Ministri Tavo merr mbështetjen e OBSH-së

409
Sigal

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar mbështetjen për Shëndetësinë Shqiptare. Ky fakt i është pohuar Ministrit të Shëndetësisë Vangjel Tavo, gjatë vizitës së zhvilluar në selinë e Zyrës së OBSH për Evropën në Kopenhagën të Danimarkës. Vizita e ministrit Tavo u zhvillua pas ftesës së dërguar nga Drejtoresha e OBSH-së për Rajonin z. Suzan Jakab. Nevoja për një sistem shëndetësor me mbulesë universale dhe mbrojtje financiare të pacientëve, mbrojtja e shëndetit dhe parandalimi i sëmundjeve infektive, kontrolli i sëmundjeve kronike si dhe bashkëpunimi i frytshëm për iniciativa rajonale ishin tema kryesore të bisedës. Pasi u shpreh me nota pozitive mbi arritjet në fushën e imunizimit, shëndetin e nënës dhe fëmijës dhe tentativat e para pozitive për zbatimin e ligjit Antiduhan, znj. Jakab e ka siguruar ministrin Tavo për mbështetjen e saj personale në hartimin e projekteve të përbashkëta në fushat e sipërpërmendura. “Ne po  punojmë për të përmirësuar shëndetin e gjithë qytetarëve tanë. Shëndeti është një aspiratë e përbashkët njerëzore dhe përparësi e lartë dhe kjo qëndron  në thelb të asaj që e bën një shoqëri moderne. Shëndeti 2020 e bën të qartë se përmirësimi thelbësor i shëndetit  arrihet   kur në të përfshihet  e “gjithë shoqëria”. Është e rëndësishme që të kemi një bashkëpunim ndër sektorial . Unë mendoj se çelësi i suksesit në Shqipëri është pikërisht ky bashkëpunim”, u shpreh ministri Tavo gjatë takimit në Kopenhagën, duke vlerësuar ndihmën e madhe të dhënë nga OBSH-ja ndër vite dhe veçanërisht në rastet e emergjencave natyrore dhe shëndetësore.