Ministrat mbledhin “plaçkat” nga zyrat e tyre. Do të ketë qeveri teknike pa kryeministër socialist?

820
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Nga pranvera e vitit tjetër mund të ndodhin zgjedhje të parakohshme: Qeveri teknike me apo pa kryeministrin e Rilindjes

Kriza parlamentare

Shqipëria është pa rend kushtetues, sepse nuk funksionon më Gjykata Kushtetuese, ka më se 1 vit, që nuk është zgjedhur Prokurori i Përgjithshëm. Ndërkohë, ka më se 4 muaj, që opozita e ka bojkotuar parlamentin, punimet e komisioneve parlamentare, edhe pse nuk e ka deklaruar. Skandalet e përditshme të korrupsionit, të bashkëpunimit të zyrtarëve me njerëzit e botës së krimit, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, zvarritja e hetimeve të tyre nga organet e akuzës, kanë tensionuar shumë klimën politike. Opozita, ndërkohë ka kërkuar që edhe në politikë të zbatohet vettingu, mirëpo mazhoranca është përgjigjur, se vettingun edhe në politikë do ta zhvillojnë institucionet e reja të drejtësisë, kur ato të ndërtohen.

Zgjedhje të parakohshme

Arrestimet e dy ish-deputetëve socialistë, madje njëri drejtor i Përgjithshëm, me akuzën për korrupsion, e kanë përkeqësuar imazhin politik të mazhorancës. Skandali i fundit i përgjimeve, i zbulimit të laboratorit të drogës në Has, shkatërrimi i bandave kriminale, publikimi i fakteve se krerët e bandave kriminale kishin “dhënie – marrje” me zyrtarë të lartë të Rilindjes, dorëheqja e ministrit të Brendshëm Xhafaj, që mund të jetë ajsbergu edhe i luftës brenda llojit, në PS, mund të bëjnë që qeveria e Kryeministrit Rama ta ketë të pamundur të gëzojë besimin të qeverisjes. Fakti që reformat e integrimit, që u kushtëzuan nga BE në 28 qershor 2018 për hapjen e negociatave, po zvarriten dhe koha deri në qershorin e 2019, (kur BE do të rishqyrtojë sërish kërkesën e Shqipërisë për hapjen e negociatave) është e shkurtër dhe e pamundur që Shqipëria (qeveria)të konkretizojë. Reforma në Drejtësi është në kolaps, Gjykata Kushtetuese është e pamundur të rifunksionojë, institucionet e reja të Drejtësisë, sikurse SPAK, BKH, KLGJ, KLP, etj, është gati e vështirë që të ndërtohen deri në qershorin e 2019-s. Lufta kundër korrupsionit po dështon, derisa në gjykatë nuk po çohen dosjet e akuzave dhe denoncimeve të korrupsionit. Reforma zgjedhore, deri në fund të dhjetorit 2018 duhet të ketë mbaruar, që pas 6 muajve, mund të zhvillohen zgjedhjet lokale. Opozita ka kushtëzuar pjesëmarrjen në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore, pa u miratuar dhe të fillojë vettingu në politikë. Skandali i përgjimeve, nga shkatërrimi i bandave kriminale, në shumë qytete, ku fakte nga dosja që është çuar në prokurori, janë publikuar, pohojnë se shumë zyrtarë të lartë nga Rilindja kanë bashkëpunuar me krerët e bandave kriminale në shumë qytete për të vjedhë, blerë vota, janë shpenzuar shuma të mëdha, të ardhura nga veprimtari kriminale, duke provuar akuzat e hershme të opozitës, për shitblerjen e votave. Prandaj, edhe Opozita ka denoncuar disa herë, që zgjedhje me kryeministrin Rama nuk mund të zhvillohen, sepse votat mund të vidhen sërish. Pra, një situatë kaq e tensionuar politike, ku opozita nuk është më në parlament dhe një parlament pa opozitën na kujton parlamentin e shtetit monist, apo parlamenti i tanishëm pa opozitën, është si një Asamble Kombëtare e PS, ku çdo projektligj i qeverisë miratohet njëzëri, pa guxuar asnjë deputet të japë një mendim e votë ndryshe, me zgjedhje vendore ta opozitë, është vështirë të përballohet nga qeveria e Rilindjes.

Ministrat mbledhin “rraqet” nga zyrat e tyre

Kohët e fundit vërehet një dukuri e pazakontë. Ministrat mbyllin të gjitha çështjet e tyre, sa më shpejt, por edhe mbledhin sendet e tyre vetjake nga zyrat. Asnjë ministër nuk e di më, nëse do të jetë të nesërmen më në zyrën e vet. “Dorëheqja” e ministrit të Brendshëm e lajmëruar në orët e para të mëngjesit nga kryeministri Rama nëpërmjet rrjetit social, është fakti më bindës për çdo ministër, e ka të pasigurt të nesërmen në zyrën e ministrisë. Para disa ditësh, kryetari i PD-së pohoi se mund të ketë zgjedhje të njëkohshme vendore dhe parlamentare, në fundmajin e 2019-s. Problemi që duhet zgjidhur është: Do të ketë qeveri të Rilindjes me kryeministër Ramën, por duke e riformatuar qeverinë? Do të ketë qeveri teknike me kryeministër Ramën, por me ministra “asnjanës”? Do të ketë qeveri të Rilindjes, pa Ramën kryeministër? Do të ketë qeveri teknike pa Ramën Kryeministër?