Mimoza Hajdarmataj: Shteti e ka mbyllur derën e buxhetit për Tropojën

671
Në një intervistë për “Telegraf” deputetja e qarkut të Kukësit Mimoza Hajdarmataj trajton disa nga problmatikat që shqetësojnë shqiptarët në përgjithësi dhe tropojanët në veçanti. Sipas saj qeveria ka dështuar në politikat e punësimit, në reformën në shëndetësi, në ndëshkimin e pamerituar ndaj biznesit të vogël, etj. Gjithashtu deputetja Hajdarmataj akuzon qeverinë se ka instaluar skamjen me totalitarizëm, duke shtuar se dhuna dhe pushteti i lidhur me krimin nuk janë standarde për Shqipërinë në NATO. 
Zonja Hajdarmataj, ju jeni deputete përfaqësuese për Tropojën, cilat janë problematikat që shqetësojnë më së shumti këtë rreth?
Problematikat në spektrin e përgjithshëm janë ato që shqetësojnë gjithë Shqipërinë. Ashtu si në gjithë vendin, kriza e rendë ekonomike që lidhet me papunësinë e lartë, taksat e tarifat e papërballueshme të shërbimeve si faturat e dritave, arsimi, shëndetësia, transportit për shkak të karburantit etj., po bëjnë që e sotmja e familjeve tropojane të jetë e vështirë ndërsa e nesërmja, nëse vazhdohet kështu, gati e pashpresë. Në vend që ta orientoje vendin drejt politikave zhvillimore dhe shfrytëzimit të resurseve që ka çdo zonë për ta arritur ketë, qeveria po godet rënde kudo dhe këdo. Për t’iu referuar më lokalisht, Bajram Curri ka probleme me varfërinë e thellë familjare, heqja e ndihmës ekonomike në mënyre arbitrare nga qeveria, heqja e invaliditetit, qindra personave, ku me një të renë të lapsit iu mohua e drejta e pensionit dhe kështu në dy vjet shteti goditi frontalisht dhe arbitrarisht xhepat e lodhur të çdo malësori. Duke mos mjaftuar këto, tropojanët u përballen me të njëjtin arbitraritet për sa i përket mbifaturimeve të dritave apo kamatave abuzive. Me gjithë vullnetin që kanë treguar konsumatoret e rregullt të energjisë për të paguar faturat, dhe për këtë ekzistojnë shifra pranë OSHE, kanë mbetur peng i errësirës dhe arrogancës se shtetit asocial, qindra familje, më të varfrat e rrethit, të cilët vazhdojnë të figurojnë debitorë pranë kompanisë, në vlera aq sa ka deklaruar pasurinë, kryeministri i vendit të tyre. 
Është përfolur shumë herë mungesa e investimeve në Tropojë në dy vite qeverisje nga socialistët, sa e vërtetë është dhe a besoni se qeveria do ndryshojë qëndrim?
Përgjigja e kësaj pyetje nuk është perceptim por fakt i bazuar në statistika konkrete. Nëse në 8 vite të qeverise Berisha, në Tropojë është investuar sa në 50 vitet pararendës, këto dy vite të qeverisje oligarkike janë të turpshme për sa i përket investimeve por jo vetëm. Në këto dy vjet qeveria e ka mbyllur derën e buxhetit për Tropojën. Kjo qeveri nuk e ka përfshirë në zhvillimin urban, njësinë administrative vendore të Tropojës dhe nuk ka asnjë plan për infrastrukturën e saj. Asnjë investim në rrugë, ujësjellës-kanalizime, sistemin e vaditjes, subvencionet në bujqësi etj. E ke dëgjuar ndonjëherë Ramën apo ministrat e tij të përmendin emrin Tropojës, përveçse ndonjë batutë me sfond diskriminues që bën në seancë plenare? Tropoja nuk përmendet në projektet me donatorë ndërkombëtarë të qeverisë dhe as në konferenca ekonomike apo të ndonjë drejtimi tjetër. Kjo qeveri sillet me Qarkun e Kukësit dhe me Tropojën sikur të ishte një ngastër e veçuar dhe jo si një krahinë me resurse të mëdha turistike, por dhe me mundësi zhvillimi industrial për shkak të pasurive të mëdha minerare, nëntokësore. Për shembull Valbona është një kristal i rrallë i turizmit alpin, por që kjo qeveri e ka lënë krejt pas dore dhe pa asnjë projekt zhvillimi. Çdo arritje dhe njohje ndërkombëtare e Valbonës si destinacion, është meritë e banorëve të mençur dhe me nuhatje të kësaj zone. Kjo është edhe arsyeja që unë sa herë me jepet rasti, ngre zërin (do të vazhdoj ta bëj me këmbëngulje edhe në vazhdim) që të dëgjoje qeveria dhe mos vazhdojë vetëm me propaganda ashtu si me çdo gjë tjetër deri tani.
