Ministria e Transporteve hesht, mos ndoshta është në shërbim të oligarkëve, jo qytetarëve

542
Edhe pse Shqipëria është një nga vendet më të varfëra në Europë, edhe pse shqiptarët kanë të ardhura vjetore, ndoshta edhe më të vogla se sa një rrugë mujore e qytetarëve europianë, për çudinë e të të gjithëve, çmimet e biletave nga Rinasi, i vetmi aeroport i Shqipërisë, janë shumë herë më të shtrenjta nga çdo aeroport i vendeve fqinjë, duke i krahasuar në linjat ajrore thuajse të përafërta. Çmimet e shtrenjta të biletave të linjave ajrore, veç dëmit që u shkaktojnë qytetarëve shqiptarë, ato dëmtojnë drejtpërdrejt edhe turizmin shqiptar, pasi me çmime jo konkuruese, turistët e huaj, zgjedhin destinacion tjetër turistik në rajon dhe jo Shqipërinë. 

Ja çmimet e biletave nga Rinasi

Një biletë Tiranë – Mynih në datën 1 shtator kushton 1.000 euro. Ndërsa nga Bari në Mynh për të njëjtën largësi, vetëm 269 euro, pra afro 4 fish më shtrenjtë nëse udhëton nga Tirana. Një biletë Athinë- Dyserdolf vajtje-ardhje kushton 256 euro. Ndërsa nga aeroporti i Selanikut në Mynih që zgjat edhe më shumë udhëtimi sesa nga Tirana, sërisht çmimi është gati trefish më lirë vetëm 347 euro. Çmimet skandaloze të fluturimit në raport me çdo vend tjetër, duket se nuk e shqetësojnë aspak jo vetëm koncensionarin e aeroportit, por as Ministrin e Transporteve, as ministrin Haxhinasto, i cili nuk e dimë nëse është në dijeni që mbulon dhe transportin ajror të Shqipërisë. Monopoli i aeroportit nuk duhet të lejojë që çmimet e shërbimeve të vendosen sipas dëshirës nga kompania që ka ekskluzivitetin. Për këtë aryse qeveria duhet të ndërhyje seriozisht që nëpërmjet një enti shtetëror të monitorojë dhe të miratojë tarifat maksimale të shërbimeve në aeroport siç miraton tarifat dhe çmimet e energjisë apo të ujit në rastet kur këto shërbime janë ekskluzive.

Pyetjet që ministria e Transportit nuk do t’u japë përgjigje

U interesuam në Ministrinë e Transporteve, që të na jepnin ndonjë shpjegim, për çmimet e shtrenjta të biletave nga aeroporti i Rinasit, mirëpo, drejtuesit, ende e kanë mendjen te plazhi, dhe askush nuk donte që të jepte ndonjë sqarim. Ministri i Transporteve, ishte shumë i ngarkuar me punë më të rëndësishme dhe më të mëdha, sesa shqetësimi i qytetarëve për çmimet e kripura ta biletave të avionëve, ndaj nuk kishte edhe kohë të jepte ndonjë shpjegim, për shkaqet dhe përgjegjësitë e këtij skandali. Ndoshta as Haxhinasto, ministri i Transporteve, por asnjë nga drejtuesit e Ministrisë aty nuk ka ndonjë informacion sa bën një biletë avioni nga aeroporti i Rinasit, pasi në dhjetra e qindra fluturime ajore që ata bëjnë jashtë Shqipërisë, biletat e tyre i paguajnë taksapaguesit shqiptarë. Megjithatë, i parashtrojmë me shkrim pyetjet ministrit të Transporteve, me shpresën, se ndoshta, do të gjejë kohë, të paktën, t’i lexojë dhe të njihet edhe me shqetësimet e qytetarëve. 

1.Përse Ministria e Transporteve nuk ndërhyn tek koncesionari i Rinasit për të ulur tarifat e shërbimeve dhe të karburantit. 
2. Përse Ministria e Transportit nuk ndërhyn që edhe aeroporti i Tiranës të mbajë të njëjtat tarifa, si vendet e rajonit dhe Europës. 
3.Përse shteti shqiptar mjaftohet vetëm me faktin që aeroporti i është dhënë me koncesion një kompanie të huaj. 
4. Përse Ministria e Transporteve nuk i kërkon koncensionarit të Rinasit të hapë aeroportet e tjera të vendit, ose të lejohet leja për këdo tjetër që dëshiron të marrë përsipër hapjen dhe shfrytëzimin e aeroporteve të tjera?
5. Përse Ministria e Transportit nuk çon në gjyq ata që kanë firmosur koncensionin e aeroportit të Rinasit, i cili është në dëm të interesave kombëtare, derisa sillet me këtë mënyrë barbare, duke imponuar çmime të shtrenjta dhe bllokon aeroportet e tjera të vendit?

Ekspertët adresojnë përgjegjësinë të Ministria e Transportit

Të gjitha këto pyetje mbeten pa përgjigje, pasi siç duket, ky shqetësim i madh i qytetarëve, që udhëtojnë me bileta super të shtrenjta nuk është shqetësim i ministrit Haxhinasto”. Ekspertë dhe drejtuesë të agjencive thonë se përgjegjëse direkte për çmimet e larta të biletave me të cilat përballen qytetarët shqiptarë janë poltikat e ndjekura nga qeveria dhe ministria e Transportit. Ata thonë se shteti duhet të ndërhyjë në thithjen e kompanive loë cost, ku siç duket që nga mbyllja e kompanisë Belle Air, një kompani e tillë i ka munguar tregut ajror shqiptarë. Gjithashtu, e nevojshme është edhe krijimi i një kompanie shqiptare dhe hapja e aeroporteve dytësore. Përveç këtyre, drejtues të agjencive i bëjnë thirrje qeverisë të krijojë mekanizma për të kontrolluar çmimet pasi dhënia e një koncesioni kërkon edhe monitorim nga ana e qeverisë, përsa i përket tarifave që aplikon. Ndërkohë skandali me çmimet e biletave sa vjen e thellohet. 

Oligarkët kanë kapur shtetin

Shqipëria, edhe në transportin ajor, ashtu si në shumicën e tregjeve të saj të rregulluara nga shteti (bankat sigurimet, telefonia, energjia, uji, etj) vuan pasojat e rregullimit të keq, paaftësisë së enteve rregullatore përfshirjes së tyre në afera korruptive dhe shndërrimit të institucioneve rregullatore në “gardianë të moponoleve”, etj. Në rastin e transportit ajror, këtyre problemeve ju shtohen edhe avantazhet (ekskluzivitetet) e kompanisë që menxhon Rinasin… Gjithsesi, me pak më shumë vullnet politik, dhe nëse do të jetë e nevojshëm, edhe me ndonjë subvencion shtetëror, kur duhet (psh e ka bërë Maqedonia) si dhe me lejimin e operimit të më shumë kompanive, duke përfshirë kompanitë “loë cost” situata mund të ishte ndryshe edhe në Shqipëri… Por me sa duket, qeverisja jonë bëhet sipas parimit “vdiq Mbreti, rroftë Mbreti”… dmth nuk ndryshon asgjë dhe kapja, që i kanë bërë oligarkët shtetit, është e frikshme…
Sigal