MInistri i Jashtëm Edmond Panariti: Marrëveshja e ujërave është e ndarë nga projekti TAP. AK: Kufijtë janë të paprekshëm

442
Sigal

Marrëveshja e TAP-it, Italia, Greqia dhe Shqipëria, marrëveshja detare brenda tre muajve

 

Italia, Greqia dhe Shqipëria duhet të mbyllin në tre muajt e ardhshëm marrëveshjet respektive për gazsjellësin TAP, kohë brenda së cilës duhet të zgjidhet edhe çështja e mbetur pezull e marrëveshjes së ujërave mes Tiranës e Athinës.
Mediat greke theksojnë se marrëveshja për delimitimin e kufirit detar me Greqinë mund të kthehet në një pengesë serioze për avancimin e bisedimeve dypalëshe lidhur me projektin e gazsjellësit TAP. Sipas tyre një investim i përmasave të tilla mund të kthehej në një shans të mirë që dy vendet që të përmbyllin në kohë marrëveshjen për kufirin detar dhe atë për zonën ekskluzive ekonomike në detin Jon. Ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Italisë, Dimitris Avramopulos dhe Xhulio Terci u takuan javën e kaluar në Romë dhe shprehën vullnetin për nënshkrimin e marrëveshjes lidhur me gazsjellësin TAP, një projekt tejet i rëndësishëm për hartën energjetike të Ballkanit dhe Europës. Mediat greke raportojnë se delegacionet e tri vendeve mund të takohen në tetor në Tiranë për të diskutuar lidhur me modalitetet për nënshkrimin e një marrëveshje trepalëshe, që do t’i hapte rrugë projektit TAP dhe do të përçonte një mesazh të fortë në Azerbajxhan. Sipas tyre mbështetja politike që Tirana, Roma dhe Athina do të tregojnë ndaj këtij projekti të madh energjetik do të jetë vendimtar për të ardhmen e tij. Brenda vitit 2013 konsorciumi që menaxhon rezervat e gazit në Sha Deniz do të vendosë përfundimisht për projektin fitues që do të sjellë gazin në Europë.

 MInistri i Jashtëm Edmond Panariti: Marrëveshja e ujërave është e ndarë nga projekti

Ministri i Jashtëm Edmond Panariti, në një konferencë për mediat, në prag të vizitës së tij në Greqi, deklaron se nuk ka asnjë lidhje mes projektit të gazsjellësit transadriatik TAP dhe marrëveshjes së ujërave me Greqinë. Panariti u shpreh se këto janë dy projekte të ndara dhe Greqia nuk kushtëzon realizimin e njërës me tjetrën. “Jam i njohur me interpretimin që i kanë bërë mediat projektit TAP. Dua të them që nuk ka varësi mes këtij projekti dhe marrëveshjes së ujërave. Progresi i njërës nuk do kushtëzohet nga regresi i tjetrës, prej palës greke”, tha ai. Panariti shtoi se ka marrë mbështetjen e pakushtëzuar të homologut italian dhe atij grek. “Është e rëndësishme që të tre vendet të nënshkruajnë një marrëveshje për këtë projekt, është e domosdoshme dhe kjo do arrihet. Jemi në rrugë të mbarë”, tha ai. Panariti sqaroi se, “ Marrëveshja e ujërave është çështje e ndarë nga projekti TAP, do adresohet në momentin e duhur, vendimi i Gjykatës Kushtetuese do jetë pikë referuese. Në bazë të tij do shohim si do avancojmë”. Ndërsa vizitën e tij në Greqi, kryediplomati e cilësoi si një vizitë normale në kuadër të vizitave që ai ka ndërmarrë në rajon.

 AK: Vendimi i Kushtetueses nuk mund të ankimohet, në të kundërt protesta

 Aleanca Kuqezi ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Jashtëm Panariti, ku u bë e ditur se vendimi i Gjykatës për kufijtë mund të rinegociohet. AK-ja thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i pankimueshëm. “Nuk e kuptojmë se mbi cilat baza Ministri i Jashtëm Edmond Panariti deklaron se marrëveshja e demilitimit të kufijve detare mes Shqipërisë dhe Greqisë po ri-negociohet. Aleanca KuqeZi i rikujton Z.Panariti që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i shenjtë për mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë dhe ligjërisht është i pa ankimueshëm dhe ndryshueshëm mbi bazat e interesit të Athinës zyrtare”. Në rast ministrit e rinegocion marrëveshjen, për AK-në kjo nuk është gjë tjetër, veçse një tradhti. “Për Aleancën KuqeZi çdo rinegociim i marrëveshjes detare me Greqinë është akti tradhtie mbi interesat e kombit shqiptarë dhe Republikës së Shqipërisë. Bëri mirë ministri i Jashtëm që na informoi pas muajsh heshtjeje, që grupet e punës po punojnë për riformulimin e marrëveshjes, e cila mesa duket deri në shtator, kur Panariti do të takojë Avramopullos, do të jetë gati, e hartuar dhe përpiluar sipas interesave të Athinës zyrtare. Aleanca KuqeZi ka dënuar dhe dënon me forcë çdo mundësi për plotësimin e tekave dhe haraçit të Athinës kokëfortë, e cila është mësuar ti vërë kushte fqinjëve të saj duke marrë peng projekte evropiane dhe rajonale”. Sipas AK-së, në rast se qeveritë vendosin për të rinegociuar kufijtë, populli do të shpërthejë në protesta masive. “I rikujtojmë Ministrit të Jashtëm Panariti, që të mos tentojë, as më mbështetjen e Sali Berishës dhe Antonio Samaras që të prekë dhe ndryshojë kufijtë e Republikës së Shqipërisë, pasi do të përballen me protesta masive të cilat ne epiqendër të tyre do të kenë ndëshkimin e tradhtarëve të kombit shqiptar”.