Ministri Gjiknuri të japë dorëheqjen

499
Dje paradite në fshatin Marinzë të Fierit shpërtheu fillimisht, një pus nafte i kompanisë kanadeze “Bankers Petrolium”. Shpërthimi ndodhi teksa kompania po kryente punime për shpimin e një pusi të ri. Në sipërfaqe të tokës filloi të dilte ujë i përzier me argjilë, ndërsa u ngritën në lartësi 100 metra dy fontana gazi. Më vonë, nga çarjet e shumta të tokës, filluan të rridhnin gazra të përziera me ujë e argjilë. Banorët u ndodhën në rrezik për jetën, pasi gazrat që shpërthyen janë helmues, por rreziku më i madh ishte mundësia e shpërthimit të zjarreve nga gazrat që çliroheshin në sipërfaqe. Të tmerruar dhe në panik, banorët braktisën shtëpitë, nxënësit u larguan nga shkollat, ndërkohë që ndotja mjedisore dhe ekologjike nga gazrat dhe ujërat e argjilë mbuluan sipërfaqe të tëra, duke mbërritur deri në derën e çdo shtëpie banimi. 
Kronologjia
Ora 09:12 Ujërat nëntokësore futen në banesa
Ujërat nëntokësorë u shpërndanë rreth 200 metra larg pusit duke hyrë në banesa dhe tokat bujqësore. Ndërpritet mësimi në shkollën e fshatit. Po ashtu është ndërprerë edhe mësimi në shkollën e fshatit Marinzë, e cila ndodhet shumë pranë zonës së shpërthimit. Bllokohet rruga Marinzë-Fier
Nga shpërthimi i fuqishëm është bllokuar edhe rruga që lidh fshatin Marinzë drejt Fierit.
Ora 12:50 Inspektorati i Mjedisit pezullon aktivitetit të “Bankers Petroleum” 
Historiku i masakrës ekologjike në zonat naftëshfrytëzuese nga “Bankers Petroleum”
Ka më shumë se 3 vjet që kompania kanadeze “Bankers Petrolium” përdor në zonën naftështrytëzuese të Marinzës, por edhe në zona të tjera, metoda të shpërthimeve nëntokësore, për të rritur presionin e gazrave dhe të naftës, me qëllim që të rritë prodhimin e naftës. Mirëpo këto shpërthime të nëndheshme nëntokësore, me fuqinë sizmike të tërmeteve, kanë shkaktuar dëme të mëdha në banesat e popullsisë. Madje banorët shumë herë janë ngritur në protesta të fuqishme dhe kanë kërkuar që kompania kanadeze të ndërpresë shpërthimet dhe të paguajë dëmet. Askush, nga qeveria, nga prokuroria nuk ka reaguar të ndihmojë banorët, përkundrazi, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, qeveritarët dhe prokuroria kanë favorizuar kompaninë kanadeze. 
Reagimi
Damian Gjiknuri, ministri i Energjetikes: Gazi nuk është helmues, e pamundur që “Bankers Petroleum të ndërpresë punën”
Ministri Gjiknuri, edhe u ndodh në katastrofën ekologjike dhe masakrën e pasurisë të banorëve nga shpërthimi i puseve të kompanisë “Bankers Petroleum”, u mundua që të fshehë të vërtetën e përgjegjësive penale të kësaj kompanie, duke thënë se “gazi i rrjedhur nuk është helmues, nuk është nga ato gazra që mund të shkaktojnë shpërthime. Nuk mundet të detyrohet kompania naftënxjerrëse BANKERS PETROLEUM të ndërpresë punën, pasi nafta ka veçori dhe është humbje e mijëra e qindra mijërave euro nëse do të pengohej puna e saj. Ajo vepron në përputhje të plotë me legjislacionin e vendit në fushën përkatëse.”.
Ministria e Mjedisit: Pezullimi i aktivitetit të kompanisë Bankers Petroleum
Sipas kreut të inspektoratit të mjedisit Ergys Agasi, me Urdhër të Ministrit të Mjedisit, i është kërkuar kompanisë Bankers Petroleum Albania. Lidhur me shkeljet e konstatuara, ndaj Kompanisë “Bankers Petroleum”, nga ana e Inspektoratit të Mjedisit në datën 31.10.2014 u mor masa administrative e dënimit kryesor me gjobë në vlerën 5.000.000 lekë dhe dënimi plotësues i pezullimit të shkarkimit të ujërave nga të gjitha gropat ekologjike, si edhe:
– Pezullimi i aktiviteteve të kompanisë deri në paraqitjen e planit të menaxhimit të mbetjeve.
