Ministrat e dështuar të kabinetit “Rama”

436
Sigal

Në janar pritet ndryshimi i emrave për drejtuesit e dikastereve që nuk kanë përmbushur detyrimet

Duket se kabineti i ri qeveritar ka marrë përsipër një sërë ngarkesash për reformimin e përgjithshëm të të gjitha fushave, ku padyshim kërkohet një ritëm bashkëkohor dhe një përgatitje e lartë në fushat që drejtojnë. Megjithëse, ministrat e kabinetit “Rama 1”, sapo kanë filluar të provojnë ngarkesën e plotë të reformave të reja, duket se disa prej tyre po ndjejnë vështirësi në punën e terrenit. Por mbi të gjitha me veprimet dhe mosveprimet e tyre, ata po e pengojnë ecurinë e reformave.

Defektet

Megjithëse ka qenë e vështirë të evidentohen defektet, përsëri mundë të thuhet se kanë dalë në pah mungesat e 3-4 ministrave, ku Arsimi, Shëndetësia, Rendi dhe ajo e Punës kanë çaluar. E para, pra Ministria e Arsimit,  ka të bëjë me konfuzionin e krijuar në shkollat tona, ku nuk ka asnjë shenjë pozitive për luftën kundër analfabetizmit në Shqipëri, ku vazhdon ngërçi i shkollave të mesme me literaturë jashtë kohe, ku emërimi i mësuesve po standardizohet me përkatësisë politike dhe jo me aftësi profesionale, ku notat e studentëve jepen në bazë të mitmarrjes dhe jo në bazë të mësimnxënies. Pa llogaritur këtu ndonjë strategji për fëmijët e ngujuar nga gjakmarrja, apo për fëmijët në emigracion. Deri tani nuk është ngritur asnjë grup pune për të verifikuar standardet e  universiteteve private, apo gjimnazeve fantazma, ku nuk dihet se kush vazhdon shkollën dhe kush merr dëftesën, në fund të vitit. Pra, në këtë sektor, situata mund të cilësohet si një “çorganizim i organizuar”, sepse aktualisht, ka edhe shumë “turistë” të huaj që po vazhdojnë të marrin diploma në Shqipëri, pa ardhur asnjë ditë në shkollë. Dhe këtë e pohoi pardje edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Por vetë Tahiri, duket se nuk e ka kuptuar aspak, që ai është vënë në atë detyrë, jo për diplomat false të Arsimit, por për stabilitetin e rendit publik. Në këtë drejtim, puna e Ministrisë së Brendshme është e barabartë me zero. Sepse krimi në Shqipëri vazhdon rritjen galopante dhe aksidentet po shtohen me shifra të frikshme. Kurse vjedhjet dhe krimet e grabitjeve nuk kanë të numëruar. Pa llogaritur këtu punishtet e drogës që po shtojnë përditë e më shumë tregtinë e drogës në Shqipëri. Por sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, Tahiri i shtoi curriculumit të tij, të  edhe arratisjen spektakolare të 7 të burgosurve, të cilët për ca kohë morën peng shtetin. Ndërsa mburrja e Tahirit se, policia i kapi ata për tre-katër ditë, nuk shkon fare, sepse tre prej të burgosurve u kapën prej policisë greke. Por ajo që ka shënuar Tahiri në këta muaj është rritja e aksidenteve dhe e pasigurisë së rendit publik. Për këtë arsye, ai është njëri prej atyre që do të duhet të lirojë karrigen ministrore në muajin janar, për t’i lënë vendin ndokujt tjetër që është më i sprovuar në këtë detyrë.  Po kështu me defekte të rënda është paraqitur gjatë kësaj periudhe Ministria e Shëndetësisë ku ministri Ilir Beqja, ka treguar një ngathtësi të pashpjegueshme. Sepse përveç heqjes së disa kioskave nga spitalet, asgjë nuk është bërë prej tij, në ndihmë të pacientëve të sëmurë. Gjatë çdo dite, kush shkon në urgjencat e spitaleve shqiptare, përballet me mungesa të shumta, duke filluar nga shiringat, ilaçet, fashot, madje edhe termometrat. Kjo është e frikshme të thuhet, por në spitalet tona nuk gjen dot as e dhe një termometër që ti jepet pacientëve. Dhe kështu, pacientët me shpenzimet e tyre dalin dhe blejnë në farmaci, çdo gjë që duhet ta gjenin në spitale. Sepse pacientët i paguajnë në rregull taksat shëndetësore, por duket se ministri Beqja, në këtë karrige ministrore është thjesht, një keqkuptim. Këto ministri do të korrigjohen patjetër, në dhjetëditëshin e dytë të janarit, ku sipas të gjitha gjasave, pritet të diskutohet edhe karrigia e Ministres së Integrimit, Klajda Gjosha, nëse Shqipëria nuk merr në dhjetor, statusin e kandidatit, nga BE-ja. Sepse siç dihet 2 vende janë shprehur kundër marrjes së statusit nga Shqipëria, për shkak të ngadalësimit të reformave. Dhe nëse ndodh kjo gjë, atëherë Gjosha do të zëvendësohet nga një emër tjetër. Por në diskutim është edhe karrigia e Erion Veliajt, i cili mund të shkëputet nga deliri i vetëkënaqësisë, vetëm nëse liron vendin. Se deri tani, e kemi parë vetëm duke bërë poza dhe duke dalë në fotografi me romët, apo me përfaqësuesit e shoqatës GEI. Këtë e bën për reklamë, sepse në thelb, ai ka lënë pa pagesë jo vetëm, romët, por edhe invalidët, apo njerëzit që deri dje, merrnin ndihma sociale. Pra, kjo është pak a shumë panorama e tanishme e kabinetit “Rama”, ku katër-pesë ministra janë duke qëndruar kot në detyrë, pa plotësuar asnjë nga pikat e reformës, por gjithashtu pa bërë asnjë punë. Deri tani këta ministra që përmendëm kanë mbetur me mikrofon në dorë duke dashur t’i mbushin mendjen publikut se ata po punojnë shumë. Por rezultati i punës së tyre ka një bilanc tepër negativ. Prandaj, në pritje të janarit, do të diskutohet për emrat që do të zëvendësojnë këta ministra të dështuar, në mënyrë që të mbahet në këmbë qeveria e re e koalicionit të Majtë.

