Ministrat dhe deputetët që kanë fshehur dënimet, çfarë parashikon ligji

653
Zbardhen formularët e vetëdeklarimit të drejtuesve të institucioneve të pavarura, përfshi këtu edhe atë të Presidentit Bujar Nishani. Nga formularët e vetëdeklarimit, rezulton që Kreu i Shtetit në fëmijërinë e tij ka mbajtur mbiemrin Mehmeti, vetëm në dokumentet e shkollës, ndërsa ka qenë i padënuar dhe hetuar më parë nga drejtësia shqiptare, apo e ndonjë vendi tjetër. Po kështu Kryeprokurori Adriatik Llalla, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko dhe Kreu i KLSH-së Bujar Leskaj, kanë deklaruar se nuk janë hetuar apo ndaluar ndonjëherë për ndonjë vepër penale. Por formularët e vetëdeklarimit kanë zbardhur se disa nga drejtuesit e institucioneve kanë ndryshuar edhe emrat dhe mbiemrat. Kështu ish-Rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule e ka pasur identitetin Theodhor Kuli, ndërsa kryetarja e KQZ Lefterie Luzi, e ka pasur emrin Lumturie. Gjithashtu edhe anëtarja e KQZ, Vera Shtjefni ka ndërruar emrin, ndërsa më parë ajo quhej Luçe. Po kështu anëtari i KQZ-së Klement Zguri, rezulton se ka ndryshuar emrin. Më parë ai quhej Klementin. Me gjeneralitete të ndryshuara rezulton dhe anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë, Ela Golemi, e cila më parë quhej Manurela Golemi. Ndërsa një tjetër anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Denada Prifti, rezulton se jeton prej vitit 1994 në Gjermani. Ndërkohë i dënuar me 8 vite heqje lirie rezulton Gëzim Peshkëpia, anëtar i Instituti të Studimeve për Krimet dhe pasojat e Komunizmit, ku po ashtu rezulton se në formular ka deklaruar se ka fituar azil politik në Gjermani gjatë viteve ’90. Dënimin e tij Peshkëpia e përshkruan si politik dhe ai rezulton se është dhënë më 30 mars 1976 me vendim nr. 180. Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, shkruan në formularin e vetëdeklarimit se nga 1991 e deri në 1993, ka qenë emigrant në Greqi. Ndërsa kreu i ILDKP, Shkëlqim Ganaj rezulton të ketë kryer pushime të gjata vjetore në Turqi nga viti 2009 deri në vitin 2013.

Ministrat dhe deputetët që kanë fshehur dënimet

Prej 3 ditësh Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur verifikimin e formularëve të vetëdeklarimit të zyrtarëve që janë subjekt i ligjit për dekriminalizimin. Por nga shqyrtimi i formularëve të depozituar bie në sy fakti që disa nga zyrtarët nuk kanë deklaruar dënimet e marra nga Gjykatat me gjobë pas padive për shpifje. Kështu rezulton se të paktën 4 ligjvënës të Partisë Socialiste dhe 3 ministra nuk kanë deklaruar në formularët e vetëdeklarimit dënimet që kanë marrë nga Gjykatat. Sipas ligjit të dekriminalizimit, zyrtarëve, deputetëve apo të zgjedhurve në funksione publike që fshehin të dhënat në formularin e vetëdeklarimit u ndërpritet mandati apo funksionet dhe ndiqen penalisht. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri rezulton i dënuar 4 herë nga gjykata, gjatë kohës që ka qenë deputet i PS, kur kjo forcë politike ka qenë në opozitë. Padia e parë ndaj tij u bë në vitin 2011 nga deputetja Albana Vokshi, pasi Tahiri e akuzoi se bashkëshorti i saj kishte përfituar nga puset e naftës. Gjykata e dënoi në atë kohë Tahirin me 3.3 milionë lekë gjobë. Por ky dënim nuk është shënuar në formularin e vetëdeklarimit që ministri i Brendshëm ka dorëzuar në KQZ. Në vitin 2012 pati dy dënime të tjera ndaj Tahirit, po për shpifje. 

Gjykatës iu drejtuan fëmijët e ish –kryeministrit Berisha, ndërsa Tahiri u dënua me 50 milionë lekë të vjetra në një rast dhe me 100 milionë lekë të vjetra në rastin e dytë. Në vitin 2013 gjykata e dënoi me 7 milionë lekë të vjetra pas një padie të bërë nga Genc Ruli, në atë kohë ministër i Bujqësisë. Tahiri e akuzoi atë se kishte lidhje me firmat që zotëronin minierat në Bulqizë, por ministri Ruli e paditi dhe gjykata i dha të drejtë duke e dënuar Tahirin për shpifje. Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, është dënuar në vitin 2011 nga Gjykata e Tiranës me 1 milionë lekë gjobë kur ajo ishte deputete e PS. Vendimi u dha për shkaktimin e dëmit jopasuror ndaj një biznesi, konkretisht kompanisë së ndërtimit “Ferar”. Në vendimin e gjykatës thuhet se deklaratat e deputetes së PS-së përbëjnë shkelje të ligjit dhe për këtë vendosi ta dënojë atë duke e detyruar të dëmshpërblejë kompaninë “Ferar”, për dëmin që i ka shkaktuar. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, u padit nga Albana Vokshi. Gjykata e Shkallës së parë e Tiranës e shpalli fajtore dhe e dënoi me 2.5 milionë lekë gjobë. çështja përfundoi në apel, por deputetja Vokshi u tërhoq nga kërkesa për shumën prej 2.5 milionë lekësh dhe kërkoi detyrimin e ministres Kodheli për t’i paguar vlerën simbolike prej 1 euro. Deputeti Taulant Balla u dënua me 7 milionë lekë të vjetra gjobë për shpifje ndaj zv. Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të asaj kohe, Agron Kuliçaj. Vendimi u dha nga gjyqtarja Rozeta Vigani. Dy vjet më vonë, në vitin 2013, Taulant Balla u dënua për shpifje ndaj djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha me 20 milionë lekë të vjetra. Por ky vendim u rrëzua pas ardhjes së PS në pushtet, nga Gjykata e Apelit. Deputeti socialist Erion Braçe, aktualisht kryetar i Komisionit të Ekonomisë, është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës me 10 milionë lekë të vjetra po për shpifje ndaj deputetes Albana Vokshi. Gjykata e shpalli fajtor për shpifje për akuzat që ai bëri ndaj deputetes, se ka ndikuar në përfitimin e lejeve koncesionare nga bashkëjetuesi i saj. Ndërsa, kolegu i tij Artan Gaçi është dënuar me 20 milionë lekë të vjetra gjobë po për shpifje ndaj deputetes Vokshi, pasi e akuzoi se bashkëjetuesit të saj i ishin kaluar kontrata për blerje nafte nga nëntoka shqiptare për 25 vjet. Deputeti Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, u dënua me 10 milionë lekë po për shpifje ndaj deputetes së PD, Albana Vokshi.
Sigal