Ministri Sandër Lleshaj, “pronar” edhe i Policisë Private Shtetërore

592
Sigal

Nëse ndonjë qytetar dëshiron që të udhëtojë jashtë shtetit, për shembull në Kolumbi ose dëshiron që të lërë qenin e vet nën kujdestari, që nesër ka të drejtën që të marrë me qira privat për mbrojtje, ose ta lërë kujdestar të qenit të tij nga Policia Private Shtetërore, ku pronar është vetë ministri Sandër Lleshi.

Qeveria me VKM ka ligjëruar krijimin e shoqërisë ‘Illyrian Guard”, që është Polici Private Shtetërore, e cila do të jetë me kapital 100 për qind shtetëror. Në këtë vendim sanksionohet se “Kjo shoqëri sipas vendimit të qeverisë do të regjistrohet në QKR dhe do të ofrojë shërbime të ruajtjes fizike dhe juridike, publik dhe privat, për të gjithë ata të cilët kërkojnë ruajtje objekti apo fizike, të cilët mund ta marrin ketë shërbim kundrejt pagesës.”.

Pavarësisht se Policia e Shtetit nuk u garanton qytetarëve siguri dhe qetësi publike, derisa krimi mund të vrasë këdo në mes të ditës, në qendër të qytetit, pavarësisht se krimi është rritur në përmasa alarmante, pavarësisht se shumë krime makabre që kanë ndodhur nuk janë zbardhur, pavarësisht se Policia e Shtetit është e pa zonja që të ruajë dhe mbrojë as gjykatat dhe prokuroritë, ambasadat dhe institucionet e tjera shtetërore dhe kushtetuese, qeveria dhe ministri Lleshi e privatizojnë edhe Policinë e Shtetit.

Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100 (njëqind) për qind të aksioneve të shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., është Ministria e Brendshme. “Illyrian Guard”, sh.a., ofron shërbime me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.