Ministria e Mbrojtjes bunkerizohet nga mbikëqyrja e Parlamentit

606
Sigal

Ministri Imami: Kam informuar Berishën dhe Topallin çdo 3 muaj për shitjet e armëve

Dje, më në fund, ministri i Mbrojtjes, Imami u paraqit në seancën dëgjimore të Komisionit të Sigurisë Kombëtare në përgjigje të kërkesës të dy anëtarëve demokratikë të këtij komisioni, Hoxha dhe Skuqi. Debati ishte që në fillim i tensionuar, sidomos me kërkesën e kryetarit të këtij Komisioni, Leonard Demi, i cili kërkoi që media të dilte jashtë, pasi ministri ka kërkuar që media të mos jetë e pranishme, pasi materiali është shumë i kualifikuar dhe tepër sekret. Reaguan ashpër deputetët sicialistë, të cilët theksuan se nuk përbën sekret ballafaqimi i ministrit me kërkesën e këtij Komisioni për mbikëqyrjen në MM. Deputeti Gjoni, si nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, duke iu drejtuar ministrit, i theksoi se këtu në Komision, nuk është ai që do të flasë si të dojë, por janë deputetët dhe arroganca e tij si  ministër  nuk ju shkon. Deputetët socialistë, Gjoni dhe Lutaj i paraqitën Komisionit dy vendimet që i ka dërguar Kuvendi MM, për mbikëqyrjen nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare. Mirëpo, për çudi deputeti demokrat Astrit Patozi deklaroi që Komisioni i Sigurisë Kombëtare nuk ka marrë asnjë vendim për mbikëqyrjen në MM, dhe se përpjekja e deputetëve socialistë nuk ishte institucionale! Ky qëndrim i dha shkëndijën e zjarrit replikave dhe akuzave, ku deputeti Lutaj akuzoi hapur për “trafik armësh“ Ministrinë e Mbrojtjes. Patozi, në replikë e sipër, ironikisht, u drejtohet deputetëve socialistë duke u thënë, që “nuk keni për të gjetur asgjë. Ju kërkoni një Uetergejt. Deputeti socialist bëri me dije se blerja e aparaturës të përgjimit, e përdorur për përgjim ndaj opozitës është “vepër kriminale”, ndërsa deputeti Bizhga tha se kjo aparaturë përgjimi nuk është raportuar në raportin vjetor të 2011-s nga SHIU-ja.

Ishte e qartë që deputetët demokratë mohuan që ky Komision i Sigurisë Kombëtare ka kërkuar me shkresa mbykëqyrjen e MM, edhe pse deputetët socialistë paraqitën vendimet e Komisionit dhe të Kuvendit, të firmosura nga Kryetarja e Kuvendit për mbikëqyrjen e MM. Deputeti Astrit Patozi nuk ishte në gjendje të shpjegonte vendimet e Kuvendit e të Komisionit të Sigurisë Kombëtare që i dëftonin deputetët Gjoni e Lutaj për mbikëqyrjen në MM, ndërsa kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi bënte kinezin, ku nga një anë pranonte që ka dërguar shkresë të Komisionit në Kuvendin e Shqipërisë, me kërkesë për mbikëqyrje në MM, por nuk pranonte hapur që vendimet që dëftonin deputetët socialistë, edhe pse me frimën e tij dhe të Kryetares të Kuvendit ishin origjinalë!…Përjashtimi i medias nga seanca dëgjimore e ministrit Imami, kërkuar nga vetë ministri, është përpjekje e fshehjes të së vërtetës. Arroganca e ministrit Imami vijoi po të kemi parasysh  edhe vetë deklaratat e tij. “Kontrolli parlamentar është shumë i rëndësishëm, por shkelja e limiteve të tij është një precedent i keq dhe unë si ministër nuk do ta lejoj” – ky qëndrim i ministrit Imami është i qartë.  Imami, pasi ka dalë nga senca dëgjimore e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, do të na rikujtojë atë që ka bërë deri tani që është ai, ministri Imami, i cili  përcakton kufijtë e kontrollit në ministrinë e tij dhe jo Parlamenti!… Kjo do të thotë, që Imami ka bunkerizuar me “ligjet” e tij Ministrinë e Mbrojtjes nga Kuvendi i Shqipërisë. Dhe, po të analizojmë më tej deklaratën e djeshme të Imamit, gjithëkush e kupton edhe burimin e arrogancës, shpërfilljes të ministrit Imami ndaj Parlamentit.  Më saktë, ndaj opozitës! “Nuk ka trafik, unë i raportoj Kuvendit çdo tre muaj për të gjitha shitjet me detaje, i raportoj edhe kryeministrit.” Imami pranon që për çdo shitje i raporton Kryeministrit dhe Kuvendit. Me Kuvendin, nëqoftëse Imami është i sinqertë në deklarim, gjithëkush kupton, zonjën Topalli, pasi askush nuk mund të besojë që Imami të raportojë për shitjen e armëve, kryetarin e grupit parlamentar të PS-së. Te këto fjalë të Imamit, ka dy probleme, ku mund të fshihet gjithë e vërteta. Imami, për çdo veprimshitje që ndodh në ministrinë e tij informon-sipas vetë Imamit- edhe Kryeministrin. Pra, Kryeministri është në dijeni të plotë të shitjeve në MM. Kjo është e vërteta e parë që dëshmon Imami. Kjo pak mund të besohet për transparencë politike. E vërteta e dytë, që Imami paralajmëron. Imami, mos vallë, i ndodhur në trysni politike dërgon mesazh Kryeministrit që ta ndihmojë, ndryshe e pësojnë bashkarisht? Pikërisht, ajo arrogancë e Imamit, ku thotë publikisht se është ai si ministër e jo Parlamenti që përcakton limitet e kontrollit në Ministrinë e Mbrojtjes, do të thotë që Ministri Imami ka marrë lejen e Kryeministrit të sillet kështu. Kush mund të besojë që një ministër të shpërfillë Kuvendin, të mos lejojë kontrollin parlamentar pa  patur mbështetjen nga Kryeministri? Ose pyesim anasjelltas: Kur një ministër shpërfill publikisht me arogancë politike Kuvendin, a nuk është përgjegjësia e Kryeministrit që hesht?

