Ministri Gjiknuri takon komisioneren evropiane për transportin Violeta Bulc

507
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri merr pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë, organizuar nga Presidenca Bullgare e Bashkimit Evropian në kuadër të vitit evropian të transportit multimodal. Në këtë takim merr pjesë Komisionerja Evropiane për Transportin Violeta Bulc, ministra të transportit të vendeve të Evropës juglindore ashtu sikurse disa prej vendeve anëtare, përfaqësues të kompanive private në fushën e transportit hekurudhor dhe rrugor. Ministri Gjiknuri pati një takim edhe me komisioneren Bulc me të cilën diskutoi mbi projektet potenciale rajonale në fushën e transportit dhe nevojën për mbështetje nga Bashkimi Evropian. “Komisionerja për transportin dhe përfaqësuesit e lartë të komisionit diskutuam për projektet e mundshme të përbashkëta. Në këtë konferencë kishte edhe kompani private, sidomos nga fusha hekurudhore dhe transportit rrugor. U kërkua nga komisioinerja bashkëpunimi mes këtyre vendeve dhe paraqitja e projekteve të përbashkëta për fushat e transportit rrugor dhe atij hekurudhor”, u shpreh ministri Gjiknuri. Ministri Gjiknuri gjeti rastin të theksojë se Shqipëria tanimë ka avancuar në koordinim me vendet fqinje duke aplikuar për disa projekte të përbashkëta. “U përshëndetëm për faktin se shumë shpejt do të fillojmë implementimin e projektit të hekurudhës ashtu sikurse përfundimi i disa segmenteve rrugore, pjesë të korridoreve juglindore. Ka edhe projekte të tjera të rëndësishme siç është ai i menaxhimit të hapësirës detare apo dhe projektet e tjera hekurudhore, sidomos lidhjet e përbashkëta mes Greqisë, Maqedonisë dhe vendeve tjera të rajonit. Realisht mundësitë janë. Ka një mundësi të madhe shtesë për financimet lidhur me projektet e përbashkëta. Nga ana tjetër kërkohet koordinim dhe Shqipëria është duke bashkëpunuar me Malin e Zi, me Maqedoninë dhe Greqinë që të fitojnë projekte të përbashkëta”, theksoi Gjiknuri.
Sigal