Ministri Olldashi inspekton punimet në autostradën Tiranë –Elbasan

531
Sigal

Hapja e rrugës për trafikun në fundin e pranverës së vitit 2013

Mbi 650 m3 beton, 36 mijë m3 gërmime dhe 38 mijë m3 mbushje në ditë. Ky është ritmi ditor i punës në një kantier që mbahet i hapur 20 orë në trase dhe 24 orë në tunel. Me këtë ritëm, autostrada Tiranë – Elbasan po shënon progres drejt objektivit përfundimtar që është hapja e rrugës për trafikun në fundin e pranverës së vitit 2013. Statistikat e mësipërme u dhanë gjatë një inspektimi që ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi zhvilloi në trajektoren e autostradës së re, ku punon bashkimi i kompanive “Copri” dhe “Actor”, vepra më e rëndësishme infrastrukturore në ndërtim. “Bazuar në parimin që opozita llafos por buldozerët ecin përpara, këtu punohet 24 orë në ditë në tunel dhe 20 orë në të gjithë pjesën tjetër të rrugës, përkatësisht në segmentin nga Tirana në hyrje të tunelit dhe nga dalja e tunelit deri në Elbasan , kryqëzimi i Bradasheshit”-tha ministri Olldashi. Ndër të tjera z. Olldashi tha se me ritmet me të cilat po punohet, autostrada Tiranë – Elbasan, po shënon progres drejt objektivit përfundimtar që është hapja e rrugës për trafikun në fundin e pranverës së vitit 2013 . “Është një volum pune i jashtëzakonshëm, që po ecën me një ritëm shumë të mirë. Unë jam shumë i kënaqur me atë që pashë në kantier dhe me faktin që mobilizimi është total, respektimi i kalendarit të punimeve është mjaft i mirë, gjë që na mban optimist për të arritur objektivin që ne kemi, që kjo rrugë të jetë e hapur për trafikun në fundin e pranverën të vit që vjen” Deri tani traseja e rrugës është prekur në rreth 90 për qind të gjatësisë së saj, ndërkohë që janë në ndërtim e sipër shumica e veprave inxhinierike kryesore. Më segmentin e parë punohet ne urën e Erzenit ndërsa në segmentin 2 punohet në 4 nga pesë ura që ka ky segment. Përsa u përket veprave të vogla të artit, janë kryer deri tani 16 për qind e tombinove të vogla, 40 për qind e tombinove të mëdha dhe 32 për qind e nënkalimeve. Volumet e punimeve kryesore te kryera deri tani janë:  Betone 21 000 m3 nga 130 000 m3 që ka projekti,

Gërmime 1 150 000 m3 nga 4 600 000 m3 që ka projekti

Mbushje  1 400 000 m3 nga 5 750 000 m3 që ka projekti