Ministri Arben Ahmetaj: Do ndryshojmë ligjin për koncesionet duke mos pranuar oferta të pakërkuara

718
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Ministri Ahmetaj: Do bëjmë ndryshime ligjore për koncesionet

Qeveria detyrohet nga FMN-ja, të heqë dorë nga PPP-të me oferta të pa kërkuara

Qeveria e Rilindjes, gjatë 5 viteve të qeverisjes ka dhënë më shumë se 2.400 koncesione, shumica e tyre me oferta të pakërkuara. Shumica e koncesioneve kanë qenë shërbime publike shtetërore, dhe jo investime strategjike. Por, më e keqja është se shumica e 2.400 koncesioneve që ka dhënë qeveria e Rilindjes në këto 5 vite, kanë qenë thjesht oferta që kanë paraqitur bizneset, privatët dhe qeveria, u ka bërë “hatëret”. Pikërisht, te kjo metodologji e dhënies së koncesioneve me oferta të pakërkuara nga shteti, por të afruara nga vetë biznesi, fshihet edhe jotransparenca e dhënies së koncesioneve. Koncesionet kanë detyruar qeverinë, që të paguajë nga buxheti i shtetit qindra milionë euro çdo vit, duke vështirësuar investimet publike.

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore e kanë kritikuar qeverinë e Rilindjes për koncesionet e dhëna, dhe mungesën e investimeve publike, sepse koncesionet nuk kanë bërë të mundur shtimin e investimeve, as hapjen e vendeve të reja të punës, as shtimin e të ardhurave nga taksat, veçse duke rritur borxhin publik, i cili, sipas parashikimeve të FMN-së, në fund të 20120-s mund të shkojë në 80 %, nga 74 % që është sot.

Ministri Ahmetaj: Përmirësim në legjislacion, nuk pranojmë më oferta të pakërkuara

Ministri i Financave Arben Ahmetaj, dje, pranoi se qeveria ka përgatitur disa ndryshime në ligjin “Për Partneritetin Publik Privat (PPP)”, ku bëhet e ditur se nuk do të pranojnë më oferta të pa kërkuara. Ahmetaj deklaroi se po bëhet një përmirësim në legjislacion, duke hequr dorë nga ofertat e pa kërkuara. “Ka qenë një diskutim i gjatë midis nesh, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Komisionit Evropian dhe USAID-t. Praktikisht qeveria po kalon në një fazë të dytë shumë më të zgjuar në aspektin e menaxhimit të risqeve”, tha ministri. Sipas tij, drafti ka kaluar në institucionet e linjës për mendim marrje dhe duke nisur nga viti 2019 qeveria nëpërmjet këtyre ndryshimeve në ligj, nuk do të lejojë më oferta të pa kërkuara në shumë sektorë dhe do të vazhdojë vetëm me ofertat e kërkuara. Kjo, theksoi kreu i financave publike, bën një diferencë shumë të madhe në të gjithë atë debat apo pikëpyetje që kanë lindur këto 27 vite për sa i përket PPP apo koncesioneve.