Ministrat që largohen nga qeveria dhe emrat e atyre që i zvendësojnë

451
Pardje kryeministri Rama, në një intervistë televizive, edhe një herë u përpoq që të mohojë ndryshimet në qeveri. Në fakt, po pardje u publikuan statistikat për të ardhurat 9 mujore të 2015, ku megjithë aksionin qeveritar anti-informal, të ardhurat në buxhetin e shtetit pësuan sërish një rënie të lirë. Ministri Cani është nga ministrat që dështoi totalisht në politikat fiskale të deritanishme, që nuk ka vënë ende rregull në dogana, ku korrupsioni mbretëron, aq sa dështoi edhe CA, kompania angleze që do administronte doganat. Kjo, veç të tjerash, është edhe një tregues më shumë, që shumë ministra të qeverisë “Rama1” janë lodhur, ose edhe janë përfshirë në afere korruptive, siç është edhe kallëzimi penal i KLSH ndaj ministrit të MEI Damian Gjiknuri për dëmin ekonomik që i shkaktoi buxhetit të shtetit në vlerën e 479 milionë euro, për marrëveshjen “paqësore” që nënshkroi me CEZ. Po kështu, edhe ministri i Shëndetësisë, Beqaj është akuzuar shumë për proceset jo transparente të tenderave dhe koncesioneve që ka bërë, si edhe është përgjegjësi politik i skandalit korruptiv të vjedhjes së ilaçeve të rimbursueshme, për të cilën prokuroria është duke hetuar. Vetë kryeministri Rama e ka identifikuar që shumë ministra të kabinetit të tij qeveritar sillen me arrogancë dhe nuk po përmbushin detyrat, ndaj u detyrua në muajin mars të këtij viti t’u dërgojë një email (i cili u publikua këto ditë, por që nuk u përgënjeshtrua nga kryeministri) ministrave të tij, që të ndryshonin sjellje.

Humbja elektorale e 21 qershorit nga PS, rrit oreksin e aleatëve

Keqqeverisja, zhgënjimi i elektoratit, pasi nuk u përmbushën zotimet dhe premtimet elektorale për punësim, për lehtësim taksash, për politikë më sociale në ndihmë të shtresave në nevojë, për nxitje të investimeve, sjellja arrogante e ministrave, korrupsioni, etj shkaqe, ishin disa faktorë që ndikuan që PS në zgjedhjet e 21 qershorit 2015 të humbiste 15 % elektorat në krahasim me 2013, ndërkohë që aleatët e së Majtës, u rritën në votë. Kështu LSI u rrit në 16 %, ose në 300.000 vota, kurse PDIU 4 %. Ky bilanc i ri zgjedhor, sigurisht u jep të drejtën aleatëve që të kërkojnë nga kryeministri edhe një raport të ri në qeverisjen qendrore. Dje, kryetari i LSI dhe kryeparlamentari, Ilir Meta, pas takimit me kryeministrin, u shpreh se impulse e reja në qeverisje janë të domosdoshme. 

Ja ndryshimet e mundshme në qeverinë “Rama 1”

Sipas burimeve të mirinformuara të gazetës “Telegraf” pranë selisë rozë, mësojmë se ndryshimet në kabinetin qeveritar “Rama 1” do të bëhen menjëherë pasi të kthehen në Atdhe kryeministri Edi Rama, i cili që mbrëmë është nisur për një vizitë disaditorëshe në Hong Kong, si edhe kryeparlamentari Ilir Meta, i cili sot niset në SHBA për një vizitë zyrtare. Sipas të njëjtave burimeve për gazetën “Telegraf” ministrat Gjiknuri, Cani dhe Gjermeni, ka shumë mundësi të largohen nga kabineti qeveritar për shumë arësye. Po kështu, edhe ministrat Gjosha, Haxhinasto dhe Panariti do të ndryshojnë. Ndërsa është në diskutim ndërrimi i ndërsjelltë i ministrit Naço me ministrin Tahiri, nga ministria e Drejtësisë në ministrinë e Punëve të Brendshme. Ndërsa emrat më të mundshëm që kanë qepur kostumin e ministrit janë Anastas Angjeli për ministër i Financave, Taulant Balla dhe Artan Lame. Ndërsa nga emrat e LSI janë Petrit Vasili, Vangjel Tavo dhe Ylli Manjani. Sipas burimeve për gazetën “Telegraf” është akoma në tavolinën e bisedimeve edhe kërkesa e PDIU që të marrë një post ministror, duke mos u kënaqur thjesht me postin e zëvendësministrit të Jashtëm. Kështu, në pikëpyetje është ministria e Shëndetësisë, edhe për shkak se ministri Beqaj është në qendër të akuzave të vazhdueshme për korrupsion në koncesione dhe tendera, ku rasti më i fundit, është akuza që PD i bëri ministrit Beqaj, për përfitimin e 22 tenderave në ministrinë e Shëndetësisë nga ish-kompania e tij, të cilën e shiti pasi u betua ministër. 
Somario
Ministrat që ikin
Damian Gjiknuri
Shkëlqim Cani
Eglantina Gjermeni
Edmond Haxhinasto
Edmond Panariti
Klajda Gjosha
Emrat që përfliten për ministër
Anastas Angjeli
Artan Lame
Taulant Balla
Petrit Vasili
Vangjel Tavo
Ylli Manjani
Ndërrim ministrash
Saimir Tahiri me Nasip Naço
Sigal