Ministri i Energjisë, “kurban” për 4 HEC-et e Kurum

444
Kallëzohen penalisht ish-ministri i Energjitikës Florjon Mima dhe ish- zëvendësministri Eno Bozdo, pas auditit lidhur me rregullshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të shitjes së aksioneve të “HEC Ulëz-Shkopetit” dhe “HEC Bistrica 1 e Bristrica 2” tek shoqëria “Kurum International” sha.

Akuza penale ndaj ish-ministrave që shitën 4 HEC

Nga auditimi është evidentuar se ish titullarët e Ministrisë Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Ministri Florjon Mima dhe Zv. Ministri Enno Bozdo kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës çka i ka shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm 3.4 milion euro. Kjo shumë vjen nga mos rregullimi i çmimit të shitjes me elementët e përcaktuar në formulën e llogaritjes së vlerës neto të aktiveve në përfundim (parashikuar në shtojcën 4, pjesa 3 e marrëveshjes), të cilat janë si më poshtë: Fitimi i vitit 2012 në shumën 1,267,867.94 Euro; investime të kryera në vitin 2012- 2013 në shumën 605,130.98 Euro dhe fitimi deri në 31.05.2013 në shumën rreth 1,540,000.00 Euro. Transferimi i aksioneve me urdhër të ish-ministrit-Midis ish-METE, përfaqësuar respektivisht nga ish-Ministri Z.Florjon Mima dhe ish- Zv.Ministri Z. Enno Bozdo janë nënshkruar deklaratat e përfundimit lidhur me marrëveshjet e shitjes për këto HEC-e ndërsa me urdhrat e ish-Ministrit është bërë transferimi i aksioneve të HEC-eve. Dëmi rreth 3.4 mln euro. Nga përllogaritjet e kryera nga auditimi, përveç parregullsive në procedurë, rezulton se blerësi duhet të paguante vlerën e rregullimit prej rreth 3.4 milion Euro për HEC Ulëz-Shkopet, shumë e cila përbën dëm ekonomik për interesat e shtetit dhe përfitim të padrejtë për blerësin. Deklarata e përfundimit të shitjes për këtë HEC është nënshkruar nga ish- zv. Ministri Enno Bozdo. Për HEC Bistrica 1 dhe 2 nuk rezulton të ketë vlerë rregullimi në çmimin e shitjes. 
Ja favoret që i bëri qeveria “Kurumit” me pajë 3,4 milionë euro

Ish-titullarët e METE kanë bërë që këto marrëveshje të mos finalizohen për veprimet e mëposhtme:
– Ish-organet drejtuese të shoqërive që janë privatizuar, pas datës së përfundimit, nuk kanë përgatitur Draft Bilancet e Përfundimit dhe Draft Vlerën Neto të Aktiveve të Përfundimit, sipas parashikimeve të Shtojcës 4, Pjesa1, pika 2 të Marrëveshjeve respektive.
–Blerësi nuk ka përmbushur detyrimet sipas parashikimeve të Shtojcës 4, Pjesa 1, pika 2 të Marrëveshjeve për njoftimin me shkrim të shitësit të Draft Bilanceve të Përfundimit për periudhat që përfundojnë në fund-muajin më të afërt me Datën e Përfundimit; njoftimin e Draft Vlerës Neto të Aktiveve të Përfundimit si dhe Vlerën e Rregullimit të propozuar dhe të propozimit për pasojë, të Rritjes së Çmimit të Shitjes ose të Zvogëlimit të Çmimit të Shitjes, nëse ka. Këto mos përmbushje kanë sjellë për pasojë moskryerjen e veprimeve të mëtejshme të parashikuara në nenin 4 dhe Shtojcën 4 (pjesa 3 dhe pjesa 4) të Marrëveshjeve për “rregullimin e çmimit të shitjes”.
–Nuk janë bërë përllogaritjet për dividentet dhe shpërndarjet e deklaruara, që i takojnë shitësit, për periudhat përpara Datës së Përfundimit, sipas përcaktimeve në nenin 3 të Marrëveshjeve. Llogaritja e dividentit për fund vitin 2012 për HEC Ulëz–Shkopet është bërë jo në përputhje me kushtet e marrëveshjes dhe nuk ka gjetur ende zbatim për arkëtim.
–Nuk janë finalizuar rregullimet për pasaktësitë e konstatuara nga drejtuesit e shoqërive lidhur me pronat e përfshira në anekset e marrëveshjeve të shitblerjes së aksioneve të dy shoqërive.
– Nuk janë bërë përllogaritjet për investimet e kryera nga KESH-sha për llogari te HEC Ulëz-Shkopet. Investimet kanë përfunduar në muajin maj 2013 ( në kohën kur është përpiluar deklarata e përfundimit) dhe ato ende figurojnë dhe mbahen si investime në proces në bilancin financiar të konsoliduar të KESh-sha. Vlera e investimeve është në shumën 85,396,083 lekë. 
Konstatimi i KLSH në muajin qershor 2015
Këtë konstatim e ka evidentuar edhe KLSH në auditimin e tij të kryer në KESh-sha në muajin Qershor 2015. Provohet se të kallëzuarit Florjon Mima dhe Enno Bozdo, duke qënë personat që ushtronin funksionet më të larta publike në ish METE, me veprime aktive dhe mosveprime, kanë synuar dhe realizuar ardhjen e pasojave të kundraligjshme, që janë mos finalizimi i marrëveshjeve në të gjithë elementet e parashikuar në to, e sidomos ajo e çmimit të shitjes, duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshme të shtetit si dhe kanë lejuar përfitime të padrejta për blerësin. Në këto kushte, në përmbushje të detyrimit ligjor të parashikuar nga neni 281 i Kodit të Procedurës Penale,u kërkua nga organi i akuzës regjistrimin e procedimit penal ndaj shtetasve Florjon Mima dhe Enno Bozdo, për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal.
Sigal