Ministrat teknikë gafat dhe paaftësia për të kuptuar detyrën e ngarkuar

Pushimet nga puna dhe nxjerrja e udhëzimeve të ndryshme për funksionimin e ministrive nga ministrat teknikë, duket se do prodhojë përplasje PD-PS

Një qeveri dhe dy grupe ministrash që përpiqen të marrin vendime kundër njëri-tjetrit. Kështu po ndodh me qeverinë aktuale, e cila mund të konsiderohet pa frikë jofunksionale, për aq kohë sa vendimet secili ministër i merr sipas urdhrave që merr nga partia, e cila e ka propozuar. Në këto kushte do të jemi përpara gafave të mëdha të prodhuara prej tyre. Kështu, këtë të martë, ministrja e Financave Helga Vukaj ka nxjerrë një urdhër me anë të të cilit pezullon lejet vjetore të punonjësve të administratës. Por lajmi nuk qëndron këtu, sepse deri në momentin kur nxirret një urdhër, është e drejta e ministres. Problemi dhe gabimet që bëjnë ministrat pa përvojë, qëndron tek bashkëpunimi që ata kanë mes njëri-tjetrit edhe për të nxjerrë një urdhër. Ministrja e financave ka marrë një udhëzim të gatshëm nga Ministria e Drejtësisë. Ajo ka formuluar udhëzimin duke përcaktuar qartë arsyet e pezullimit të lejes vjetore për muajin qershor dhe korrik. Por ministres i ka shpëtuar një detaj i cili e ka nxjerr keq. Në kokën e udhëzimit thuhet Ministria e Drejtësisë, ndërsa brenda në tekst flitet për Ministrinë e Financave. Urdhri, përveçse përmban një lapsus, pasi në titull shkruan Ministria e Drejtësisë, kur në fakt është një akt i Ministrisë së Financave, ngre edhe dyshime të forta ligjore. Kjo, pasi lejet vjetore janë një e drejtë e njohur me ligj dhe nuk mund të kufizohen nga një urdhër administrativ. Këto çështje duket se do të jenë një burim përplasjesh gjatë gjithë fushatës elektorale, mes ministrave teknikë të Partisë Demokratike dhe stafeve të ish-ministrave socialistë, të cilët u larguan nga marrëveshja Rama-Basha. Një tjetër përplasje lidhet edhe me pushimet nga puna për shkak të përfshirjes së administratës në fushatë. Ministrat teknikë të propozuar nga lideri i PD-së Basha dhe miratuar nga kryeministri Edi Rama për të qenë pjesë e kabinetit të tij deri në 25 qershor, nuk mund të bëjnë asnjë lëvizje përtej limitit të përcaktuar me ligj. Ata nuk kanë asnjë të drejtë të firmosin shkarkime të punonjësve të administratës, edhe kur ata brenda këtij afati bëhen pjesë e fushatës elektorale. Ministrja e Financave Helga Vukaj këtë fillim jave shkarkon Kliton Bistrin që, sipas ministres është i larguar për shkak të pjesëmarrjes së tij në fushatë elektorale. Por thuhet gjithashtu se Vukaj nuk ka fuqi për firmosjen e shkarkimeve dhe për pasojë punonjësi i administratës tatimore që u filmua në fushatë nuk mund të pushohet nga puna. Këtë të drejtë sipas ligjit e ka vetëm Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve. Ministrja ka të drejtën vetëm të grumbullojë prova dhe t’i paraqesë ato në institucionin e caktuar që ka fuqinë e marrjes së vendimeve të pushimit.