Kur Imami deklaron që  për shitjen e armëve ka vënë në dijeni ccdo tre muaj Kryeministrin, mos vallë ka të bëjë, edhe me mbrojtjen që ka dhe kërkon Imami nga Kryeministri, për shitjen e armëve? Ndryshe, lumi do t’i marrë të dy bashkë! Sepse e ka  bërë në dijeni dhe miratim të plotë me Kyeministrin?  Kush mund të besojë që një ministër i Mbrojtjes të bëjë tregti me armë pa dijeninë e Kryeministrit? E ca më pak, Imami me kryeministër Berishën?

Kjo pyetje, është përgjigja që kërkojmë ta mësojmë të gjithë.

 Nga dialogjet në Komisionin e Sigurisë Kombëtare

Demi: Ministri i Mbrojtjes thotë që ky informacion është i klasifikuar, media është e ftuar që të lëshojë mbledhjen.

Gjoni: Është ky komision që vendos që mbledhja do të jetë e mbyllur apo e hapur dhe nuk është fare në kompetencën e ministrit. I shpreh mirëpritjen tonë, zotit ministër, e siç e shikon këtu je në mes të punëtorëve e fshatarëve, siç na ke cilësuar me ironi e tallje. Ju, zoti ministër, nuk keni asnjë të drejtë të ironizoni deputetët e këtij komisioni parlamentar. Kur të mbaroj, unë zoti ministër, se këtu flasim ne. Atje në ministri, flisni ju. Dhe ju do të flisni sipas ligjit, e jo sipas dëshirave.

Ndërhyn ministri të flasë.

Gjoni:- Jo, jo, nuk do të flasësh kur të duash ti, do të flasësh kur të duam ne, zoti ministër. Dhe këtë duhet ta kuptosh. Këtu të kemi pritur ne. Nuk ke ardhur me dëshirën tënde.

Ndërhyn ministri e Demi ta ndërpresin Gjonin.

Gjoni: Zoti ministër, ti nuk mund të bësh ligjin në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk mund të tregohesh arrogant, siç je treguar kundrejt deputetëve në Ministrinë e Mbrojtjes. Se ajo arrogancë e pushtetit që të karakterizon, e cila shprehet edhe sot këtu në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Po të përmend këtu  procedurat që ke pretenduar që kemi shkelur, po të përmend këtu vendimin 1608 ju ka ardhur ju me firmën e Jozefina Topallit? Është shkresa 1608 që është drejtuar prej jush, zoti Demi, e datës 25-06, po e miratuar nga Jozefina Topalli. Kemi marrë tre kontakte me ministrinë tuaj.

Demi:  Gjoni, lerini këto, të dëgjojmë zotin ministër.

Gjoni: Zotërinj kolegë, unë nuk kam patur asnjë mundësi që të bisedoj me zotin ministër, që t’i komunikoj ministrit shqetësimin tuaj, zoti Demi, për shkeljen e ligjit të deputetëve tanë që kërkuan mbikqyrjen në MM.

Demi: I kemi thënë ato gjera. Lëri tani. Ministri ka ardhur, ta dëgjojmë.

