Ministri Sokol Devishaj: Licencat e transportit brenda vendit, ja rregullat dhe kompetencat

46

Në një njoftim për mediat, Ministria
e Transportit dhe Infrastrukturës, bëri me dije, se kriteret dhe rregullat e
licencimit janë bashkëlidhur këtij njoftimi, bazuar në Udhëzimin nr. 5627, datë
18/11/2016 “Pёr përcaktimin e kritereve, rregullave dhe dokumentacionit për
lëshimin e licencave dhe certifikatave për ushtrimin e veprimtarisë në
transportin rrugor të udhëtarëve brenda vendit”. (Fletore Zyrtare  Nr. 228, datë 24.11.2016). Ministria e
Transportit dhe Infrastrukturës siguron kompanitë dhe operatorët, se çdo
kërkesë e tyre do të merret në konsideratë dhe do të shqyrtohet me seriozitet
nga grupi i punës. Licenca për transportin ndërqytetës të udhëtarëve, (linjat kryesore
dhe ushqyese), janë me afat 5 vjet dhe nga data 1 janar 2017, licencat do të
lëshohen në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës. Afati i vlefshmërisë
së certifikatave për autobusët e shërbimit ndërqytetës është nga 1 deri në 5
vjet. Për një periudhë nga 3-9 muaj, MTI në bashkëpunim me organet e kontrollit
do të monitorojë zbatimin dhe funksionimin e rrjetit të linjave ndërqytetëse,
si dhe të subjekteve të pajisura me licencë, me qëllim vlerësimin e operimit të
tyre në përputhje me kriteret e përcaktuara në kuadrin ligjor. Liçencat për
transportin ndërqytetës dhe certifikatat e mjeteve, që janë lëshuar në bazë të
licencave, (lëshuar nga bashkitë) dhe licencat e transportit rreth-qytetës,
(lëshuar nga bashkitë ose komunat), para hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, janë
të vlefshme në ditën e lëshimit të licencave, por jo më vonë se data 1 janar
2017. Dorëzimi i dokumentacionit përkatës mund të kryet çdo ditë deri në datën
30 dhjetor pranë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, nga ora 10.00-12.00.