Mini-Shengeni Ballkanik/ Pandeli Majko del kundër Ramës: Shengeni për Shqipërinë është me Italinë, jo Rajonin

121

Ministri Majko (sërish) kundër Edi Ramës për Mini-Shengenin e Ballkanit

Jo vetëm politikanë të opozitës dhe politikanë nga Kosova. Edhe nga brenda qeverisë Rama ka zëra që janë kundër projektit për “Mini-Schengenin Ballkanik”. Një prej tyre është edhe ministri i Diasporës, ish-kryeministri gjatë luftës në Kosovë dhe një prej senatorëve të PS, ministri i Diasporës Pandeli Majko, ka dalë publikisht kundër idesë Rama-Vuçiç. Në një takim me studentët shqiptarë të arkitekturës që studiojnë në universitetin e Firences në Itali, ministri i Diasporës Pandeli Majko është shprehur se, Shengeni më i rëndësishëm për Shqipërinë është ai me Italinë dhe jo me Rajonin. “Kemi dëgjuar këto kohë të flitet për shumë lloje Shengeni në rajon, por mendoj se Shengeni më i rëndësishëm i Shqipërisë është ai me Italinë”, tha ndër të tjera ministri i kabinetit “Rama”. Gjatë javës së kaluar, teksa kryeministri Rama përgatitej për Samitin e Ohrit ku bëri deklarata të ashpra kundër Kosovës, mësohet se ka pasur tensione në mbledhjen e qeverisë. Ka qenë pikërisht Ministri i Diasporës Pandeli Majko që nuk e ka përkrahur idenë e kryeministrit, e cila përjashton Kosovën nga takimet rajonale dhe afron Shqipërinë me Serbinë.