale të identifikuara dhe raportuara është rritur në krahasim me vitin 2014. Në dhjetor 2015 u nnënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit midis Koordinatorit Kombëtar për Rastet kundër trafikimit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit për krijimin e një Task-Force i cili do të merret me analizën e integruar për rastet e trafikimit të qenieve njerëzore të pushuara dhe të pa ndjekura. Gjithashtu me Vendim të Këshillit të Ministrave në shkurt 2016, u miratua një Plan Veprimi për integrimin socio-ekonomik të femrave dhe grave, viktima të trafikimit. 
Lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës: Në krahasim me vitin 2014, në vitin 2015 numri i rasteve që kanë të bëjnë me kultivimin e bimëve narkotike ka pasur një rënie me 8 herë, me 99.6% të saj të shkatërruar. Ka pasur një rritje të njerëzve të arrestuar nga droga. 
Në vitin 2015, Shqipëria pas rezultateve pozitive në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit kundër terrorizmit, doli nga lista e Këshillit të Evropës. Prokuroria si organ i një rëndësie të veçantë në këtë luftë, ka dëshmuar rezultate konkrete mbi hetimin dhe dënimin e këtyre veprave penale, në përputhje me rekomandimet e Komitetit MONEYVAL.
Gjatë vitit 2015, Policia e Kufirit dhe Migracionit ka marrë pjesë aktivisht në operacione të përbashkëta të organizuara nga Frontex. Tetë policë shqiptarë janë vendosur nëpër aeroporte dhe pika kufitare të shteteve anëtare të BE-së, ndërsa nëntë ekspertë të BE-së po kontribuojnë me eksperiencën e tyre në monitorimin e pikave kufitare të Shqipërisë. Bashkëpunimi i Strukturave të Policisë së Shtetit me strukturat e zbatimit të ligjit nga Shtetet Anëtare dhe vendet fqinje ka çuar në reduktimin e numrit të njerëzve azilkërkues në shtetet anëtare të BE-së.
Prioriteti i 5-të kyç: Të drejtat themelore
Janë marrë masa efektive për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë ata të komunitetit Rom, për të zbatuar politikat e anti-diskriminimit dhe për të përforcuar kuadrin ligjor për të drejtën e punës. 
Një model i ri monitorimi i Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve (NJMF) në nivel lokal është vënë në punë. Standardet e punës së Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve janë miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave. 202 NJMF në vend kanë trajtuar rreth 1116 raste fëmijësh në rrezik. Protokolli i punës së Njësive për Mbrojtjen është miratuar si një institucion katër-ministror. Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të drejtave të Njeriut (ASHMDF) ka hartuar një Rregullore për funksionimin e grupeve teknike multidisiplinare, për mbrojtjen e fëmijëve në nivel bashkie, e cila ka kaluar për miratim në këshillin e bashkive. 
Për herë të parë, në 2015-ën ka filluar zbatimi i një programi të veçantë “Prindërimi në distancë” në Institutin e të Miturve në Kavajë, me qëllim forcimin e procesit të riintegrimit të të miturve në sistemin Penitenciar. 
Mekanizmi Kombëtar i Referimit për menaxhimin e rasteve të dhunës në familje (MKR) është forcuar në nivel lokal. Vazhdon puna për përmirësimin dhe forcimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit në disa bashki me mbështetjen e UNDP-së. 
Funksionimi i Sistemit Kombëtar Elektronik për regjistrimin e rasteve të dhunës në familje është përmirësuar. Ndërgjegjësimi publik për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave është rritur. 
Rishikimi i legjislacionit nga perspektiva gjinore ka përfunduar. Funksionimi i strukturave të Makinerisë Kombëtare për Barazi Gjinore është përmirësuar, duke rritur bashkëpunimin dhe përforcimin e kapaciteteve të punonjësve në lidhje me çështje të barazisë gjinore në nivel qendror. 
