Ministri Halimi prezanton Drejtorin e AKKP, z. Avenir Peka

544
Sigal

Halimi: “Nis zbatimin  Strategjia e Pronës, së shpejti  regjistër elektronik për vendimet e AKKP-së  si dhe hartë të re për vlerën e tokës”

Ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi prezantoi dje  Drejtorin e Përgjithshëm  të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, z. Avenir Peka. Në fjalën e mbajtur me këtë rast Ministri Halimi, pasi i uroi z. Peka suksese në këtë detyrë, theksoi se,  qershori i vitit 2013 është afati i vendosur  për  përfundimin  edhe shqyrtimi e dosjeve të dorëzuara  në AKKP.  Ministri Halimi  deklaroi me këtë rast se, në qershor të vitit të ardhshëm do të nisë kompensimi fizik i pronarëve, ndërsa shtoi se së shpejti do të krijohet edhe regjistri elektronik për të dhënat e pronave. “Të të gjithë vendimeve të komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave të dalë nga viti 1993, deri ne ditën e sotme, regjistër që do të adoptohet me të gjithë vendimet e gjykatave që kanë ndryshuar vendimet e Komisionit të Kthimit të Pronave. Ky regjistër elektronik do të bëhet publik”,- theksoi Halimi. Në deklarimin e tij Ministri Halimi theksoi se, Ministria e Drejtësisë së bashku me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Shoqatat e ish- Pronarëve dhe ekspertët  e huaj që asistojnë MD do të hartojë   brenda muajit  hartën e re të vlerës së tokës e cila do të plotësojë kuadrin ligjor për t’i dhënë rrugë kompensimit dhe kthimit të pronave. “Harta e re e vlerës, do të jetë në përputhje të plotë me çmimet e tregut. Miratimi i kësaj harte, vlerë do bëhet brenda  javëve që janë në vijim për 10 qarqet e para, për të vazhduar më pas edhe me qarqet e tjera duke përfshirë edhe kategori të ndryshme të sipërfaqeve të pronave dhe të natyrës së pronave që do të plotësojnë të gjithë kuadrin e nevojshëm ligjor për t’i hapur rrugë fillimit të kompensimit fizik për pronarët. Vitin e ardhshëm do nisë kompensimi fizik”,- theksoi Halimi.  Z. Avenir Peka  zëvendëson në këtë post z. Elvis Çefa, pas votimit të këtij të fundit si nënkryetar i KLD-së.  Z. Peka  ka mbajtur funksione të rëndësishme në administratën e qeverisë “Berisha”, si Avokat  Shteti pranë Avokaturës së Përgjithshme, këshilltar i Kryeministrit Berisha.   Z. Peka që prej vitit 2009 e deri me sot  mbajti  detyrën e zëvendësministrit në  Ministrinë e Brendshme. Z. Peka e merr detyrën në një kohë ku sapo është miratuar edhe Strategjia e Pronës dhe përpjekjet e tij kryesore do të përqendrohen  në implementimin e saj.