– Hartimi i Planit të Përputhshmërisë sipas përcaktimeve të shtojcës 10 të ligjit nr. 10448 datë 14.07.2011 për lejet në mjedis, e ndryshuar.
– Rivlerësimin e raporteve të ndikimit në mjedis dhe rishikimin e kushteve të lejeve Mjedisore.
– Hartimi i një plani monitorimi të detajuar si pjesë e lejes Mjedisore dhe instrumenteve të inspektimit mjedisor.
– Kompania në përputhje me planin e menaxhimit duhet të fillojë hartimin e planit të masave për trajtimin e mbetjeve që gjenerohen nga aktiviteti, të depozituara në gropat ekologjike.
– Menaxhimi i mbetjeve të të gjitha llojeve duhet të bëhet në përputhje me kuadrin e ri ligjor të mbetjeve.
Ministria e Mjedisit ka filluar inspektimin e ndotjes së mjedisit nga “Bankers Petroleum” vetëm në 2014. Mirëpo tani është koha që ministria e Mjedisit të tregojë që vendimet e saj t’i zbatojë, të pezullojë përfundimisht veprimtarinë barbare të nxjerrjes së naftës nga kjo kompani, pasi shkakton katastrofë ekologjike dhe të mos mjaftohet me gjoba qesharake të 5 milionë lekëve, kur, ndërkohë fitimi është miliarda dollarë. Nëse ministria e Mjedisit nuk e pezullon përfundimisht “Bankers Petroleum”, atëherë qartazi tregon që edhe kjo ministri bën lojërat e kësaj kompanie. 
Prof. Dr. Dëfrim Shkupi: Shpërthimi i puseve është pasojë e plasjeve të nëndheshme që bën “Bankers Petroleum “. Të ndiqet kompania, s’ka zgjidhje tjetër. 
– Prof. Shkupi, çfarë janë ato shpërthime që ndodhën në Marinzë, dhe përse ndodhën?
– I gjithë territori ku bëhet shfrytëzimi i naftës dhe gazit ka në vetvete fenomenin e ashtuquajtur “zona me rrezik gjeologjik”, që janë zona të klasifikuara si të tilla, sepse janë ndodhi që ndodhin në të gjitha zonat naftëshfrytëzuese. Problemi shqetësues i shfrytëzimit të këtyre zonave naftëmbajtëse nga kompania kanadeze “Bankers Petroleum Albania”, sepse kjo kompani, për rritjen e prodhimit, ata bëjnë injektimin, bëjnë ato plasjet e nëndheshme, që dihen, për të rritur presionin e për të nxitur naftën të dalë në sipërfaqe. Ndoshta e djeshme është pikërisht pasojë e këtyre plasjeve të nëndheshme, që përdorin kanadezët për shfrytëzimin e naftës, sepse nuk ka kuptim gjithë ky presion i madh që pamë. Gazi nuk shpërtheu vetëm nga pusi, por edhe nga të çarat e tokës dhe gjatë gjithë territorit. Konkretisht, ajo zonë naftëshfrytëzuese faktikisht, ka shumë çarje, thyerje, të cilat nga shpërthimet, nga presioni i madh gazrat e kanë gjetur “rrugën” për në sipërfaqe.
– Kush janë përgjegjësit?
