Ministrja Balluku gati ligjin për ngritjen e çmimit të ujit. Heq embargon për importin e makinave të vjetra

634
Sigal

Qeveria në kaos, ministrja Balluku, qep e shqep ligjet, sipas interesit të çastit

Hiqet embargo e importit të makinave të vjetra, por rritet çmimi i ujit

Jakup B. GJOÇA

Qeveria është në kaos të plotë. Merr vendime, të cilat pas një ndërkohe të shkurtër disa mujore, detyrohet t’i anulojë. Këto qëndrime të kundërta të qeverisë për të njëjtat probleme dhe ligje, dëshmojnë papërgjegjshmërinë politike të qeverisë, mungesë programi dhe strategjie politike, ekonomike, mungesë objektivash dhe vizioni, por edhe zyrtarë të papërgjegjshëm, që luajnë me fatet e popullit.

Anulohet ligji

Edhe pse nuk ka mbushur muajin në krye të Ministrisë së Infrastrukturës, ministrja Belinda Balluku ka vendosur të anulojë një tjetër vendim të paraardhësit të saj. Mësohet se Balluku ka kërkuar ndryshimin e vendimit për ndalimin e importit të makinave më të vjetra se 10 vite prodhim, duke ndikuar kështu në ndotjen e mjedisit. Prej janarit të këtij viti në Shqipëri nuk lejohet importi i automjeteve më të vjetra se 10 vite nga prodhimi. Vendimi i marrë në mbrojtje të mjedisit mësohet, se është kërkuar të ndryshohet prej Ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku. Burimet janë shprehur se grupit të punës i është kërkuar nga Ministrja të rishikojë vendimin e dhënë prej paraardhësit të saj, duke favorizuar kështu tregtarët e makinave të vjetra e duke ndikuar njëkohësisht në ndotjen e mjedisit. Njerëzit, të detyruar nga ligji i deritanishëm, u dyndën që të blinin makina dhe t’i sillnin në Shqipëri para 31 dhjetorit 2018. Jo vetëm kaq. Dogana u ka bllokuar makinat mijëra shqiptarëve, në pritje për zhdoganonim e tyre, mirëpo, duke luajtur me datat e hyrjes të makinave dhe të ligjit, blerësit detyrohen të paguajnë mijëra lekë në ditë për parkim të makinave në dogana. Ngaqë ministrja Balluku ligjet i qep ditën dhe i shqep natën, sërish njerëzit janë të hallakatur dhe nuk besojnë më ligjet e VKM-të e qeverisë, të cilat ndryshojnë si moti.

ERRU paralajmëron tjetër rritje të çmimit të ujit

Ujë të pijshëm në shtëpi nuk kemi, ujë të rrjedhshëm në shtëpi nuk kemi, e megjithatë, sërish flitet se çmimi i ujit do të shtrenjtësohet, ngaqë Ujësjellësit dalin me …humbje. Dhe humbjet e paaftësive, të korrupsionit, nuk do t’i paguajnë zyrtarët, por …qytetarët. Në raportin e Entit Rregullator të Ujit, për vitin 2018, ky institucion shprehet se ka ende hapësirë për rritje të çmimit të ujit në vend, nisur nga niveli i përballueshmërisë. Sipas Entit Rregullator në vitin 2018 tendenca e çmimeve të ujit ka qenë rritëse, për shkak të performancës së dobët të ujësjellësve. “ERRU përdor si kriter për përballueshmërinë e pagesës së faturës së shërbimeve UK, në nivelin prej 5% të të ardhurave mesatare mujore të një njësie ekonomike familjare, informacion që e përllogarit dhe e publikon INSTAT për të gjithë qarqet e Republikës së Shqipërisë. Këto vlera tregojnë se ka ende hapësirë në drejtim të aftësisë paguese për të përballuar rritjen e tarifave.”