Ministri i Transportit, Dervishaj: Nëse reforma zbatohet me sukses në terren nuk ka arsye pse të rritet çmimi i ujit

532
Sigal

Ministri
i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj, ka marrë pjesë në
aktivitetin e organizuar nga Enti Rregullator i Ujit, ku u paraqit raporti i
performancës së ujësjellësve për vitin 2015.

Ministri Dervishaj tha se duke
filluar nga muaji nëntor, fillon faza e dytë e reformës së Ujit, që parashikon
implementimin në terren.

Një element i rëndësishëm në fazën e
dytë, ministri Dervishaj tha se do jetë firmosja e kontratave të performancës
me gjithë ujësjellësit e vendit, duke i hapur rrugë elementëve të tjerë që
lidhen me strukturimin, ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, apo kualifikimin
e stafeve.

Dervishaj u ndal edhe te
problematika e subvencionimit, duke theksuar se Qeveria do të vazhdojë këtë
skemë edhe për 5 vitet e ardhshme, por bazuar në performancën e shoqërive.

Në lidhje me shqetësimin e disa
kryetarëve bashkish për borxhin e akumuluar ndër vite, Dervishaj tha se qeveria
është duke punuar për një model që jep zgjidhje përfundimtare, ndërkohë është
parashikuar falja e një pjese.

I pyetur për propozimin e “ERRU”,
për rritjen e çmimit të ujit, Dervishaj tha se nuk është Ministria që vendos,
por duhet të zbatohet një politikë e kujdesshme.

“Nëse
reforma zbatohet me sukses në terren, duke u fokusuar te ulja e humbjeve në
rrjet, nuk shikoj arsye pse të ketë rritje të çmimit. Qytetarët nuk duhet të
vuajnë pasojat e keqmenaxhimit të ujësjellësve”, tha Dervishaj.