 

Rama: Shqipëria mori sot një shuplakë, pasojë e shtetit të kalbur

Turpërues dhe shqetësues e ka cilësuar Kryeministri Edi Rama thellimin e korrupsionit në Shqipëri, që e zbriti vendin tonë në vendin e 116 në raportin e TIA. Kreu i kabinetit ia faturoi përgjegjësinë e këtij regresi, keqqeverisjes së paraardhësit të tij Sali Berisha.. Por qeveria e tij,- tha Rama, nuk është e trembur nga ky nivel korrupsioni. “Kjo nuk na tremb, kjo situatë do ndryshojë rrënjësisht. Ndryshimi ka nisur dhe do vazhdojë çdo ditë, dhe gjendja do normalizohet ditë pas dite, me durim dhe përkushtim të madh. Ky përkushtim është venë re nga qytetarët po edhe miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtare. Unë i di vështirësitë e njerëzve në nevojë, sipërmarrësve, pacientëve, mjekëve, personave me aftësi të kufizuar, të papunëve, si dhe i di 1001 punët që kemi për të bërë. Një gjë e bërë keq është më e vështirë sesa ta ndërtosh atë nga fillimi. Varfëria dhe korrupsioni janë armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe kjo qeveri do jetë armiku i tyre i përbetuar në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, deklaroi Rama.

Raporti i Transparency International: Shqipëria vendi më i korruptuar në Rajon

Në renditjen botërore të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2013 Shqipëria pësoi rënie me dy shkallë në renditje. Shqipëria është tashme i 116-ti ndër 177 shtete të listuara duke marrë 31 pikë, nga 33 në vitin paraardhës. Koordinatorja e Transparency International Albania Inesa Hila deklaroi se, institucionet publike dhe zyrtarët e lartë duhet të jenë më transparent në punën e tyre dhe në proceset e vendimmarrjes. Sipas TIA-s korrupsioni në Shqipëri ka gjetur favorizim dhe nga politika dhe ky është një shqetësim serioz pasi pengon përpjekjet e luftës kundër korrupsionit. Shqipëria shënon31 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2013, nga rezultati 33 për vitin 2012. Këtë vit Shqipëria renditet në vendin e 116, duke zbritur në klasifikim 3 vende më poshtë se në 2012. Shqipëria regjistrohet me perceptimin më negative në Europë dhe e fundit në rajon  dhe përfshihet në të njëjtin nivel me Nepalin dhe Vietnamin, si dhe ka mbetur menjëherë pas Nigerisë, Etiopisë dhe Indonezisë.