Bazuar në konkluzionet në fuqi të seminarit BE-Shqipëri për përfshirjen e Romëve dhe Planit Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2015- 2020, qeveria shqiptare do të rishikojë legjislacionin ekzistues. Përgjatë këtij viti, qendra e strehimit emergjent të familjeve të dëbuar rome në Tufinë është rikonstruktuar dhe kushtet e jetesës të së cilës, mjetet dhe shërbimet e ofruara janë përmirësuar. Nga buxheti i shtetit, në vitin 2015 janë shpenzuar rreth 16 milionë lekë për përfituesit e programeve nxitëse të punësimit nga komuniteti rom dhe ai egjiptian. 
Plani Kombëtar i Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve u miratua nga qeveria në fund të tetorit 2015. Institucionet përkatëse po marrin masat e nevojshme për zbatimin e saj. 
Grupi ndër-institucional për minoritetet ka sugjeruar miratimin e legjislacionit të përgjithshëm për minoritetet (përfshirë një ligj specifik për minoritetet), rritjen e rolit përfaqësues dhe këshillues të Komitetetit Shtetëror të Minoriteteve, si edhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe politikat ekzistuese sipas fushave të ndryshme (arsim, kulture, strehim, mbrojtje sociale, etj) në përputhje me rekomandimet e Komitetit Këshillues i ‘Konventës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare’. 
Aktualisht institucionet shqiptare po finalizojnë analizimin e situatës dhe po japin masa konkrete për përgatitjen dhe miratimin e legjislacionit të përgjithshëm për minoritetet (përfshirë një ligj specifik për minoritetet dhe masat e tjera ligjore). 
Afati kohor për procesin e përgatitjes dhe miratimin e kuadrit ligjor për minoritetet është parashikuar nga fundi i vitit 2016.
Arritjet në fushën e Të Drejtave të Pronësisë: 
Në 2015, pas përfundimit të rishikimit të plotë të legjislacionit dhe një sërë konsultimesh me grupe të ndryshme interesi, institucionet e përfshira dhe ekspertët nga Banka Botërore, Këshilli i Europës, Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Regjistrimit dhe Kompensimit të Pronave (ARKP) vazhduan me hartimin e ligjit të ri mbi ‘Trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompesimit të pronës’, i cili u miratua në Parlament dhe hyri në fuqi më 24 shkurt 2016. 
Ligji u përgatit duke marrë si pilot reference vendimin e GJEDNJ dhe praktikat e Gjykatës Ndërkombëtare, respekton rekomandimet dhe parimet përkatëse e përfundon si vijon: 
– Formula efektive dhe reale për kompensimin e pronarëve (Qeveria shqiptare nëpërmjet kësaj skeme do të përfundojë procesin e kompensimit të pronës gjatë 10-vjeçarit të ardhshëm) 
– Periudha kohore e arsyeshme për realizimin e të gjithë procesit. 
Një zgjidhje e drejtë që respekton parimet kushtetuese për të gjithë pronarët, gjithashtu të të gjithë qytetarëve, duke marrë në konsideratë interesin publik. 
Gjithashtu, në përputhje me objektivin strategjik të institucionit, për përfundimin në jë kohë të arsyeshme të procesit të kthimit/kompensimit të pronave, AKKP prezantoi një projekt për krijimin e sistemit ëeb-GIs, i cili do të përshpejtojë ndjeshëm procesin administrativ, do të ndihmojë në regjistrimin, saktësinë e hartës së informacionit dhe vlerësimit të të gjithë pronave për kthim/kompensim. Kjo do bëjë të mundur që të shmanget mbivendosja e pronave dhe të llogaritet fatura ekzakte financiare për kompensim si dhe të ndihmohet në trajtimin e shpejtë të të gjitha dosjeve në pritje të një vendimit nga AKKP. Ky projekt i madh do të garantojë pronësisë e drejtë gjithë personave të shpronësuar.
Sigal