Minatori, Ramës: Kryeministër preje pak timonin majtas, shumë djathtas po ec

80
Me Ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj në krah, kryeministri Edi Rama zhvilloi një interpelancë online me themeluesit e Sindikatës së Minatorëve “Janar 1991”, sot të dalë në pension, për ecurinë e projektit të Statusit të Minatorit
Teksa shpalosën kërkesat e tyre të artikuluara edhe në protestën e fund marsit, një minator nga Mirdita mes batutave pati një rekomandim për Ramën: “Kryeministër preje pak majtas timonin se shumë djathtas po ec. Jemi njerez ne nevoje. Preje edhe pak majtas per njerezit ne nevoje”.
Por në kundërpërgjigje, shefi i qeverisë tha se i gjithë përceptimi për rritjen e taksave është një keqkuptim dhe në shumicën e rasteve sipas tij ngatërrohet me tarifat e pushtetit vendor.
Rama: Ka keqkuptim të madh sa i takon taksave. Po marr ilaçet, sot ka ndryshim të madh mes aksesit në medikamte të popullatës, kemi hequr taksën mbi ilaçet, kemi përfshirë në listën e rimbursimeve 600 mijë njerëz që nuk janë pjesë e sistemit të sigurimeve, kemi rritur listën e ilaçeve të rimbursueshme. Ka ende për të bërë por të gjitha këto para të kursyera njerëzve janë para që i paguan buxheti i shtetit. Përjashto taksën mbi më të pasurit, taksën e karburantit, unë ju sfidoj të më tregoni një taksë tjetër që ka rritur qeveria. Kemi ulur taksat për 97% të punonjësve në shtet apo privat që deri dje paguanin 10%. Kemi bërë zero taksën e biznesit të vogël nga 1-5 milion. Nëse njerëzit ishin mësuar të mos paguanin dritat, ujin, kostot e shërbimeve dhe sot i paguajnë, këto nuk janë taksa. Më vjen keq që ngatërrohet politika jonë e taksave me tarifat e pushtetit vendor, është autonomi e tyre.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, tha se qeveria ka një draft të dakordësuar me Sindikatat mbi të cilin po punohet, ndërsa e cilësoi të mundshme kërkesën e minatorëve për rritjen e pagës minimale.
Gjiknuri: Brenda prillit ne kemi një draft deri diku të dakordësuar. Realizuam uljen e moshës së pensionit, me kosto financiare për shtetin por ishte gjë shumë e mirë që ndodhi. Kemi pritur të vijë ky draft i dakordësuar, jemi në komunikim. Do inicioj që pas kësaj interpelance grupi i punës të takohet me sindikatat për draftin e ardhur nga një grup i sindikatave. Mendoj se paga minimale mund të realizohet. Pjesa tjetër janë çështje që kanë implikime financiare dhe ne duhet ti shohim së bashku që të gjejmë një të mesme të përbashkët.
Edhe Ministri i Financave Ahmetaj vlerësoi se disa nga propozimet e minatorëve janë të mundshme për tu reflektuar.
Kryeministri Rama teksa garantoi minatorët se do të përmbushë brenda këtij mandati premtimin për statusin e minatorit, kërkoi bashkëpunimin e sindikatave për pastrimin e listave të skemës së pensioneve.
Rama: Jemi në kushtet kur ka një dialog dhe ka një ndërveprim mes qeverisë dhe grupeve të ndryshme të sindikatave të minatorëve.Kemi gatishmërinë dhe fleksibilitetin e duhur për të avancuar deri aty ku e mban buxheti dhe interesi i përgjithshëm.
Ka një ngërç mes atyre që kanë dalë në pension para reformës sonë. Jemi të interesuar për propozimin tuaj për rritjen e pagës minimale të minatorëve, siundër jemi shumë të interesuar dhe për skemën lidhur me përshkallëzimin. Dhe kjo bën sens. Sigurisht ka një kosto por duhet ti shohim bashkarisht. Jo të gjithë lapsat i nxjerrin mirë llogaritë në fund.
E fundit, nevoja për të pastruar skemën. Kemi shumë probleme me dokumentacionet e trashëguara dhe qasja drejt statusit nëse nuk pastrohet skema bëhet kërcënuese për vetë rezultatin.
Duhen pastruar listat nga ata që shfaqen sot si ish-minatorë dhe nuk meritojnë të jenë pjesë e procesit.Të mos kemi manipulime dhe abuzime, të jetë një listë e dakordësuar.
Në raport me jetën dhe çfarë ndodh pas duhet të kemi parasysh që rruga nuk është buxheti i shtetit por sigurimi i jetës. E kemi pjesë të planit tu imponojmë kompanive sigurimin e jetës së çdo minatori.