– Gabimi është që këto zona naftëshfrytëzuese, që në gjithë botën quhen zona industriale, këtu nuk duhet të lejohet absolutisht zhvillimi urban. Duhet të zgjidhet problem. Në zonat ku ka shpime dhe shfrytëzim nafte, ato duhen evakuuar banorët. Vetë kompania kanadeze “Bankers Petroleum Albania”, që ka fitime miliarda dollarë, duhet të japë fonde përkatëse për banorëve t’u ndërtohen shtëpitë. Faji është edhe i zyrtarëve tanë, i qeveritarëve, që nuk dinë të marrin masat. Rreziku i shpërthimeve të gazrave është potencial, në çdo kohë, edhe sikur të mbarojë ky cikël i tanishëm, dhe pse janë pjesë e vetë procesit të shfrytëzimit të naftës. Përgjegjësia e kësaj katastrofe ekologjike është e vetë kompanisë kanadeze. Një pjesë të këtyre fitimeve, kompania duhet ta ri investojë për të rehabilituar mjedisin dhe për të shmangur katastrofat, që shkaktohen nga procesi i shfrytëzimit. Përgjegjësi kanë edhe qeveritarët që kanë bërë marrëveshjet e koncesioneve me këtë kompani, sepse gjithmonë janë nënshkruar marrëveshje koncensionare vetëm në favor të kompanisë. Edhe ministria aktuale e Energjisë, e ka të trashëguar përgjegjësinë, por vetë nuk ka bërë asgjë, që të parandalojë pasojat e mundshme, që tani po ndodhin. Nuk duhet të lejohen qendra banimi, në zonat naftëshfrytëzuese. Problemin e banorëve, që kanë trojet e tyre, duhet ta zgjidhë financiarisht vetë kompania që merr koncesionin e shfrytëzimit. Habitem kur ministri Gjiknuri tani deklaron andej, që ka kontrollin e situatës. Çfarë kontrolli ka ministri Gjiknuri, kur gazrat mund të shpërthejnë lirshëm nga çdo e çarë që është krijuar, e jo vetëm nga puset? Ajo situatë do një zgjidhje përfundimtare, e cila është të evakuohen gjithë banorët nga zona naftëshfrytëzuese, ose, e kundërta, të ndërpritet shfrytëzimi i naftës, sepse rrezikon çdo çast jetën e banorëve. S’ka zgjidhje tjetër. 
Përse prokuroria nuk arrestoi në flagrancë drejtuesit e “Bankers Petroleum”, për katastrofën e madhe ekologjike
Zoti Gjiknuri, jo vetëm që gazi është helmues, por është edhe uji që shoqëron fontanën
Dr. Vladimir Mici
E gjithë bota sot është e ndërgjegjësuar se nafta bruto është pasuria kryesore dhe strategjike e pasurisë së një kombi. Zbulimi dhe përdorimi i kësaj rezerve me efikasitet, efiçensë dhe rritja e rolit të saj në mbajtjen e ritmeve të larta ekonomike duhet të ishte prioritet i qeverive shqiptare . Por për fat të keq qeveria ndërton strategji që t’i shtyj këto pasuri natyrore të zbuluar nga brezat shqiptarë drejt të huajve, me synimin e marrjes së pareve sot dhe në asnjë rast në favor të shtetasve shqiptarë. Aktualisht pothuaj të gjitha vendburimet e naftës dhe gazit të zbuluar u janë dhënë të huajve, të cilët fillimisht janë të regjistruar si shoqëri në ishujt Kajmen (parajsë fiskale), të cilët vijojnë të abuzojnë me naftën e zbuluar nga brezat e mëparshëm, të cilët kryen detyrimin ndaj këtij brezi, duke e shtuar atë. Detyra e këtij brezi është të shtojë e të shtojë këtë pasuri nëpërmjet shtimit të saj dhe rritjes së eficensës së përdorimit të kësaj pasurie të papërsëritshme. Por çfarë ndodh në praktikë e qeverive shqiptare është e pa mendueshme për një mëndje normale. Pikërisht, këto situata të çojnë në faktin se ndodhemi në situate absurdi, si ajo e shpërthimeve të vijueshme të puseve në zonën naftëmbajtëse të Marinzës. Rasti i djeshëm është jashtë çdo logjike teknike dhe ambientale dhe për më tepër, kur dëgjon deklarimet e papërgjegjshme të ministrit të Energjisë dhe Industrisë Gjiknuri kur thotë, që gazi nuk është helmues. Zoti Gjiknuri, jo vetëm që gazi është helmues, por edhe uji që shoqëron fontanën, apo edhe ai që del nga procesi teknologjik, është helmues dhe ai ndot tokën, ujërat dhe ajrin. Kompania e naftës, që merret me operimin në këtë zonë naftëmbajtëse duhet t’i