Ministri Olldashi: Autostrada Tiranë- Elbasan hapet së shpejti!

458
Sigal

Vazhdojmë punimet në segmentin që lidh kryeqytetin me pjesën Qendrore dhe Juglindore të Shqipërisë

Ditën e djeshme Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve Sokoll Olldashi inspektoi punimet që po kryhen në autostradën Tiranë – Elbasan. Gjatë inspektimit të punimeve ministri u shpreh se: “Punimet në autostradën Tiranë-Elbasan po progresojnë me një ritëm që është tërësisht në përputhje me kalendarin e përcaktuar nga Ministria e Punëve Publike gjë që bën të mundur që në fundin e pranverës së vitit të ardhshëm, kjo vepër të hapet për trafikun”. Në këtë inspektim që bëri ministri, e cilësoi ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, si veprën më të rëndësishme të infrastrukturës në vend.

Punimet në këtë rrugë sipas ministrit vazhdojnë më një ritëm shumë të mire. Ndër të tjera ministri shtoi se “vazhdon të punohet me dy turne në 24 orë pothuaj se në të gjitha frontet e autostradës Tiranë-Elbasan, sigurisht në ato pika që janë më kritike për të arritur kalendarin e punimeve që ne kemi parashikuar, hapjen e rrugës në fundin e pranverës të vitit të ardhshëm. Ministria e Transporteve është veçanërisht optimiste për arsye se sipas tyre, veprat e mëdha të artit, që janë edhe pika më kritike e projektit, janë duke ecur sipas programit”. Ministri e ka cilësuar një ndër veprat më të rëndësishme të kësaj rrugë. Ku ndër të tjera ka theksuar rëndësinë e një ure e cila po bëhet në dalje të tunelit në drejtim të Elbasanit. Sipas tij kjo është një urë e një modeli të veçantë, për herë të  parë ndërtohet një urë e tipit kantilivër në Shqipëri. Është një urë  e lartë 60 m, në një terren të vështirë, por që progreson me një ritëm shumë të mirë.

“Si përfundim do doja të thoja që vazhdojmë të jemi optimistë që kalendari do të respektohet në të gjitha detajet e parashikuara deri tani dhe që ne do të arrimë atë që kemi objektiv kryesor, që rruga në fund të pranverës të hapet dhe të jetë e përshkrueshme në të gjithë gjatësinë e saj nga Tirana  deri në Elbasan duke i dhënë formë kështu njërës nga veprave më madhore të infrastrukturës së vendit, autostradës Tiranë-Elbasan, fillesës së Korridorit 8, por edhe njërit prej segmenteve më të rëndësishme për të lidhur qendrën, kryeqytetin e vendit me të gjithë pjesën Qendrore dhe Juglindore të Shqipërisë” ka theksuar ministri Olldashi. Ai ka bërë të ditur se punimet në autostradë vazhdojnë me ritëm të lartë në te tre lotet e rrugës. Në dy segmentet përpara dhe pas tunelit, në drejtim të Tiranës dhe Elbasanit, volumi i punimeve të realizuara ka arritur përkatësisht në 32 dhe 33 për qind, ndërkohë që, në tunel po vazhdohet me shtresën e brendshme të betonit, me ritëm prej 50 m ditë, paralelisht me instalimet e sistemeve të ndriçimit.

_________________________________________________________________________________________________________

MINISTRIA E TRANSPORTEVE: “SHTYPI TË MBAJË PËRGJEGJËSI PËR SHPIFJET POLITIKE DHE DASHAKEQE”

Ministria e Transporteve dhe Punëve Publike ka reaguar në idhje me shkrimet e dy të përditshme që i janë referuar një çështjeje korrupsioni në Austri duke aluduar për një lidhje të mundshme të kompanisë në një takim hipotetik me ministrin Olldashi. Ministria e Transporteve nëpërmjet një njoftimi ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga këto dy gazeta dhe ka theksuar se: “Në emër të transparencës sqarojmë se z. Olldashi, në asnjë rrethane, nuk është takuar ndonjëherë me z. Geront Schieszler. Për herë të parë fytyrën e tij e ka parë në fotografinë e botuar në këto gazeta. Të gjitha takimet e ministrit Olldashi inventarizohen dhe regjistrohen si të tilla nga stafi i ministrit dhe janë të verifikueshme lehtësisht në çdo çast. Gazeta “Der Standard”, së cilës i referohen dy të përditshmet, nuk përmend në asnjë rresht emrin e ministrit Olldashi dhe as konfirmon ndonjë takim mes tij dhe qytetarit austriak”. Më tej në njoftimin e ministrisë thuhet se: “Për këtë arsye përmendja e z.Olldashi nga këto gazeta është dashakeqe dhe politikisht e motivuar. Për më tepër, vetë shkrimet e botuara thonë se zotëria austriak akuzohet për marrje dhe jo dhënie ryshfeti. “Gazeta “Der Standart” zbulon se Schieszler po hetohet për marrje ryshfeti në Shqipëri”, – thotë njëra nga të përditshmet. “Gazeta “Der Standard” zbulon se, Schieszler po hetohet për marrje ryshfeti në Shqipëri” – thotë edhe gazeta tjetër. Pra i bie që ky zotëri paska ardhur në Shqipëri dhe Sokol Olldashi i paska dhënë atij ryshfet dhe jo anasjelltas, për një kontratë që nuk ekziston gjëkundi. Kjo është thjesht marrëzi. Duhet të jetë rast unik në botë që një ministër të akuzohet se i ka dhënë ryshfet një biznesmeni. Njoftimi i Ministrisë bën të ditur se Zoti Olldashi i fton gazetat të provojnë qoftë takimin hipotetik, qoftë edhe një telefonatë të vetme mes tij dhe personit në fjale, apo cilit do përfaqësues tjetër të konsorciumit që përmendet. “Nëse arrijnë ta provojnë z.Olldashi është i gatshëm të marrë të gjitha përgjegjësitë publike, politike dhe ligjore. Ndërkohë që, do të ishte e udhës që për një të pavërtetë absolute të botuar dashakeqësisht edhe shtypi të mbante përgjegjësinë e vet. Përgjegjshmëria nuk mundet të kërkohet vetëm nga politikanët”, thuhet në njoftimin e bërë nga Ministria.