Ministri Bushati takohet me Presidentin Tsereteli dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Roberto Montella

576
Sigal

Ministri Bushati takon Presidentin e OSBE, u vlerësua roli i Shqipërisë në proceset e paqes

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti dje në takim Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Roberto Montella, me të cilët diskutoi çështje që kanë te bëjnë me forcimin e sigurisë dhe bashkëpunimit midis vendeve anëtare të OSBE, me diplomacinë parlamentare, reformën zgjedhore në Shqipëri, bashkëpunimin rajonal etj. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, George Tsereteli, dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Roberto Montella, vlerësuan rolin dhe kontributin që Shqipëria jep në proceset e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në kuadër të OSBE. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, Tsereteli falënderoi angazhimin e delegacionit parlamentar shqiptar në AP të OSBE, për trajtimin e një sërë çështjesh me të cilat përballet organizata, në të mirë të popujve dhe vendeve anëtare të saj. Tsereteli vlerësoi reformat e thella të ndërmarra nga Shqipëria si në fushën e drejtësisë, zhvillimit ekonomik të vendit, të një qeverisje të mirë, por edhe në reformën zgjedhore, luftën kundër fenomeneve që pengojnë progresin, si korrupsioni etj. Ai inkurajoi Shqipërinë që të vazhdojë rrugëtimin në këtë drejtim, rrugëtim i cili e sjellë edhe më afër me BE, për çka Shqipëria do të ketë edhe mbështetjen e AP të OSBE-së. Të gjitha forcat politike në Shqipëri duhet të angazhohen sa më shumë në nxitjen e progresit të vendit, në realizim të objektivit për hapjen e negociatave me BE, mbasi i gjithë ky angazhim shkon, në fund të fundit, në shërbim të popullit, vuri në dukje Presidenti i AP të OSBE. Sot delegacioni i OSBE-së do të takohet me kryeparlamentarin Ruçi, në orën 10, dhe më vonë, në orën 11 do të takohet në Presidencë me Presidentin Ilir Meta. Aty do të ketë edhe një ceremoni dekorimi të ish-presidentit të OSBE-së Riçardo Migliori, nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.