Ministri Damian Gjiknuri: Banesat sociale në Gramsh, janë shembull që mund të ndiqen edhe nga banorët e Astirit

444
Sigal

Ministri Gjiknuri: Banesat sociale, shembull që mund të ndiqet edhe nga banorët e Astirit

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, mori pjesë në inaugurimin e një pallati të ri me banesa sociale në qytetin e Gramshit, ku do të strehohen disa prej banorëve të fshatit Drizë, që u prekën nga projekti i ndërtimit të Kaskadës së Devollit. Ministri Gjiknuri, pasi inspektoi banesat e reja, u shpreh: “Erdha këtu për të parë përfundimet e një tjetër objekti të natyrës sociale, i cili është pjesë e projektit të Devoll Hydropower në bashkëpunim me Bashkinë e Gramshit dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ky objekt realizon sistemimin e një pjese të banorëve që preken nga zhvillimi i projektit të Kaskadës së Devollit. Për një pjesë tjetër janë ndërtuar shtëpi të reja. Pjesa e mbetur që nuk kishte as tokë, është sistemuar këtu në qytetin e Gramshit”. Sipas ministrit Gjuknuri, gjatë periudhës nga lëvizja prej banesave të vjetra deri më sot, këta banorë janë trajtuar me qira nga Bashkia e Gramshit dhe me mbështetjen e qeverisë. Më tej, ministri i Energjitikës Gjiknuri u ndal edhe tek rasti i Gramshit si një model edhe për trajtimin e banorëve në projektet publike në Tiranë, siç është “Unaza e Madhe”. Gjiknuri: Ne po ndërtojmë edhe shembujt konkret, ku banorët, që preken nga projektet publike, do të gjejnë zgjidhje nëpërmjet pagesës dhe këtu i referohem edhe rastit të “Unazës së Madhe” të Tiranës. Do të trajtohen me tre vite qira të paguar nga Bashkia e Tiranës dhe mbështetur nga qeveria, siç është edhe rasti këtu në Gramsh, që u paguan nga bashkia. Gjithashtu, do të shikohen me trajtim preferencial për banesa sociale, ose kredi të buta për strehimin e tyre. Zgjidhjet nuk mungojnë, ne jemi duke i implementuar këto në zona të ndryshme të Shqipërisë, ku preken nga projekte madhore. Mendoj se ky është një rast konkret që ky projekt mund të zbatohet edhe në Tiranë.