Ministri Ahmetaj: 1200 vende të lira pune në qarkun e Shkodrës e Lezhës

635
Më shumë se 40 sipërmarrje kanë marrë pjesë në Panairin e parë të Punës të zhvilluar dje në qarkun e Shkodrës nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ku kanë deklaruar 760 vende të lira pune. Ministri Ahmetaj deklaroi se në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës janë 1200 vende të lira pune, duke shtuar se duhet të punohet më tepër për arsimin profesional për ta afruar tregun me aftësitë e punëkërkuesve. Në kuadër të punësimit dhe mbështetjes për të rinjtë, ai tha se qeveria ka kaluar edhe 7 programe mbështetjeje. “Unë do t’i referohesha edhe disa programeve të tjera të qeverisë që kanë të bëjnë me punësimin dhe mbështetjen për të rinjtë. Qeveria javën e kaluar kaloi 7 programe mbështetje dhe këtu është detyra e Zyrave të Punës, së bashku me Shkollat Profesionale, që të trokasin derë më derë tek ata të rinj e të reja, qytetarë e qytetare që janë të regjistruar në listën e punëkërkuesve”, tha Ahmetaj. Duke iu referuar të dhënave të Bankës Botërore, Ahmetaj u shpreh se Shqipëria e ka lënë pas krizën e viteve 2013 dhe është futur në rrugën e zhvillimit, duke cilësuar punësimin si kryefjalën e qeverisë. “BB, pasi na ka skanuar e studiuar në thellësi, del në konkluzion se Shqipëria e ka lënë pas krizën e viteve 2013. E ka lënë pas atë mundësinë që të kalonte një krizë si Greqia dhe sot është futur në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik madje, për shkak të politikave shumë të kujdesshme të qeverisë Rama 1 dhe Rama 2, sot punësimi është fjala kryesore e punës së përditshme të qeverisë dhe sot papunësia është më e ulëta historike, megjithëse akoma ka shumë shqiptarë, shumë qytetarë, shumë të rinj e të reja të papunë e që kërkojnë punë.” Ministria e Financave do të organizojë panaire pune edhe në qarqe të tjera të vendit, për t’i paraprirë Panairit Kombëtar që mbahet çdo vit në maj, në Tiranë.
Sigal