Ministrat e Rilindjes, ortakë në koncesione

510
Sigal

U harrua rishikimi i koncesioneve në miniera, energjetikë, Lotaria Kombëtare, në naftë. Situata e njëjtë si vite më parë.

Premtimet e bujshme të ministrave të kabinetit aktual qeveritar gjatë fushatës të fundit për rishikimin e koncesioneve të dhëna nga qeveria “Berisha”, rezultuan thjeshtë premtime elektorale për të marrë votat, pasi thuajse asnjë hap nuk është hedhur deri tani. Jo vetëm kaq, por premtimet e “Rilindjes” gjatë fushatës dhe në javët e para të uljes në kolltukët ministror se, “do anulojmë gjithë koncesionet e qeverisë së djathtë, do të nxjerrim para drejtësisë grabitësit e pasurisë kombëtare”, tashmë janë “gëlltitur; nga premtuesit sikur të mos ketë ndodhur gjë. Ditët e fundit, pa gjë të keq, disa ministra të së majtës që janë në krye të sektorëve kryesorë të ekonomisë, kanë deklaruar dhe publikisht tërheqjen nga “rishikimi i koncesioneve pasi ka një kosto të madhe”!. Ky mosmbajtje premtimi, që në fakt rezulton mashtrim, buron nga dy shkaqe kryesore: Ose e Majta gjatë fushatës e përdori kartën e ‘grabitjes masive të pasurisë nëpërmjet koncesioneve’ thjeshtë për epërsi ndaj qeverisjes “Berisha” në elektorat, ose ka gjasa (referuar dhe fakteve), vetë ministrat e Rilindjes që ishin në pararojë të rishikimit të koncesioneve, janë bërë ortakë direkt apo nëpërmjet njerëzve të tyre me vetë biznesmenët fitues të koncesioneve, sekserët e tyre  apo dhe me funksionarë të lartë të së djathtës që kanë bërë pazaret e koncesioneve në qeverisjen e djathtë, e tashmë e kanë ‘kthyer pllakën’ e kanë gjetur akordin me ministrat aktualë. Fakti që shumë persona të së djathtës, dikur të përfolur për pazaret me koncesionet, tashmë janë parë me ministrat e majtë në darka e drejta, por dhe me biznesmenë që kanë përfituar koncesionet në energjetikë, naftë, miniera etj..

REALITETI ME KONCESIONET

Gjithkush e ka mësuar përmendësh refrenin e së majtës në fushatë për rishikim koncesionesh të qeverisë “Berisha” me të ardhur në pushtet, duke kërcënuar me emra dhe ministrat e së djathtës për nxjerrje para përgjegjësisë si të lidhur me mafien e grabitje të pasurisë kombëtare. Po çfarë tregoi realiteti me këtë fakt me të ardhur Rilindja në pushtet! Koncesioni më i përfolur, është ai i interkonjeksioni të linjës energjike me Kosovën, dhe i përfoluri Fazlliç si mik i Berishës dhe përfitues nga ky koncesion i dhënë në fund të mandatit të qeverisjes së djathtë. Por tashmë, Fazlliçi mori dhe bekimin e qeverisjes aktuale dhe koncesioni i përfolur dje si skandal, sot mbetet po siç u firmos në kohën e Berishës. Po Lotaria Kombëtare që u fitua nga austriakët? Rishikimi i kësaj lotarie të cilësuar ‘skandal me pasojë humbje të madhe për financat e vendit’. Bile dhe Kryeministri Rama publikisht pohoi disa herë se do e rishikonte. Por shumë shpejt, u harrua!? E ka gjasa të ndodhë si me Fazlliçin. Po koncesionet e minierave? E njëjta situatë. U premtua nga qeverisja e sotme kur ishte dje në opozitë jo vetëm rishikim koncesioni, por dhe kushte më të mira për minatorët që ‘pasuruan e bënë miliarderë ministrat e djathtë”. Po sot? Asgjë, për të mos thënë më keq. Përsëri minatorë që humbasin e vendin e punës, të tjerë që humbasin jetën në galeritë ilegale apo gjymtohen nën tokë… Po sektori i naftës? Dje të anatemuar si grabitës të pasurisë kombëtare për interesa të qeverisjes së djathtë, janë të njëjtët koncesionarë që administrojnë këtë pasuri. Vetëm, siç përflitet, tashmë vendin e ministrave e funksionarëve të Berishës në shoqërinë me ‘ta, e kanë zënë ministrat apo funksionarët e Rilindjes. Po buja e madhe për HEC-et? Asgjë nuk u bë dhe pak gjasa ka të bëhet një gjë e tillë… Tallje elektorale, apo ministrat e Rilindjes janë bërë menaxherë të koncesionerëve të Berishës?

PËRTEJ SKANDALIT

Ditët e fundit, publikisht, ministri i Energjetikës konfirmoi se, ‘prishja e koncesionit ka kosto, e ne nuk do e prishim”. E ky nuk është rasti i vetëm. Jo vetëm për llogarinë për premtimin e dhënë në fushatë, ku u morën dhe votat, por më shumë për faktin e transparencës me këto koncesione, qeveria e Majtë duhet t’u thotë troç qytetarëve që i ka mashtruar dje për koncesionet pasi ata ishin të ligjshme, ose vetë funksionarët e saj, u ‘ëmbëlsuan’ pasi po përfitojnë direkt nga koncesionerët dhe u është mbyllur goja. Siç e thamë më lart, shumëkush i di fijet e rilidhura sot nga funksionarë të Rilindjes, përfshi ministra e deputetë me sekserët e koncesioneve apo funksionarë të lartë të së djathtës. Ndërsa pasuria kombëtare e shumëpërfolur në këto koncesione, vazhdon të grabitet. Por tashmë, përfituesit nuk janë më ata të qeverisjes së djathtë, por të qeverisë aktuale. Ose të dy palët në një pakt skandaloz.

KONCESIONET E PËRFOLURA

 Lotaria kombëtare

Gjatë fushatës, por dhe në ditët e para të qeverisjes së majtë, u tha se do rishikohet koncesioni me austriakët. Vetë Edi Rama deklaroi publikisht këtë fakt. Por tashmë, kjo u la në hije.

 MINIERAT

Koncesionet e minierave, kryesisht ato të kromit, por dhe të tjera, u akuzuan nga e Majta kur ishte në opozitë se do i rishikonte. Por dhe kjo u harrua. Padronët e galerive janë po ato.

 NAFTA

Edhe sektori i naftës, gjatë fushatës u anatemua si sektor i shitur tek të tjerët në formën e koncesioneve dhe do rishikohej. Situata është e njëjtë. Gjendja e vështirë e pashpresë.

 HEC-et

Një listë e gjatë HEC-esh u afishua në fushatë elektorale që ishin dhënë me koncesion nga qeveria “Berisha” në kundërshtim me ligjin dhe do rishikoheshin. Por asnjë hap nuk është hedhur.