Ministri Koka: Parqet dhe zonat e mbrojtura, burime të rëndësishme ekonomike për vendin

734
Në Ditën Europiane të Parqeve, Ministri i Mjedisit z.Lefter Koka ishte në Parkun Kombëtar “Mali i Dajtit”.ku inauguroi disa investime të rëndësishme në zhvillimin e zonave të mbrojtura. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Delegacionit Europian, Ministri Koka theksoi rëndësinë e parqeve në jetën e qytetarëve.

“Në këtë Ditë Europiane të Parqeve edhe Shqipëria i konsideron parqet si një aset të cmuar jo vetëm të natyrës e të mjedisit , por edhe të ekonomisë së vendit. Shqipëria ka rreth 15 parqe kombëtare të shpallura në më shumë se 50 vite si Parku Kombëtar i Dajtit që është shpallur i tillë në vitin 1966. Parqet janë mushkëritë jo vetëm të qyteteve të mëdha urbane, por edhe të vetë zonave ku ndodhen siç është Parku Kombëtar i Dajtit, të cilin do ta konsideroja edhe si një zonë ekonomike shumë të rëndësishme për qytetin e Tiranës. “- tha ministri Koka.
Gjatë vizitës së tij, ministri Koka inauguroi fillimisht qendrën e re të vizitorëve e cila do të jetë një pikë informacioni dhe shërbimi të kualifikuar për çdo turist vendas dhe huaj. Ministri i Mjedisit inspektoi gjithashtu edhe rikonstruksionin e Shtëpizës së Reinxhërsave në hyrje të Parkut Kombëtar, si dhe investimet në logjistikë për stafin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura të financuara nga Natura2000. Duke vijuar mesazhin e tij në Ditën Europiane të Parqeve, Ministri Koka theksoi se në thuajse katër vite është treguar një vëmendje në rritje për ruajtjen dhe shtimin e zonave të mbrojtura.

“Tashmë kemi mbërritur nivelin e 17% të sipërfaqeve të zonave të mbrojtura në territorin shqiptar të klasifikuara në nivele të ndryshme. “ -tha ministri Koka duke shtuar se krijimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, dhe autonomia financiare që ky institucion do të marrë nga ligji i ri i zonave të mbrojtura të miratuar mw 4 maj 2017 në parlamentin shqiptar, është një zhvillim i rëndësishëm.

“Filozofia jonë nuk është që një zonë apo park kombëtar të qëndrojë thjesht dhe vetëm i rrethuar si një objekt i pavizitueshëm, por që të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe t’u shërbejë qyterarëve shqiptarë dhe turistëve të huaj.

Nuk mund të vazhdojmë me të njëjtën filozofi ku shumë qytetarë shqiptarë duhet të udhëtojnë qindra mijëra km larg në vende të huaja për të pushuar . Ne kemi të gjitha mundësitë, të gjitha resurset, kemi njerëz të mrekullueshëm të cilët mund të ofrojnë shërbime të mrekullueshme qoftë për të pushuar apo për t’u argëtuar dhe aq më shumë për t’i parë fëmijët të lumtur dhe ky është misioni ynë. Nuk mundemi dhe nuk do ta lejojmë kurrë që nesër të jemi të keqgjykuar nga ky brez të cilin jemi të lumtur që e kemi. “- përfundoi mesazhin e tij ministri Koka

Dita Europiane e Parqeve shërben për të promovuar zonat e mbrojtura dhe për të theksuar rëndësinë e mbrojtjes, menaxhimit por edhe frekuentimit të tyre. Parqet kombëtare janë oaze të natyrës, që ofrojnë për çdo qytetar qetësi, duke lidhur më shumë njerëzit me mjedisin.
Sigal