Ministri i Drejtësisë, Naço i propozon KLD-së “Shkarkim nga detyra”, për gjyqtarët Ken Dhima dhe Klorinda Çela

461
Sigal

Ministri i Drejtësisë, në mbështetje të nenit 34 të Ligjit nr.9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të nenit 31 të Ligjit nr.8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar, paraqet për shqyrtim kërkesën për procedimin disiplinor të gjyqtarit pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, Ken Dhima, dhe gjyqtares pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Klorinda Çela.

 Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave me shkresën nr.1345 prot., datë 24.03.2014 drejtuar Ministrit të Drejtësisë, vërente se pas kontrollit të plotë të deklarimeve të interesave private të subjektit Ken Dhima dhe Klorinda Çela ishin konstatuar parregullsi.

 Në përfundim të kontrollit dhe hetimit administrativ të deklaratave të interesave private të subjekteve Ken Dhima dhe Klorinda Çela, bazuar në rezultatet e veprimeve verifikuese të kryera mbi deklarimet e tyre të interesave private nga viti 2004 deri më 2011, administrimit të provave dhe deklarimeve të bëra nga subjektet në proces-verbalin e pyetjes, është arritur në përfundimin se subjektet kanë bërë deklarim të rremë, kanë fshehur pasurinë, nuk kanë deklaruar likuiditetet dhe transaksionet bankare, interesat e tyre private dhe burimet e krijimit të tyre.

 Nga ana e strukturave përgjegjëse të Ministrisë së Drejtësisë, pas analizës së pretendimeve të parashtruara në observacionin e gjyqtarëve, në raport me parregullsitë e konstatuara nga ILDKPKI në deklarimin e interesave privatë të tij, vlerësohet se pretendimet e parashtruara nga gjyqtarët Ken Dhima dhe Klorinda Çela nuk qëndrojnë.

 Sa më sipër, konkludohet se, veprimet e kryera nga gjyqtari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, Ken Dhima dhe dhe gjyqtarja pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Klorinda Çela janë shkelje shumë të rënda të disiplinës të parashikuara nga neni 32, pika 2, shkronja “ç” të Ligjit Nr.9877, datë 18.02.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në të cilin parashikohet se:

 “Janë shkelje shumë të rënda aktet dhe sjelljet që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit si më poshtë:

ç) refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive.”

Përfundimisht, nga vlerësimi fakteve Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, i propozon KLD-së, që gjyqtarët Ken Dhima dhe Klorinda Çela t’i nënshtrohen përgjegjësisë disiplinore me masën “Shkarkim nga detyra”.