Raporti i OECD-së: Rekrutimet në shtet janë të centralizuara dhe me teserën e partisë. Ministrat përzgjedhin drejtuesit e lartë të administratës së shtetit. Shqipëria ka numrin më të madh të të zbuarve nga administrata publike

Një raport i publikuar nga projekti i mbështetjes ndaj qeverisë, i njohur ndryshme si SIGMA e që është një iniciativë e përbashkët e OECD dhe Bashkimit Europian, tregon qartë se, Shqipëria vuan influencën e lartë politike në administratën shtetërore. Raporti i sapo publikuar i referohet të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe jep të dhëna mjaft interesante.

Këshilltarët  politik të ministrave më të shumtë sesa edhe drejtorët e Përgjithshëm

Nga këto të dhëna rezulton se, Shqipëria është i vetmi vend në rajon, ku numri i këshilltarëve politik nëpër ministri është më i lartë se ai i drejtuesve të nivelit të lartë, raporti është 135 kundër 115. Nga ana tjetër, në raport nënvizohet fare qartë fakti se, në Shqipëri, ministrat kanë autoritet të plotë në përzgjedhjen e drejtuesve të lartë nga një grup i caktuar kandidatësh të para-seleksionuar, çka do të thotë se, edhe në poste jo-politike, përzgjedhja është politike. Madje, paradoksalisht, Shqipëria rezulton të jetë i vetmi vend, ku drejtuesve të lartë i ndalohet rreshtimi politik, edhe pse kjo mund të cilësohet si një shkelje e të drejtave themelore të njeriut.

Politika përfshihet drejtpërdrejt në Administratën Shtetërore

Përpos kësaj, raporti sqaron se, Shqipëria ka nivelim më të lartë të centralizimit të procesit të rekrutimit të drejtuesve të lartë, duke shtuar madje se ky është një rast unik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Të gjithë faktorët e lartpërmendur sinjalizojnë një përfshirje të drejtpërdrejtë të politikës në administratën shtetërore. Të dhëna të tjera ndërkohë tregojnë se, Shqipëria ka ndër normat më të ulta të kandidatëve për një post drejtues, vetëm 2.1 për pozicion, ndërkohë që në vende si Serbia ngjitet deri në 5.

Shqipëria ka normën më të lartë të largimeve nga pozicionet e drejtuesve të lartë

Nga ana tjetër, Shqipëria rezulton të ketë normën më të lartë në rajon të largimeve nga pozicionet e drejtuesit të lartë, në masën 18%, paçka se, kanë mbetur në të njëjtat pozicione duke ndërruar vetëm dikasterin.

Punësimet në adinistratën publike me teserën e partisë

Një nga problemet e rënimit të adminsitratës publike në Shqipëri është edhe largimet dhe punësimet, që ndodhin sa herë bëhet rotacioni i pushtetit. Partia që vjen në pushtet, punën e nis duke larguar nga administrate publike të gjithë punonjësit, të cilët i konsideron si kundërshtarë politik dhe në vend të tyre emëron militantët e saj, të cilët i emëron në poste të administratës së shtetit sipas kontributit elektoral dhe lidhjeje që ka secili me ministra, deputetë e kryetarë partisëh në qarqe, dhe shumë pak kihet parasysh meritokracia e të punësuarit për të plotësuar kriteret e vendit të punës. Buxheti i shtetit paguan edhe faturën financiare të këtij fenomeni, pasi të zbuarit nga administrate publike janë larguar në kundërshtim me ligjin “Për Nëpunësin Civil” dhe gjykatat, thuajse në shumicën e rasteve, vendosin që shteti të dëmshpërblejë të zbuarit, për shkak se largimet e tyre nga adminsitrata publike kanë qënë në kundërshtim me ligjin përkatës.

Sa i përket hendekut gjinor, Shqipëria përfaqësohet mirë, me 40% të pozicioneve drejtuese të nivelit të lartë që i mbajnë femra, ndërkohë që në Kosovë norma zbret në vetëm 9%. Maqedonia mban rekordin në rajon me 53% të pozicioneve drejtuese për femrat.