Ministri Manjani merr pjesë në takimin “Bashkëpunimi Rajonal në Çështjet Penale”

41
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani mori sot pjesë në takimin me temë “Bashkëpunimi Rajonal në Çështjet Penale”, me pjesëmarrjen e dy delegacioneve nga Gjykata e Lartë e Malit të Zi dhe Maqedonisë. Duke e konsideruar këtë aktivitet me mjaft rëndësi në drejtim të bashkëpunimit ndërgjyqësor,  Manjani theksoi se jetojmë në një realitet pa kufinj, në një realitet global, ku krimi i organizuar është sofistikuar, kështu që edhe ne duhet t’i përgjigjemi me strukturë të organizuar. 
“Realiteti global ku jetojmë kërkon një organizim global dhe krimi i organizuar kërkon një shtet të organizuar. Qëllimi jonë nuk është të nxisim mbylljen e kufinjve të secilit vend, por qëllimi është që çdo trafikant, çdo shtetas-kriminel i vendeve tona kudo që të kapet të gjykohet njësoj. S’ka ekstradim më të mirë se ky”, tha Manjani Ministri Manjani vlerësoi se Gjykatat e Larta kanë pushtetin absolut të unifikimit të praktikës gjyqësore, sigurisht brenda juridiksioneve të vendeve përkatëse. 
“Sigurisht theksoj që në mënyrën se si gjykohen çështjet, gjykatësit kudo qofshin janë të pavarur. Standardi i pavarësisë së gjykimit është standard demokratik dhe askush nuk merr përsipër të komentojë, gjykojë apo arsyetojë kundër kësaj logjike. Atë bashkëpunim që ne kemi ndërtuar në nivel ekzekutiv apo nivel hetimor do të duhet ta çojmë më tej dhe në bashkëpunim gjyqësor, derisa të vijmë në një ditë që hapësira juridiksionale të mos ketë dallime të natyrës parimore. Sigurisht dallime do të ketë sepse ligjet, praktikat dhe kulturat janë të ndryshme, por të mos ketë dallime parimore në luftën kundër krimit”, tha Ministri Manjani
Ministri Manjani edhe në emër të Qeverisë Shqiptare e përshëndeti dhe e nxiti bashkëpunim e mëtejshëm duke sugjeruar idenë e krijimit të komisioneve të natyrës së përhershme për diskutimin e çështjeve të përbashkëta, për unifikimin e praktikave gjyqësore.