Ministria e Brendshme kthehet në “post-kuzhine”, në spitale dhe… maternitete!

518
Qëndrime e fakte të reja skandaloze deri absurde, zbulohen përditë në praktikën e punëve të administratës së lartë shtetërore. E kemi fjalën, për një veprim që nuk është VKM dhe i pa bërë publik si procedurë, por të bërë fakt duke u futur në zbatim, në lidhje me shtimin e kompetencave të Ministrisë së Brendshme në shërbimet publike. Pas marrjes nën kontroll të lojërave të fatit, të fadromave të policisë ndërtimore, të sahateve e shtyllave të energjisë elektrike, Ministria e Brendshme është fuqizuar së fundi edhe me kompetencat e administrimit të ushqimit nëpër spitalet civile. Nisur prej një informacioni të ardhur nga burime brenda Ministrisë së Brendshme, lidhur me faktin që kjo ministri ka futur nën kontroll edhe sektorin e gatimit dhe shërbimit të ushqimit (katering) nëpër spitale, gazeta “Telegraf” nisi investigimin për të saktësuar vërtetësinë e lajmit. Interesimit tonë në Ministrinë e Brendshme iu përgjigjën me mohimin e lajmit, që kjo ministri të kishte marrë në administrim edhe kuzhinat e spitaleve civile. Në Ministrinë e Shëndetësisë, po kështu e mohuan. Në fakt, lajmi i ardhur në redaksi nga Ministria e Brendshme është plotësisht i vërtetë. Kjo ministri, me një “fjalë goje” nga qeveria pa asnjë VKM, prej 1 muaji ka marrë të drejtën të ketë nën kontroll e administrim të plotë edhe kuzhinat e spitaleve civile në gjithë vendin. Kudo ku gatuhet në institucionet dhe shërbimet spitalore shtetërore në Shqipëri, “komandën” mbi ushqimin e ka vetëm Ministria e Brendshme. Deri tani këtë shërbim e ka bërë Ministria e Shëndetësisë me koncesion privat. Tashmë po e bënë Ministria e Brendshme. Edhe pse drejtuesit e shëndetësisë në qarqe e rrethe janë “ïnstruktuar” ta mbajnë të fshehtë këtë ndryshim kompetence shërbimi ushqimi në sektorin e shëndetësisë civile, shërbimi katering (ushqimi) në spitale ka nisur të veproj nën administrimin e Ministrisë së Brendshme. Nuk e themi ne këtë fakt, por e publikon vetë Ministria e Brendshme në një njoftim prokurimi publik për shërbimin katering (ushqimi), ku mes njoftimeve për tender shërbimi në ushqimin e njësive policore, prej kësaj ministrie përfshihet edhe shërbimi i ushqimit në disa spitale civile, nën prokurimin prej kësaj ministrie. Këtë e fakton njoftimi zyrtar në “Buletinin e Prokurimeve Publike” Nr. 16, datë 27 prill 2015, faqe 14-15-16, ku njoftohet se zhvillohet “Procedura e prokurimit mbi kufirin e lartë monetar”, me objekt “shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi”, krahas njësive të shërbimeve policore edhe në “Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” dhe në… “Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Mos u çuditni, por Ministria e Brendshme siç duket edhe në faksimilen e njoftimit të tenderit të publikuar prej saj, përveç ushqimit në spitale, ka marrë nën kontroll kuzhinat, gatimet dhe shpërndarjen e ushqimit edhe në… maternitete! Ky tender i çuditshëm, me objekt gatimin dhe shpërndarjen e ushqimit prej Ministrisë së Policisë zhvillohet sot në datën 8 maj 2015, ora 10.00 në zyrat e Ministrisë së Brendshme për ushqimin në spitalin “Shefqet Ndroqi” me lotin VIII me vlerë fond limit 18 milionë, 129 mijë e 212 lekë të reja pa 20% taksën TVSH. Por, po sot në datën 8 prill 2015, ora 10.00, një tender i tillë me vlerë 9 milionë 130 mijë e 227 lekë pa paksën 20 % tvsh zhvillohet po në zyrat e Ministrisë së Brendshme edhe për ushqimin në… maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë! Ky fakt përbën një skandal e absurd, që nuk ndodh në asnjë shtet të botës. Ka ndodhur përpara 70 vitesh nëpër ish-spitalet partizane, ku ushqimi gatuhej e kontrollohej nga “kuzhinierë” të caktuar nga komanda e lartë partizane, prej frikës se mos helmoheshin partizanët e plagosur. Ka ndodhur edhe në vitet 1945-1948, kur në spitalet civile edhe drejtorët, kuzhinierët, pjatalarësit dhe ata që shpërndanin ushqimin ishin ish-partizanë të besuar, nga frika se mos ushqimi helmohej nga “armiku i klasës”! Por që ky absurd të ndodh sot në vitin 2015, që Ministria e Brendshme, të kthehet në “post kuzhine”për gatimin e ushqimit nëpër spitalet civile e madje deri edhe nëpër… maternitete, kjo është… çudi! Shtrohen disa pyetje: A ka lidhje kjo ndërhyrje e policisë për marrjen nën kontroll prej Ministrisë së Brendshme, të ushqimit nëpër spitale e maternitete me sigurinë e ushqimit, apo ka lidhje koncesionin e këtij shërbimi? Mirë në spitale, që uniformat blu edhe mund të kenë mision të luajnë rolin e “uniformave të bardha” të kuzhinierëve, kamarierëve e pjatalarësve, për të zbuluar ndonjë kriminelë që mund të fshihet si pacient nëpër spitale, apo që të siguroj ushqimin e ndonjë pacienti nën arrest. Po me ushqimin nëpër maternitete ç’lidhje ka kjo ministri, se në këto lloj spitalesh nuk lindin foshnja kriminelë e as kontrabandistë! Troç: Përse Ministria e Brendshme duhet të futet edhe në “kazanët e supës” së spitaleve civile?! Mjafton ky fakt, për të paramenduar pritur, që së shpejti kjo ministri të marrë edhe kontrollin mbi mensat e kopshteve e çerdheve të fëmijëve, spitaleve psikiatrike, konvikteve të shkollave dhe… azileve të pleqve! 
Sigal