Gjoni: Nuk më duhet fare prania e ministrit këtu, se e ka kërkuar mazhoranca që të mbulojë. Këtu nuk ka asnjë naiv që të besojë që ju do të kontrolloni ministrin tuaj. Ne kemi kërkuar mbikëqyrjen e MM, siç e keni shprehur edhe vetë ju, zoti Demi, në korrespodencën që keni shkëmbyer me Kryetaren e Kuvendit e MM. Unë i bëj thirrje minsitrit që të na japë mundësinë, edhe në mbështetje të statusit të deputetit, i cili në nenin shtatë, po jua lexoj, thotë që gjithë drejtuesit e institucioneve detyrohen, detyrohen, zoti ministër, të presin me përparësi deputetin, sa herë që deputeti kërkon takim që lidhen  probleme të ushtrimit të detyrës së tyre. Ju, na keni refuzuar, zoti ministër, dhe nuk ka lidhje fare me procedurat. Keni shkelur, zoti ministër,  edhe këtë ligj.

Lutaj: Kemi patur shumë mundim për ta takuar deri sot ministrin. Ose ministri, ose iniciatorët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, duhet t’i kërkojnë falje opinionit publik, nëse ne i kemi në faj ministrit të Mbrojtjes, ligjit të shtetit shqiptar, apo ne kemi kërkuar një gjë të ligjshme, të miratuar nga 22 burra të këtij Komisioni, për të mbikëqyrur sukseset e MM. Kemi dy shkresa nga Kuvendi drejtuar ministrit të Mbrojtjes. Ju pyes, zoti Demi, kemi ndonjë përgjigje zyrtare për këto dy shkresa? Apo kemi vetëm njoftime nëpër televizione të ministrit e Kryeministrit, të cilët thonë që nuk ka trafik armësh? Tani, ose Parlamenti ka falcifikuar shkresat dhe ka dërguar gjera të paqëna në MM, ose ministri i Mbrojtjes ka vendosur të mos njohë Parlamentin dhe ta konsiderojë mbikëqyrjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare “kontroll punëtor, fshatar”. Ju duhet të thoni opinionit që ose keni qënë të pavëmendshëm, ose nuk doni që Legjistlativi të kontrollojë Ekzekutivin. Mund të fitoni kohë, por nuk do ta pengoni, zoti Demi.

Demi: Unë në shkresa flas në emër të Komisionit.

Patozi: Unë dua t’ju komfirmoj që ky Komision nuk ka marrë asnjë vendim për të ushtruar kontroll në MM.

Lutaj: Ja ku është vendimi, lexoje!

Patozi: Jo, absolutisht, jo, nuk e ka marrë atë vendim kurrë!

Lutaj: Ja ku është vendimi i Komisionit. Lexoje!

Patozi. Jo, jo. Ky Komision nuk ka marrë vendim që disa deputetë të shkojnë në MM.  E kam lexuar vendimin. Ky Komision nuk ka votuar që disa prej jush të shkojnë duke cënuar edhe figurën e deputetit.

Gjoni. Ore zotni, po tallesh kështu? Keni bërë trafik armësh, e vjen e na shet mend këtu?

Patozi: Ata që duhet të kërkojnë ndjesë jeni ju, që në mes të zhegut vajtët në MM, a thua se kërkonin armë bërthamore?

Patozi:Unë e kuptoj nervozismin tuaj, që kërkoni një Uatergejt. Nuk keni asgjë për të gjetur. Ju jeni një hiçse nuk e kërkoni në rrugë institucionale.

Dogjani: Si vjen këtu ministri me material sekret e thotë që deputetët duan të pajisen me certifikatë që të njihen me materialet sekrete? Sot nuk kemi më sekret, derisa ministri ka blerë  aparatura përgjimi, përgjon opozitën,  me 6 milionë euro, e thotë se është sekret materiali? Kjo është vepër kriminale. Media nuk ka pse të dalë përjashta. Kur pa pikë turpi përgjohen diplomatët, imagjino çfarë bëhet me qytetarët?

Demi: Është e drejta e ministrit të kërkojë që media të dalë përjashta.

Bizhga: E pyesim ministrin këtu në Komisionin e Sigurisë Kombëtare: Kur do të na lejoni neve që të ushtrojmë detyrën tonë parlamentare? E duam sot përgjigjen nga ju. Blerja e aparaturës së përgjimit nuk është raportuar nga SHIU-ja.

Fatos Hoxha: Zoti Kryetar, keni shkelur rregulloren e Komisionit. Zoti ministër ka kërkuar që në fillim të mbledhjes të dalin përjashta gazetarët dhe ju akoma nuk e keni zbatuar këtë kërkesë. Keni shkelur kështu rregulloren.

Demi:- E pranoj, keni të drejtë, zoti Fatos. Tani, ju lutem, media të dalë përjashta, menjëherë.

Urdhëri, u zbatua dhe Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare nuk riktheu më rregulloren, pasi i nxori menjëherë median përjashta!