Ministrat duke sulmuar KLSH, kërkojnë të mos gjykohen për korrupsionin e tyre

461
KLSH, si institucion kushtetues, ka publikuar dy audite që ka bërë në ministrinë e Energjitikës dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe në bazë të përfundimit të auditit ka bërë kallëzime penale në prokurori kundër ministrit Damian Gjiknuri, për dëmin ekonomik në vlerë 479 milionë euro që i ka sjellë buxhetit të shtetit nga marrëveshja “paqësore” që ka nënshkruar me CEZ, ndërsa në Ministrinë e Mbrojtjes ka gjetur shpërdorime në vlerë mbi disa miliardë lekë, dhe ka bërë kallëzim penal kundër anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik. 

Ministra dhe deputetë që sulmojnë KLSH, për ….presion politik ndaj Gjyqësorit
Prokuroria ka regjistruar kallëzimin penal të KLSH për ministrin Damian Gjiknuri, si edhe për ministrinë e Mbrojtjes. Kjo do të thotë, që prokuroria do të hetojë këto kallëzime penale dhe paskëtaj, nga hetimi do të gjykohet për dërgesën e kallëzimit penal të KLSH edhe në gjykatë. Mirëpo, kur prokuroria është në hapat e parë të hetimit, ministri Gjiknuri, del në deklarata publike dhe sulmon institucionin e KLSH, meqë atë e ka kallëzuar penalisht, si një vegël, instrument i akuzave të PD. Po kështu edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, publikisht akuzoi KLSH, se është palë me PD. Po kështu edhe deputeti Ervin Bushati, me deklaratë publike sulmoi KLSH. Përse, reagojnë ministrat dhe deputetët e PS kundër KLSH, kur ende kallëzimi penal është në procesin e hetimit nga Prokuroria? Ata e dinë mirë që KLSH është institucion kushtetues që ka detyrë të auditojë dhe të kallëzojë penalisht çdo abuzim dhe shpërdorim detyre. Atëherë, përse sulmojnë një institucion kushtetues ministrat e deputetët e PS, kur KLSH kryen një detyrë kushtetuese?

 Është arrogancë e qeverisë që publikisht të akuzojë KLSH si instrument i PD, edhe sikur KLSH të auditojë çdo akuzë publike që bëhet edhe nga opozita! Në një sistem politik demokratik, çdo akuzë për korrupsion, qoftë edhe nga forcat politike, duhet të hetohet. Kjo quhet transparencë demokratike dhe kështu të gjithë ndihen të barabartë para ligjit. Por ministrat e kësaj qeverie, nuk duan të jenë të barabartë ndaj ligjit, derisa sulmojnë KLSH, për t’u mbrojtur nga kallëzimi penal, me deklarata publike, duke ushtruar pushtetin e tyre ekzekutiv që u jep posti i ministrit, dhe jo të mbrohen në gjyq, për të provuar aty pafajësinë e tyre. Është e papranueshme që qeveria të sulmojë politikisht Institucionin Kushtetues për kallëzimet penale që KLSH bën në prokurori ndaj ministrive për korrupsion përpara se gjykata të japë vendime për këto kallëzime penale për korrupsion qeveritar. Qeveria sulmon KLSH për t’i bërë presion të hapur prokurorisë që të mos hetojë kallëzimet penale të KLSH për korrupsion qeveritar. Atëherë pyetja është: Sa besueshmëri ka kjo qeveri për reformën në Drejtësi me këtë sjellje institucionale kundër KLSH? Kur qeveria hapur ushtron presion ndaj Prokurorisë sulmon KLSH, që të mos hetohet dhe dënohet korrupsioni qeveritar, si mund të besosh që edhe reforma që ndërmerr qeveria në drejtësi, do të ketë paanshmëri politike? Apo qeveria, kërkon që me reformën, të kapë më lehtë drejtimin e drejtësisë, që të mbetet i paprekur korrupsioni i saj?

Flasin për gazetën “Telegraf” avokatët:
Të pyetur nga gazeta “Telegraf” avokatët Ndue Pjetra dhe Saimir Vishaj, ata u përgjigjën, që askush nuk duhet të flasë, (ca më keq të cilësojë) derisa nuk është shprehur gjykata me vendim të formës së prerë. Av. Ndue Pjetra, pohon se “Çdo vendim i nxituar i politikës është presion ndaj prokurorisë”. Edhe avokat Saimjir Vishaj pohon për “Telegraf” se të gjithë, kanë apo jo faj, duhet të heshtin, sat ë japë gjykata vendimin e formës së prerë. Av. Vishaj thotë se KLSH ka të drejtën e saj që të kallëzojë çdo veprim që ajo e konsideron që është në kundërshtim me ligji. 

Ndue Pjetra: Çdo veprim i nxituar i politikës është presion ndaj Prokurorisë
Institucioni që ka të drejtën e akuzës është KLSH. Derisa personi që është kallëzuar penalisht, qoftë edhe ministër në detyrë qoftë, nuk e ka provuar në gjykatë dhe nuk ka marrë nga gjykata pafajësinë, akuza quhet e provuar. Kur qeveria sulmon KLSH, pa u bërë gjyqi, natyrisht që ushtron presionin e saj. Janë presion tërthorazi, me thënie politike, nuk janë shprehje juridike. Politika nuk ka të drejtë të flasë, kur KLSH bën kallëzime penale kundër ministrave dhe abuzimeve në institucione qeveritare. Çdo veprim i nxituar i politikës është presion ndaj prokurorisë. 

Saimir Vishaj: Të gjithë duhet të heshtin, derisa nuk ka folur Gjykata me vendim të formës së prerë
Është e drejta e KLSH të kallëzojë çdo veprim që ajo e konsideron se është në kundërshtim me ligjin. Prokurorinë nuk e ndalon dot asgjë që të hetojë kallëzimet penale të KLSH. Derisa nuk ka ndonjë vendim të formës së prerë, për aq kohë që prokuroria ka nisur procedim për të gjetur fajtorët, të gjithë duhet të heshtim. Të gjithë duhet të heshtim , ka faj ose jo, derisa gjykata nuk është shprehur. Të gjithë (edhe qeveritarët) duhet të heshtin, derisa të shprehen organet e drejtësisë me një vendim të formës së prerë
Sigal