Ministri kolumbian: Raportuam për operacionin

543
Ministri i Mbrojtjes i Kolumbisë, Luis Carlos Villegas, gjatë një vizite në bazën e Forcave Speciale të Policisë Kombëtare, ndër të tjera ka folur edhe për operacionin e madh të finalizuar në Shqipëri, ku u kapen 613 kg kokainë, e ardhur nga Kolumbia. Ministri i Mbrojtjes së Kolumbisë ka bërë të ditur se ushtria kishte raportuar për një operacion të përbashkët me agjencitë ndërkombëtare për kapjen e 613 kilogramë kokainë të bandës kriminale “Gulf Klan”. Kjo sasi u bllokua në portin e Durrësit, në Shqipëri në fund të shkurtit. “Ushtria Kombëtare e Kolumbisë kishte raportuar për një operacion të përbashkët me agjencitë ndërkombëtare për kapjen e 613 kilogramë kokainë të bandës kriminale “Gulf Klan”, të cilat u konfiskuan në portin e Durrësit, në Shqipëri. Droga e sekuestruar ishte fshehur në dyshemenë e një kamioni që e la Kolumbinë në mes të janarit, i ngarkuar me banane, me një anije që do të ndalonte në disa porte në Evropë, para se të arrinte në portin e Durrësit, ku edhe u shkarkua”, u shpreh ministri kolumbian, duke rrëzuar pretendimet e palës shqiptare. Sipas ministrit të Mbrojtjes, droga u kap në sajë të informacionit në kohë të dhënë nga agjencitë pjesëmarrëse, që mundësoi planin e policisë shqiptare, një operacion për të kontrolluar rrugën e kontejnerit, në pronësi të një kompanie shqiptare, që nga koha e ardhjes së saj në portin e Durrësit, vendi ku policia ndërhyri në kontejner dhe gjeti drogën. Gjatë operacionit u kapën dy persona: shoferi i kamionit dhe një punonjës i kompanisë. “Po kështu, policia shqiptare ka lëshuar urdhër për arrestimin e pronarit të kompanisë dhe hapi kërkime me homologët e tyre në Evropë për të përcaktuar identitetin e personave të tjerë që lidhen me këtë konfiskim, i cili është bllokimi më i madh i këtij lloji droge. Kokaina e sekuestruar i përkiste një strukture të trafikut të drogës, të njohur si “Clan del Golfo”, e cila ka kontakte në portet e ndryshme në Evropë”, u shpreh ministri kolumbian i Mbrojtjes. Çështja e kapjes së 613 kg kokainë në Durrës është kthyer në një temë debati në Shqipëri, ndërsa qeveria këmbëngul se gjithçka ishte meritë e agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit. Edhe të nesërmen e operacionit, ushtria kolumbiane deklaroi se kishte dhënë informacion për sasinë e drogës.
Sigal