Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi: Të bashkërendojmë përpjekjet tona për një Shqipëri të pastër

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Z Blendi Klosi hapi edicionin e pestë të Festivalit të Filmit Mjedisor të Shqipërisë (EFFA 2017). Në një ceremoni të organizuar në Sheshin e Pazarit të Ri në Tiranë, ministri Klosi përshëndeti organizatorët, pjesëmarrësit dhe mbështetësit e këtij festivali që tashmë po kthehet në traditë.

Në fjalën e tij Ministri Klosi e vuri theksin në dy aspekte mjaft të rëndësishme të politikës mjedisore; ashpërsimi i ligjit për këdo që kryen një krim mjedisor dhe edukimi masiv i të rinjve për të përgatitur një shoqëri që të mbajë të pastër Shqipërinë. 
Duke folur për ndotjen mjedisore, ministri Klosi u shpreh se janë duke u ashpërsuar masat penale për ata që kryejnë krim mjedisor dhe që të kuptojnë që si për çdo krim tjetër janë nën presionin e shoqërisë dhe nën gjykimin e ligjit. “Ai që ndot mjedisin ndot pasurinë tonë të përbashkët, bën një krim mjedisor dhe ai duhet të dënohet”- tha ministri i Turizmit dhe i Mjedisit.
Duke u ndalur konkretisht tek aksioni mbarëkombëtar “Për një Shqipëri të pastër” ministri Klosi ftoi qytetarët që të bashkohen në përpjekjet institucionale për tē ndërtuar mbi tē gjitha, kulturën e mirëmbajtjes së pasurisë së përbashkët, mjedisin.

Ky është edicioni i pestë i Festivalit të Filmit Mjedisor të Shqipërisë që mbahet në datat 24-28 tetor 2017 dhe ka për qëllim ndërgjegjësimin e komunitetit ndaj mjedisit. Këtë vit marrin pjesë artistë nga Shqipëria dhe 30 vende të tjera të botës me 58 filma mjedisorë të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë. Filmat do të projektohen në 14 vende të ndryshme duke shtrirë projeksionet e tyre në zona të mbrojtura si: Parqet Kombëtare të Shebenikut, Llogarasë dhe Divjakës në qytetet Përmet, Korçë, Durrës dhe Peshkopi si edhe në Qendrat e BE-së në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë. Krahas projeksioneve të filmave gjatë ditëve të festivalit do të organizohen edhe diskutime mbi filmat në universitete shqiptare si dhe do të mbahet Forumi: “EFFA dhe kuadri mjedisor në Shqipëri” Në fund të festivalit do të vlerësohen sipas kategorive edhe fituesit e këtij edicioni.