Cili është mendimi juaj për procesin e dekriminalizimit të Kuvendit?
Për mua, shqetësimi kryesor është se si u arrit deri këtu, që për turpin e kësaj mazhorance, jemi sot duke diskutuar dhe debatuar për dekriminalizim dhe për më tepër të institucionit më të rëndësishëm në vend siç është Parlamenti. Procesi është thelbësor për kthimin e shtetit ligjor dhe besimin tek një qeveri dhe Parlament i funksional dhe përfaqësues. Kur krimi merr mandate parlamentare dhe ekzekutive atëherë nuk funksionon shteti i ligjit, por ligji i të fortëve. Nuk mund të ketë politika të përgjegjshme, të drejta të njeriut të zbatuara, programe zhvillimi, institucione të pavarura dhe një shoqëri të lirë pa këtë proces. Dekriminalizimi është një emergjencë dhe ka kaluar përtej mbrojtjes si çështje politike. PD ka meritën historike që këtë proces e filloi dhe e bëri publik domosdoshmërinë e tij jo si kauzë për të fituar kredo dhe mbështetje politike, por si nevojë absolute për të mos lejuar më që fatet, orientimin e vendit dhe interesat e shqiptarëve ti përfaqësojnë njerëzit me të kaluar kriminale, që janë me mburojën e mandatit parlamentar. Më një parlament, qeveri dhe institucione të kapura integrimi në BE do të mbetet gjithmonë një ëndërr në largim Kjo qeveri me dhunë , terror dhe skamje ka instaluar një rrëgjim totalitar. Me pushtet të inkriminuar dhe dhunë nuk mund të funksionojë një shtet anëtar në NATO dhe pa rrëgjim vizash. Kjo qeveri dhe mazhorancë ka vendosur standardet e një rrëgjimi totalitar dhe aspak të demokracisë që funksionon.
Ndërkaq ka dy projekt-ligje për dekriminalizimin; ku ndryshon projekti juaj nga ai i mazhorancës?
Dallimet janë parimore esenciale, sepse këtu ndahen dy botëkuptime të mëdha. Ne si opozitë kemi platformën e shtetit mbi ligjin, ndërsa projekti i tyre është platformë e demagogjisë dhe manipulimit të opinionit se gjoja po punon për pastrimin e krimit nga pushteti. Në thelb projektligji i qeverisë është drafti i njerëzve të kapur nga krimi që nuk përballen sy më sy me krimin por me oportunizëm dhe me konformizëm.
Demokratët po luftojnë seriozisht që institucionet të drejtohen nga njerëz me integritet dhe profesionalë, ndërsa socialistët kërkojnë formalitet, sikurse është vendimi i gjykatës. Kur populli ngre zërin dhe thotë se X apo Y njeri nuk mund të më përfaqësoj në Kuvend apo Bashki se ka patur probleme me trafikun e drogës, atëherë ti si forcë politike që përfaqësohesh nga njeriu në fjalë, duhet të reagosh menjëherë me tërheqje dhe jo të presësh që të dalë në publikim vendimi i gjykatës, apo dosja e Interpolit… Për sa i përket dallimeve pikë për pikë të neneve të veçanta, grupi i deputetëve dhe ekspertëve në PD për reformën në drejtësi, po i bën ato publike dhe të qarta për opinionin ditë për dite. Në këtë ligj ekspertët e PD-së kanë parashikuar një sërë dispozitash që e bëjnë ligjin efektiv dhe jo një draft që është i pazbatueshëm për terrenin shqiptar. Për shembull është parashikuar një instrument i rëndësishëm sikurse janë gjurmët e gishtërinjve. Nuk duhet të ketë asnjë dilemë dhe nuk do të jetë e negociueshme në organet kushtetuese dhe të tjera që, jo vetëm personat e dënuar me emrin e tyre por edhe ata që kanë ndryshuar identitet pas dënimit apo e kanë bërë me një identitet tjetër të falsifikuar, të kenë mundësi të futen,si rasti i deputetit Frroku që rezulton me 5 emra. Të dhënat biometrike dhe në mënyrë të posaçme gjurmën e gishtave janë një instrument i garancisë për zbatim efikas.