nënshtrohet penaliteteve dhe gjobave, deri në vendimin e largimit të saj nga territori shqiptar si non grata, pikërisht sepse kjo situatë ka ardhur nga papërgjegjshmëria teknike. Zona naftëmbajtëse e Marinëz Patos ka mbi 3 mijë puse dhe gjeologjia e saj është e super studiuar. Për pasojë, kjo ngjarje është e qëllimtë. Por Gjiknuri nuk e merr këtë vendim për disa arsye. Arsyeja kryesore është sepse ata janë përkëdhelur, si tepër nga kompania dhe më shumë i shtojnë kujdes lukut personal se sa 150 ankesave të 1044 punonjësve të larguar për shkak të futjes së kësaj kompanie në pronat e Albpetrolit. Të pamoralshme janë edhe kontratat e pamenduara me kompaninë Stream Oil, kompania e dytë që menaxhon 50% të zonave naftëmbajtëse të naftës së Albpetrol. Ende nuk ka një përgjegjësi ligjore, për këto absurditete dhe që kanë “ok” e qeverisë Rama, që administrojnë dhe menaxhojnë pronat e shoqërisë Albpetrol. Por kjo paçavure administrimi dhe keq menaxhimi nuk mbaron me këto pasuri. Ajo që ndodhi sot nuk është se nuk pritej. Fshatarët e Zharrëzës kanë kohë që ankohen, por përgjigja është se e kishte fajin Perëndia, natyra dhe jo kompania kanadeze “Bankers Petroleum”. Asnjë hetim dje, asnjë hetim deri më sot, derisa zoti nuk duroi më padrejtësinë, që i ngarkohej dhe i tha qeverisë, që nëse keni sy ja kush ua bën të keqen fshatarëve, ujërave dhe ajrit të tyre. Ju mos e fshini më. A do reagojë qeveria, pas kësaj katastrofe? Përgjigja e Gjiknurit është shenja e parë, që qeveria po del në mbrojtje të kompanisë. Nëse Gjiknuri vijon akoma këtë mbrojtje, më mirë të japë dorëheqjen dhe t’i dorëzohet drejtësisë, si një person i përfshirë në ndotjen mjedisore, në dëmin e shkaktuar pasurisë kombëtare dhe deri në tradhti të interesave kombëtare. Zoti Gjiknuri nuk do t’ ja dijë për banorët e zonës dhe komunitetin përreth, nuk do t’ ja dijë për punonjësit, që për shkak të kësaj kompanie, janë vjedhur në xhepat e tyre, nuk do t’ ja dijë se kjo kompani u ka vjedhur vendet e punës, pa shpërblim dhe ka ndikuar në uljen e të ardhurave kombëtare. Në të njëjtën linjë janë edhe ministrat dhe ish ministrat e ekonomisë. Sot këta duhet të përgjigjen, se përse kjo kompani nuk prodhoi të ardhurat e parashikuara në planin 25 vjeçar të zhvillimit , përse u devijua nga plani i zhvillimit. Si ka mundësi që kompania kishte parashikuar zhvillimin në kushtet e një çmimi 24-28$ barel dhe ajo ka shitur me çmime në 55-85$/barel dhe kjo në vitet e fundit dhe nuk ka marrë pritshmërinë e duhur në të ardhura? Ministri duhet të japë shpjegime, përse nuk i dha punonjësve të vitit 2010, që i përndoqi nga puna vjetërsinë e punës, duke vepruar në kundërshtim me Kodin e Punës, me gjithë përpjekjet titanike të këtyre punonjësve për t’i marrë ato dhe pafytyrësisë së tij për të mos i kthyer përgjigje dhe për t’u treguar arrogant. Kjo arrogancë pushteti nga njëra anë, së bashku më promovimin e shitjes së pasurisë më të çmuar të shqiptarëve, si mall pa zot, (sepse tani zot është ministri dhe kryeministri) dhe kënaqjes së tyre me një kacidhe, apo koromane, është papërgjegjshmëria absolute e menaxhereve qeveritar. Ata s’janë të zot të mbrojnë asgjë nga ajo, që thonë dhe nuk e dinë se sa vlen ajo që japin. Ata nuk e dinë sa është dëmi mjedisor, si përcaktohet ai. apo sa janë vitet e jetës së njerëzve në atë zonë, sa janë shpenzimet që do të pasojnë këto ndotje, sa është efekti në botën e kafshëve dhe bimësisë. Ato që shkruhen në studimet e tyre janë thjesht dhe thjesht se e kemi kryer një studim mjedisor. Por një vit jetë e një njeriu, lope, kali apo kafshe tjetër, nuk konvertohet në ilaçe, por në jetë të bukur, në kushte mirëqenie, që vjen nga puna dhe shëndeti, ato që qeveritë shqiptare u kanë mohuar dhe vijojnë t’u mohojnë naftëtarëve dhe komuniteteve, ku shtrihen këta banorë.