Deklarata e plotë e Ministrit Klosi
Jam i kënaqur që jemi këtu për të ndjekur një produkt që padyshim vjen nga grup shumë i lavdëduar dhe shumë i cilësuar i shoqërisë civile, një grup shumë i madh vullnetarësh të cilët përditë ballafaqohen me të papriturat e të gjitha problematikave që ka mjedisi në vendin tonë, problematika që vijnë në një gamë të gjerë, problematika që vijnë në çdo cep të Shqipërisë problematika të cilat vijnë në çdo tryezë dhe ne kemi shumë kënaqësi këtu për të qenë pjesë e këtij diskutimi intelektual, për të ndjekur gjatë gjithë kësaj jave një sërë aktivitetesh të cilat në fund të fundit kanë një qëllim të përbashkët; qëllimin e bashkërendimit të aktiviteteve tona për t’i çuar gjithë realitetit shqiptar një mesazh fare të qartë që për ne tashmë është mesazh i cili na drejton çdo ditë në funksionimin e institucionit tonë. Mjedisi është një pasuri e jona e përbashkët që nuk mund të trajtohet si pasuria e askujt. Ne duam shumë që t’ju kemi në krah, në një përpjekje të madhe që duam të zhvillojmë në harkun kohor të këtyre 300 ditëve për të hapur sezonin turistik me një Shqipëri më të pastër. Duam shumë që të jemi së bashku në një aktivitet mbarëkombëtar dhe në çdo ditë të gjejmë nga një mundësi që të punojmë për një Shqipëri më të pastër, një mjedis më të ruajtur, një Shqipëri e cila punon dhe mendon afatgjatë, një Shqipëri e cila kërkon të zhvillohet dhe zhvillimi turistik është shumë i pëlqyer dhe shumë i promovuar nga Ministria që unë drejtoj dhe së bashku me këtë zhvillim turistik ne duhet me shumë forcë që të mendojmë për turizmin, të mbrojmë pasuritë tona kombëtare dhe t’i japim e të promovojmë një ambjent pastërtisht të qëndrueshëm. E them këtë sepse kemi shumë nevojë që të diskutojmë për shumë aspekte se ç’do të thotë Shqipëri e pastër pasi është një betejë e jona të bëjmë një pastrim kombëtar edhe të përpiqemi që të pastrojmë grumbujt e mëdha të plehrave, të pastrojmë grykëderdhjet e lumenjve, të pastrojmë plazhet, pastrojmë ambjentet që na rrethojnë. Dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Por a mjafton kjo ? Padyshim që jo. Do të donim shumë që të kishim mundësinë që së bashku me ju të diskutojmë për ndotësit e mëdhenj që ka sot realiteti shqiptar. A kemi ne një mjedis të pastër në tokë, në det, në ujë dhe në ajër? Unë mendoj që ne kemi shumë për të punuar së bashku. A kemi nevojë për të pastruar grumbujt e mbeturinave? Ky është një aspekt, por na duhet të mendojmë se kush i prodhon këto grumbuj mbeturinash, çfarë politikash të tjera duhet të ndjekim ne për ndotësit e mëdhenj që në bashkitë apo njësitë administrative që i hedhin aty – këtu mbetjet në mënyrë të pakontrolluar. Kush janë prodhuesit e tjerë të mbetjeve në Shqipëri? Dhe këtë duhet ta ndajmë së bashku. Të gjejmë mekanizma sesi të pastrojmë ajrin. A mjafton që të kemi vetëm konferenca dhe bisedime sesi pastrohet ajri në Shqipëri? Apo të ndjekim gjithsecili ato matësit e pastrimit të ajrit dhe nga ato të bëjmë politikat? Unë mendoj që ka ardhur koha që së bashku të pastrojmë kapituj të tërë. Kush janë ndotësit e ajrit në Shqipëri? Duhet të rishikojmë gjithë filozofinë e guroreve për shembull të cilat ndotin në mënyrë të paimagjinueshme ambjente dhe qytete të tëra. Po, biznesi i guroreve është i nevojshëm që industria të zhvillohet por ky biznes zhvillohet mbi disa rregulla. A ka ardhur koha që të mendojmë se çfarë do të bëhet me mjedisin me gjithë sistemin e garazhdit natyror që ne kemi në Shqipëri. Ne patëm realisht një takim me përfaqësues të këtij komuniteti për një numër shumë të madh të makinave që janë në fund të jetës dhe janë kthyer në mbetje. Duhet të bisedojmë së bashku për të ndërtuar një hartë se ku i kemi këto varreza të makinave që ndosin në mënyrë të paimagjinueshme ambjentin dhe cënojnë cilësinë e jetës. E kështu me radhë ne kemi përcaktuar një set me kapituj të veçantë të realitetit tonë të përbashkët dhe do të donim shumë që kontributi intelektual i botës akademike, i shoqërisë civile, i njerëzve që e shikojmë mjedisin si një gjë të shenjtë të bashkohet në përpjekjet tona institucionale që ky aksion që ne kemi ndërmarrë të mos jetë vetëm një aksion qoftë edhe 300 ditor. Ne duam shumë që së bashku me ju të punojmë në dy aspekte shumë të rëndësishme; e para forcimi i penaliteteve për ata që kryejnë krim mjedisor dhe duhet të kuptojnë që si për çdo krim tjetër janë nën presionin e shoqërisë dhe nën gjykimin e ligjit. Ai që ndot mjedisin ndot pasurinë tonë të përbashkët, bën një krim mjedisor dhe ai duhet të dënohet. Dhe aspekti tjetër që po ashtu doja të ndaja me ju është edukimi. Çfarë duhet të bëjmë ne që të kemi një edukim më masiv për një mjedis më të pastër, të kemi mundësi të fusim në kurrikulat e shkollave të të gjitha niveleve jo vetëm shpjegimin teorik të mjedisit, por edhe aksione praktike për pastrimin dhe edukimin afatgjatë të një shoqërie që do të mbajë një Shqipëri të pastër. Prandaj duke mbyllur fjalën time dua t’ju bëj me dije atë që kam thënë në çdo dalje publike që kam pasur si Ministër i Turizmit dhe i Mjedisit se zyra e ministrit dhe çdo zyrë e institucioneve që merren me mjedisin në këtë fazë të përgatitjes së aksionit mbarëkombëtar për një Shqipëri të pastër dhe në çdo fazë tjetër janë të hapura. Ne e kemi shumë të nevojshme që të dëgjojmë opinionet tuaja nga çdo këndvështrim që ato vijnë sado kritike që ato të jenë dhe është shumë mirë që të jenë kritike, sepse kjo është një e mirë e demokracisë sonë sado e brishtë që ajo të jetë.