Ministri Ahmetaj prezanton kandidaten për bashkinë e Libohovës

479
Dje në Libohovë Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj së bashku me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mori pjesë në takimin e përbashkët mes strukturat e PS-së dhe LSI-së në Libohovë, ku u bë edhe prezantimi i kandidates së koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” për bashkinë e Libohovës, Luiza Mandi. Ministri Arben Ahmetaj, duke marrë fjalën në këtë takim u shpreh i bindur për fitoren e koalicionit qeverisës në bashkinë e Libohovës, ndërkohë që theksoi se PS-LSI do të funksionojnë si një forcë e vetme në këto zgjedhje. “Unë jam i bindur se në darkën e 21 qershorit Luiza Mandi do të jetë kryetarja e re e Bashkisë së Libohovës. Ajo është propozuar nga ju, jo vetëm nga qyteti i Libohovës, por edhe nga komunat përreth. Ajo është një mjeke shumë e zonja dhe do të jetë një përfaqësuese e shkëlqyer e mazhorancës në këtë bashki. Është shumë e rëndësishme që ne të funksionojmë si PS-LSI, ne jemi një forcë që qeverisim dhe do të duhet që edhe këtë betejë ta bëjmë po ashtu siç e bëmë në 2013-n, së bashku. E di që tani ka nisur puna për fushatën, por nuk ka dy shtabe, ka vetëm një shtab të përbashkët PS-LSI patjetër edhe aleatët e tjerë, nuk ka asnjë dallim. Ky bashkëpunim është kyç për fitoren e bashkisë së Libohovës”, deklaroi ndër të tjera z. Ahmetaj.
Sigal