Ministrat e Jashtëm Bushati dhe Kotzias: Njihen patentat shqiptare në Greqi

928
Dje ministri Jashtëm i Greqisë, Niko Kotzias erdhi për një vizitë disa orëshe ne Tiranë dhe u takua me homologun e tij Ditmir Bushati. Kohët e fundit qarkullojnë zëra se është anuluar ardhja e kryeministrit grek Cipras në Tiranë, dhe sipas informacioneve, shkak është se ka ndryshuar qëndrim kryeministri Rama, sidomos pas vizitës që bëri ditët e fundit në Ankara. Ndaj, edhe vizita e ministrit grek të Jashtëm Kotzias në Tiranë, ishte një testim diplomatik i Athinës ndaj qëndrimeve të Shqipërisë, sidomos për ecurinë e negociatave për arritjen përfundimtare të marrëveshjes për kufijtë detarë. Sipas informacioneve nga agjencia shtetërore greke e lajmeve APE, Bushati dhe Kotzias diskutuan rreth 9 temave, sikurse ishte heqja e vulës apostile për dokumentet e shqiptarëve që kërkohen në Greqi, varrezat e ushtarëve grekë në territorin e Shqipërisë, njohja e lejeve shqiptare të drejtimit të makinave në Greqi nga emigrantët shqiptarë, tema e Zonave Ekskluzive Detare, dhe caktimi i kufijve detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë, heqja e ligjit të Luftës nga ana e Greqisë, ligjet për minoritetin grek në Shqipëri, ndryshimet në librat e Historisë etj.