Ministri i Jashtëm hungarez: Partia Demokratike si në qeveri edhe në opozite e përkushtuar në rrugën e integrimit europian

471
Sigal

Kryetari i Partisë
Demokratike, Lulzim Basha pret  Ministrin
e Jashtëm të Hungarisë, Péter Szijjártó

Kryetari i Partisë
Demokratike Lulzim Basha priti sot në një takim Ministrin e Jashtëm të
Hungarisë, Péter Szijjártó.

Z.Basha vlerësoi
mbështetjen e Hungarisë në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, dhe e
siguroi z. Szijjártó, se Partia Demokratike sic ka qënë e përkushtuar në
qeverisje, edhe sot në opozitë mbështet fuqimisht procesin e integrimit
europian të vendit.

Pas takimit, z.Basha
dhe z. Szijjártó, patën një prononcim për mediat.

Ministri i Jashtëm
Hungarez, Peter Szijjarto u shpreh se:

“Para së gjithash ishte
e qartë që unë vizitova Partinë Demokratike sepse nuk flas vetëm në pozicionin
e diplomatit, por edhe atë të politikanit, që kur kam qënë i përfshirë në
partinë politike hungareze të qendrës së djathtës FIDESZ, prej shumë kohësh,
është e kuptueshme për mua që të vizitoja partinë simotër gjithashtu. Jam shumë
i lumtur me çka dëgjova këtu. Partia Demokratike është e përkushtuar ne rrugën
e integrimit europian të Shqipërisë të cilën ne e kemi mbështetur. Hungaria ka
qënë gjithnjë një mike e vërtetë e Shqipërisë dhe Hungaria është një  promovuese e përkushtuar e integrimit
euro-atlantik të Shqipërisë. Më duhet t’u them që në këto vite ne kemi punuar
së bashku me Partinë Demokratike të Shqipërisë, si në opozitë ashtu edhe në
qeverisje, në lidhje me këto çështje. Jemi shumë të lumtur që këto çështje
bashkojnë vendin, ku si qeveria ashtu edhe opozita janë në mbështetje të
integrimit euro-atlantik. Për ne si fqinj është e qartë se rruga më e mirë
është sigurimi i stabilitetit të qendrueshëm, paqes dhe rritjes së qendrueshme
ekonomike në rrugën e integrimit për Ballkanin Perëndimor. Sigurisht që unë
uroj sa më shumë suksese për partinë tonë simotër në zgjedhjet e ardhshme
parlamentare vitin e ardhshëm”.

Z. Basha u shpreh se:

“Me Ministrin e Jashtëm
hungarez z.Peter Szijjarto ndava vlerësimin maksimal për rolin e Hungarisë dhe
mbështetjen e madhe nga kryeministri Orban për integrimin europian dhe
euroatlantik të Shqipërisë. I kërkova në emër të opozitës shqiptare, ministrit
të Jashtëm hungarez, por edhe në emër të PD-partisë tonë simotër FIDESZ në
Hungari, të vazhdojë të mbështesë me të gjitha format dhe mënyrat integrimin
europian të Shqipërisë, e në veçanti procesin e hapjes së negociatave.

Padyshim diskutuam për
sfidat dramatike me të cilat përballet Shqipëria dhe nga ana e tij mu kërkua që
opozita dhe së bashku shqiptarët të bëjnë gjithçka për të luftuar për
përmbushjen e kritereve, jo vetëm pesë kritereve të Komisionit Europian, por
edhe kritereve të Kopenhages, në veçanti sa i përket zgjedhjeve të lira dhe të
ndershme dhe luftës ndaj krimit të organizuar. 

E sigurova se Partia
Demokratike dhe opozita do të vazhdojnë me të gjitha format dhe  mënyrat betejën për zgjedhje të lira dhe të
ndershme, dhe kundër krimit në politikë, ndarjen e politikës nga krimi, luftën
kundër drogës dhe zbatimin e pesë kritereve, jo vetem për të përshpejtuar
integrimin europian të Shqipërisë, por edhe si interesi esencial për Shqipërinë
dhe shqiptarët”, tha Basha.