Ministri i Financave Ahmetaj: Në 2018 kemi rritjen më e lartë ekonomike në 8 vite

498
Sigal

Ekonomia shqiptare vijon të jetë në trend pozitiv. Këtë e ka pohuar vetë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, i cili, duke marrë në shqyrtim 6 muajt e parë të vitit 2018, shifrat tregojnë se rritja ekonomike është më e larta në 8 vitet e fundit. “Pas rritjes me 4.45% në tremujorin e parë 2018, edhe tremujori i dytë konfirmoi vazhdimin e trendit të qëndrueshëm pozitiv të ekonomisë shqiptare, me rritjen në nivelin 4.32%, ose mbi parashikimin tonë vjetor. E llogaritur si 6-mujor, kjo është rritja më e lartë në 8 vitet e fundit! Konsumi, vijon gjithashtu ecurinë pozitive duke shënuar rritje për 12 tremujorë radhazi”, shkruan Ahmetaj. “Dhe për ata që do dalin sërish të përçartin për rënie ekonomike, mbyllje biznesesh dhe varfërim të qytetarëve, ja ku është përgjigjja. Emocionet politike nuk i zhbëjnë dot reformat, as zhvillimin ekonomik, as punën e përditshme në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe bizneseve. Së shpejti me buxhetin dhe paketën fiskale 2019, të tjera lajme të mira dhe lehtësi të rëndësishme për të prezantuar!”, – thekson ministri, i cili tregon rritjen përmes grafikëve të mëposhtëm.