Ministrat teknikë në ditët e fundit. Pas raportit, pritet dorëheqja

584
Ministrat teknikë të propozuar nga Partia Demokratike pas marrëveshjes së firmosur mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, janë në ditët e fundit të qëndrimit në zyrat përkatëse. Burime të besueshme pranë kryeministrisë bëjnë me dije se, të gjithë ministrat teknikë do të japin dorëheqjen, menjëherë sapo të kenë dorëzuar raportin e përgatitur lidhur me funksionimin e administratës në varësi të tyre, gjatë fushatës zgjedhore. Të njëjtat burime pohuan se pjesa më e madhe e kanë përfunduar raportin dhe pritet që pjesa e mbetur ta mbyllë në mesin e javës. Janë Ministri Drejtësisë, Ministri i Brendshëm, Ministri i Shëndetësisë, Ministri i Financave, Ministri i Mirëqenies Sociale, Ministri i Arsimit, që brenda kësaj jave do të lënë karrigen që e mbajtën që pas 18 majit, ditë kur u firmos marrëveshja e famshme. Mësohet se raporti i hartuar prej secilit, do të dorëzohet pranë misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR. Këta të fundit pas shqyrtimit pritet ta bëjnë pjesë të raportit përfundimtar të tyre, i cili pritet të dalë në ditët në vazhdim. E ndërsa ministrat do të japin dorëheqjen, ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me ministritë përkatëse. Thuhet se do të rikthehen në detyrë ministrat e mëparshëm. Në Ministrinë e Brendshme do të rikthehet, Fatmir Xhafa, në atë të Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, tek financat Arben Ahmetaj dhe në arsim, Lindita Nikolla. Ministria që nuk dihet se si do të procedohet deri në ardhjen e qeverisë së re është ajo e Drejtësisë, në krye të së cilës ka qenë Petrit Vasili, i emëruar nga LSI. Ndërkohë zv/kryeministrja më herët pati deklaruar se, të gjithë ministrat do të qëndrojnë në detyrë deri sa të emërohet qeveria e re. Ina Zhupa deklaroi se, ata do të dorëhiqen menjëherë pas përfundimit të raportit lidhur me administrimin e fushatës.
Sigal