Ministri Koka në Ditën Botërore të Mjedisit: “Le të jetë kjo ditë një sfidë ndaj epokës së betonit”

464
Sot data shënon 5 Qershor dhe është Dita Botërore e Mjedisit. Me rastin e kësaj dite, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka ndarë me ndjekësit e tij në facebook. 

“Në këto 4 vite Ministria e Mjedisit ia ka dalë mbanë të sjellë në qendër të vëmendjes së opinionit publik, medias dhe shoqërisë civile, një nga komponentët më të rëndësishëm të jetës sonë, MJEDISIN”, ka shkruar ai.

Më poshtë gjeni mesazhin e plotë: 
Përshëndetje miq!

Sot është Dita Botërore e Mjedisit!
Çdo 5 qershor, bota feston një nga ditët më të rëndësishme mjedisore të vitit. Edhe Shqipëria si pjesë e saj, feston me një mjedis më të mirë, më të ruajtur se disa vite më parë. 

Në këto 4 vite Ministria e Mjedisit ia ka dalë mbanë të sjellë në qendër të vëmendjes së opinionit publik, medias dhe shoqërisë civile, një nga komponentët më të rëndësishëm të jetës sonë, MJEDISIN. 
Reformat dhe ligjet, masat dhe kontrollet, monitorimet dhe puna e përkushtuar në një hark mjaft të shkurtër kohor kanë sjellë rezultate të padiskutueshme, të dukshme dhe të pranueshme nga të gjithë. Kjo punë e palodhur që nuk ka nevojë as të vetlëvdohet dhe as të reklamohet ka minimizuar katastrofën mjedisore disavjeçare që na lanë trashëgim.

Dhe rruga e nisur duhet të vazhdojë me mbështetjen e domosdoshme të çdo qytetari! Sepse ky është Shansi ynë për të sotmen dhe të nesërmen që do të vijë! Shansi për një mjedis të mbrojtur është shansi për të ardhmen e jetës!
Të dashur miq,
Le të na kujtojë kjo ditë se njeriu është pjesë e natyrës dhe se jeta jonë varet tërësisht prej saj. Le të jetë kjo ditë një sfidë ndaj epokës së betonit që ka pushtuar vendin tonë. 

Ndaj ju ftoj sot që të shkoni pranë natyrës, të vlerësoni bukurinë dhe rëndësinë e saj, si dhe të ndërgjegjësoheni për të mbrojtur tokën që të gjithë bashkë e ndajmë. Bëni sot qoftë edhe një hap drejt parkut më të afërt të qytetit tuaj, pyllit, lagunës apo zonës së mbrojtur, për të kontribuar në ruajtjen e saj, për të pastruar apo për të mbjellë, pse jo për të shijuar paqen që natyra fal. 
Le të mbajmë në mendje se dhuratat e vyera të natyrës nuk mund të vlerësohen me fitimet ekonomike. Dhe të kujtojmë gjithashtu se burimet natyrore nuk mund të merren për të mirëqena dhe vetëm një zhvillim i qëndrueshëm i tyre mund të sigurojë bashkëjetesën e domosdoshme midis njeriut dhe natyrës.
Gëzuar Ditën Botërore të Mjedisit!
Sigal