Një nga risitë e Qeverisë ‘Rama 2’ është krijimi i një ministrie, e cila i kushtohet tërësisht sipërmarrësve dhe nevojave të tyre. Iniciativë kjo e shumëpritur nga komuniteti i biznesit, ku më në fund duket sikur problematikave të ngritura nga ky komunitet do tu jepet rëndësia e duhur dhe oportuniteti për të gjetur zgjidhje.
Krijimi i kësaj Ministrie do iu japë mundësinë të gjithë atyre që kanë argumente dhe analiza serioze të mund të bëhen pjesë e konsultimeve, ndryshe nga platformat e mëparshme ku anëtarësimi në to ishte i mundur vetëm për një grup ekskluziv të përzgjedhurish.
Por si është realizuar procesi i dialogimit në Qeverinë ‘Rama 1’ dhe cilat kanë qenë platformat që duhet ta realizonin këtë komunikim me biznesin?
Deri në fund te mandatit të parë qeverisës u krijuan shumë prej tyre, por ato me impakt më të gjerë dhe me gjithëpërfshirëse ishin 3:
KEK – Këshilli Ekonomik Kombëtar (Ligj Nr. 57/2014) – i drejtuar nga Kryeministri
KT – Këshilli Tatimor (VKM Nr. 665 Datë 04.08.2010) – i drejtuar nga Ministri i Financave
K I– Këshilli Investimeve (VKM Nr. 294 Datë 08.04.2015) – i drejtuar nga Ministri i Ekonomisë
Nëse bëhet një skanim i deklaratave të organizatave të biznesit në këtë periudhë, në përgjithësi ka një pakënaqësi të theksuar për funksionimin e këtyre platformave, ku përveç Këshillit të Investimeve, platformat e tjera kanë qenë shumë pak ose aspak funksionale dhe janë përdorur si dritare për monologë qeveritare ku platforma kryente rolin e kanalit mediatik për promovimin e arritjeve të qeverisë ose i prezantimit të reformave të reja, pa kryer në ketë mënyrë funksionin për të cilin ishin krijuar “Dialogun publik privat”.
Nga një studim i realizuar nga Forumi Kombëtar i Biznesit rezulton se problemet kryesore të mosfunksionimit të këtyre platformave ishin:
Mungesa e studimeve të mëparshme të vlerësimit dhe të fizibilitetit mbi nevojën për të krijuar platforma dialogu publik-privat dhe përzgjedhja e pjesëmarrësve në platformat publike-private;
Mbivendosja e platformave ekzistuese; (në fushëveprimin, misionin dhe aktivitetet e tyre)
Mungesa e rezultateve të pritura dhe efektive nga platformat ekzistuese ishte një shqetësim kyç. KEK, KT deri tani nuk kanë dhënë rezultate pozitive për shkak të disa arsyeve, duke filluar nga mungesa e kapaciteteve profesionale e deri tek mungesa e dëshirës për komunikim të ngushtë me komunitetin e biznesit;
Mungesa e kanaleve të komunikimit në nivel lokal;
Mungesa e transparencës në platformat ekzistuese;
Mungesa e kapaciteteve teknike të sekretariateve përfaqësuese të platformave ekzistuese ;
Mungesa e implementimit efektiv të ligjit mbi “ njoftimin dhe konsultimin publik”;
Në këtë moment, duke mos e njohur ende fatin që do të kenë platformat e krijuara gjatë qeverisjes se parë, komuniteti i biznesit është në pritje të fillimit të Ministrisë së re, duke shpresuar që ky institucion të mos jetë vetëm i përbërë nga tavolina dëgjimi dhe vetëm promovues i reformave të ndërmarra pa dialog paraprak, por të jetë një Ministri funksionale ku baza të jetë gjithë-përfshirja, argumenti, analiza e problemeve dhe ndërmarrja e disa hapave konkrete ku qeveria të mund të eci me të njëjtin hap konkurrues të biznesit dhe të realizohet me në fund tanimë dialogu i famshëm publik-privat.