Ministri Koka: “Duhet shumë punë që të rehabilitojmë të shkuarën dhe të ruajmë atë çfarë po bëjmë, një Shqipëri më të pastër”

436
Dita Ndërkombëtare e Tokës e gjen Shqipërinë me finalizimin e Nismës Mbarëkombëtare të Pastrimit të Vendit nga Mbetjet të lançuar nga Ministri i Mjedisit, Z. Lefter Koka, më 5 mars 2017. Në kuadër të kësaj dite të rëndësishme mjedisore dhe të Nismës Mbarëkombëtare të Pastrimit, Ministri Koka apeloi sot për më shumë ndëgjegjësim kundrejt mjedisit.

“Sot është Dita Ndërkombëtare e Tokës kur njerëzit në të gjithë botën pavarësisht besimit dhe kombësisë kontribuojnë për një mjedis më të pastër më të shëndetshëm dhe sigurisht duke patur në konsideratë se një ambient i ndotur ndikon ndjeshëm tek thatësira, ashtu siç ndikon ndjeshëm tek reshjet e dendura dhe tek erozioni. Më datën 5 mars Ministria e Mjedisit mori një nismë pikërisht për të sensibilizuar mbarë qytetarët shqiptarë për të pastruar tokën”- tha ministri Koka i cili falenderoi të gjithë ata që iu bashkuan kësaj nisme që në ditët e para të saj.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për menaxhimin e integruar të mbetjeve Ministri Koka u shpreh se “Ligji ngarkon bashkitë me përgjegjësi. Unë në disa raste kam kërkuar të sensibilizoj edhe kryetarët e bashkive dhe vazhdoj të vërej se akoma shumë prej tyre nuk e kanë kuptuar që tashmë me reformën e re administrative bashkitë kanë një sipërfaqe shumë më të madhe për të administruar. Është e rëndësishme që një qytet të ketë edhe parqe kualitative ashtu si edhe zona urbane kualitative. Ndaj u bëj thirrje edhe njëherë kryetarëve të bashkive që të respektojnë ligjin. Ne kemi marrë masa administrative për disa prej tyre, por nuk është ky qëllimi ynë. Ata duhet të vetëndërgjegjësohen, të ndërgjegjësojnë edhe qytetarët dhe të bëjnë një turizëm sa më elitar në sezonin turistik.”

Në fund të mesazhit të tij, Ministri Koka theksoi se: “Mjedisi kërkon një punë të përditshme dhe të përvitshme kërkon durim dhe vendosmëri. Rezultati i punës sonë nuk përkon me një mandat sepse një pemë kërkon kohën e saj për t’u rritur. Gjithashtu mbetjet inerte në zonat turistike apo urbane janë grumbulluar prej më shumë se 25 vitesh ndaj kërkohet shumë punë që të rehabilitojmë të shkuarën dhe të ruajmë atë çfarë po bëjmë, pra një Shqipëri më të pastër”.

Deklaratat e tij,Ministri i Mjedisit i bëri gjatë pastrimit të sektorit Rinia në Durrës ku iu bashkua të rinjve dhe qytetarëve vullnetarë të qytetit të Durrësit dhe Korpusit të Vullnetarëve për pastrimin e zonës nga mbetjet. Në të gjithë vendin prej datës 5 mars 2017 në kuadër të Nismës Mbarëkombëtare të Pastrimit janë zhvilluar aktivitete intensive pastrimi në Gjirokastër, Tiranë, Vlorë, Dibër, Elbasan, Fier, Lezhë, Kukës, ku janë pastruar brigjet e lumenjve Vjosë, Shkumbin dhe Buna, kodrat në hyrje të qytetit të Dibrës, parqet kombëtare “Divjakë –Karavasta”, Llogara, Dajt, “Korab-Koritnik”, “Bredhi i Hotovës- Dangëlli”, laguna e Kune Vainit apo Rezervati natyror i Velipojës.
Nismës i janë bashkuar nxënës shkollash, biznese lokale, shoqata, organizata të huaja, administrata lokale, bashki dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura të cilët të gjithë së bashku kanë kontribuar në pastrimin e vendit nga mbetjet.

Edhe gjatë ditës së sotme vijojnë aktivitetet vepruese dhe ndërgjegjuese në mbarë vendin në kuadër të Nismës Mbarëkombëtare të Pastrimit dhe të Ditës Ndërkombëtare të Tokës. Edhe stafet e Ministrisë së Mjedisit, ISHMP-së, AKM-së dhe AKZM-së i janë bashkuar vullnetarëve për pastrimin e mjedisit.

Dita e Tokës këtë vit festohet në mbarë botën me moton “Ndërgjegjësimi për Mjedisin dhe Klimën”. Kjo ditë promovon rritjen e ndërgjegjësimit për problemet mjedisore dhe demonstrimin për një mjedis të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.
Sigal