‘Mini Shengeni ballkanik’, Petrit Vasili: Kjo soj Jugosllavie e re, thjesht një vdekësirë, synon të akomodojë intrigat e disa liderëve

92

Nga Petrit Vasili.

Dështimi dramatik i Edi Ramës në procesin e integrimit është një faj historik i pashlyeshëm i tij.

Ai është e do të mbetet zhgënjimi më i madh për shqiptarët, të cilët besuan dikur tek ky fjalaman, që i katandisi ata nga bulevardi i gjerë i Evropës,  tek rruga e dhive të Jugosllavisë së re.

Shqiptarët presin hapjen e negociatave për anëtarësim në BE dhe kjo aspiratë e tyre është legjitime dhe hap realisht perspektiva shumë të gjëra për vendin dhe për çdo qytetar.

Jugosllavia e re nuk është asgjë tjetër veçse një shpirt i vdekur dhe një relike pa asnjë vlerë.

Bashkimi Evropian dhe realiteti integrues që ai realizon si në planin e lëvizjes së lirë, në planin ekonomik dhe atë politik, është një projekt shumë i madh përballë të cilit Jugosllavia e re është veçse një reminishencë provinciale qesharake.

Jugosllavia e re, pas të cilës bredh me një gëzim të dëshpëruar, Edi Rama e bën atë që t’i ngjajë dhimbshëm Çiçikovit, personazhit të famshëm të Nikollaji Gogolit, që mblidhte Shpirtra të Vdekur.

Kjo soj Jugosllavie e re është thjesht një vdekësirë, që synon të akomodojë intrigat dhe ambiciet demode të disa liderëve ballkanikë.

Këta liderë, të cilët, të paaftë të përballen me sfida madhore si anëtarësimi në BE, përpiqen të krijojnë by pass të rinj, thënë më thjesht të zëvendësojnë autostradën e gjerë të BE me një rrugë dhish fshati, si kjo medemek e Jugosllavisë së re.

Është e qartë se një kryeministër tërësisht i paaftë, mediokër dhe vulgar si Edi Rama, e gjen më së miri veten në këto nisma të vdekura sorrosiste, që devijojnë nga rruga transparente dhe vizionare e integrimit evropian në integrimin fshataresk drejt një projekti të vdekur pa kuptim dhe me zero impakt si ky i pseudo-Jugosllavisë.

Çdo lloj mikropengese burokratike mes vendeve të Ballkanit ka dhjetra mundësi të thjeshta zgjidhjeje përmes marrëveshjeve dypalëshe , ndaj dhe butaforia e Jugosllavisë së re, thjesht është kundër atij dimensioni që qytetarët presin dhe që është aspirata e pandryshuar për të qënë pjesë e BE.