Ja shkaqet përse ministri Gjiknuri duhet të japë dorëheqjen
Ka shumë vite që banorët në zonën naftëshfrytëzuese të Marinzës protestojnë për dëmet katastrofike që u bëhen pasurive të tyre, si shtëpitë dhe objektet e patundshme, nga shpërthimet e nëndheshme të kompanisë “Bankers Petroleum” në puset naftënxjerrëse. Mirëpo ministri Gjiknuri edhe pse ka premtuar, se do të merren masa ndaj kësaj kompanie dhe do të ndërpresë shpërthimet e nëndheshme, nuk ka bërë asgjë, madje ka favorizuar këtë kompani. Edhe dje, u mungua të bëhet zëdhënësi i kësaj kompanie, teksa pohoi që gazi nuk është helmues dhe më keq, duke thënë që situatën e kanë nën kontroll. Ku e di ministri Gjiknuri se nuk ka më rreziqe të shpërthimit të gazrave, derisa toka është çarë gjithandej nga shpërthimet e nëndheshme? Çfarë analiza do të bëjë sot dhe nesër ministri Gjiknuri, për të zbardhur shkaqet e kësaj katastrofe ekologjike, derisa banorët kanë vite që protestojnë dhe paralajmërojnë katastrofën? Apo, natyrisht, analizat e ministrit Gjiknuri do të fshehin autorët e vërtetë të katastrofës, për të favorizuar interesat fitimprurëse të kompanisë “Bankers Petroleum”. Nuk besojmë se të tilla qëndrime politike janë paaftësi profesionale e ministrit Gjiknuri, por derisa ministri Gjiknuri favorizon interesat fitimprurëse të kompanisë “Bankers Petroleum”, edhe pse faktikisht veprimtaria e saj shkakton katastrofë ekologjike dhe masakër të pasurive të banorëve, do të thotë, që ndoshta janë interesa të tjera, për të cilat ministri Gjiknuri është i detyruar që të sqarojë qëndrimin e tij politik, si ministër, përse favorizon kompaninë naftëshfrytëzuese “Bankers Petroleum”. Nëse ministri Gjiknuri, ka ndjeshmëri politike, është detyrim i tij politik, që i ndodhur përballë kësaj përgjegjësie të madhe, më e pakta, është që të dorëhiqet. Ka shembuj të shumtë, që ministra kanë dhënë dorëheqjen, edhe për shembjen e një ure. Në të kundërt, duhet që prokuroria të hetojë dhe të japë përgjegjësi edhe penale, për politikën favorizuese të ministrit Gjiknuri ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”, të cilat kanë pasoja këtë katastrofë ekologjike dhe masakër të pasurive të mijëra banorëve. 
Hetimet e prokurorisë. Përse nuk u bënë arrestimet e para?
Dikush, diku, por anonim, tha dje që prokuroria filloi hetimet për katastrofën ekologjike në Marinzë, thua, se krejt papritur aty ra një meteor nga hapësira kozmike dhe shkaktoi shpërthimin e gazrave, duke rrezikuar jetën e mijëra banorëve. Prokuroria, zyrtarisht, nuk doli me deklaratë shtypi që të paralajmëronte fillimin e hetimeve. Realisht, ndodhi një katastrofë ekologjike. Prokuroria, duhej fillimisht, që të arrestonte drejtuesit e kompanisë “Bankers Petroleum”, për shkaqet e ndodhjes së krimit në flagrancë. Shkaku i katastrofës janë kompania “Bankers Petroleum”, pasojat janë të pallogaritshme në ekologjinë, por edhe në dëmet material të pasurisë së mijëra banorëve, aq sa u rrezikua drejtpërdrejt edhe jeta e tyre. Çfarë prêt prokuroria që të arrestojë drejtuesit e kompanisë “Bankers Petroleum”? Ka vite të tëra që kjo katastrofë e madhe, pritej. Banorët me protesta të vazhdueshme, e kanë paralajmëruar katastrofën, por gjithmonë, edhe qeveria nuk ka reaguar, por edhe prokuroria ka heshtur dhe nuk filloi që atëherë akuzë. Kemi parasysh katastrofën e shpërthimit të një pusi në detin e Meksikës, ku u derdhën në det miliona tonë naftë dhe ndodhi katastrofa ekologjike. Drejtësia amerikane gjykoi penalisht drejtuesit e BP dhe dha dënime të mëdha. Ky rast duhet të jetë shembull edhe për prokurorinë dhe gjykatat tona, të cilat duhet realisht të hetojnë dhe të gjykojnë shkaktarët e vërtetë të kësaj katastrofe të madhe ekologjike. Hetimet e prokurorisë, kësaj here, duhet edhe t’i paraprijnë katastrofave të tjera, që janë potencialisht të mundshme, nëse “Bankers Petroleum”, do të vazhdojë të shfrytëzojë barbarisht naftën e nëntokës tonë, me shpërthimet e nëndheshme, pa marrë parasysh asnjë pasojë të mëvonshme. 
Sigal