Shqipëria është përfshirë nga valë masash të ashpra, sidomos ndaj biznesit të vogël, sa dakord jeni ju si opozitë dhe cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?
Partia Demokratike edhe në kohen kur ka qenë në pushtet edhe tani, ka besuar dhe beson që zhvillimi i ekonomisë vjen nëpërmjet strategjive. Pra jemi për strategji, jo për aksione. Aksionet policeske janë të destinuara të dështojnë për arsyen e vetme se janë të mbështetura mbi “dhunën” dhe jo “ndërgjegjësimi”. Deri tani historiku i aksioneve të qeverise kanë rezultuar të dështuara si p.sh ai i energjisë, që pavarësisht se përmirësoi financat e sektorit të energjisë, rezultoi në ulje të konsumit të shqiptareve. Aksioni të tilla duhet që fillimisht të fokusohen te biznesi i madh, pasi aty bëhet pjesa më e madhe e evazionit dhe jo të fillohet me biznesin e vogël, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve fitimet i kanë as sa një rrogë minimale mujore. Gjithashtu kundërshtojmë me forcë rritjen e gjobave që ka sjelle qeveria për miratim e parlament. Nuk është zgjidhje rritja e gjobave dhe përsëri këmbëngul që nevojitet një strategji e cila ndihmon në edukimin e bizneseve për respektimin e kuadrit ligjor. Biznesi duhet trajtuar si partner ndërkohë që qeveria po e shikon si armik. Deri tani filozofia e qeverise ka qenë lufte dhe jo bashkëpunim. Me gjobat e propozuara, shume biznese rrezikojnë falimentin apo rrezikojnë mungesën e likuiditetit.
6. Pak ditë më parë keni deklaruat se janë rreth 600 familje pa energji elektrike në Tropojë, ju kërkuat rikthim te skemës lehtësuese, çfarë do të ndodh me këto familje?
Në të gjitha ligjet e vendeve europiane, ekziston koncepti ” klient në nevoje” i cili nënkupton çdo klient familjar, që për shkak të gjendjes sociale, gëzon disa të drejta të veçanta lidhur me furnizimin me ujë, drita, gaz etj. Familjet që kanë mbetur jashtë skemës lehtësues të pagesës së faturës së energjisë, asaj mujorë respective plus kësteve të përcaktuara në bazë te një marrëveshje paraprake me OSHE, janë familjet me të varfra të tropojës. Skema aktuale e likuidimit është shume e rënd, madje e papërballueshme për ta. Imagjinoni se si mund të paguaj një familje e tille që si të ardhura familjare ka vetëm ndihmën ekonomike prej 34 mije leke, ndërkohe që për shkak të faturimeve abuzive në vite që ju përmenda më lart, ata figurojnë debitor në vlera deri 3 milion lekë dhe këste mujore për këtë arrijnë deri në 200 mije lekë/ muaj. Ja more borxh muajin e parë, hajde mund të shesësh ndonjë bagëti muajin e dyte….po 10 muajt e tjerë si t’ia bëjnë? Prandaj kam ngritur zërin dhe do insistoj që të rishikohet skema aktuale e pagesës duke rikthyer atë të mëparshmen e cila parashikon që për këto familje pagesa të bëhet me jo më shumë se 10 mijë lekë/muaj. 
7. A është e vërtetë se spitali i qytetit të Bajram Currit vuan mungesën e mjekëve specialist dhe pacientët detyrohen të udhëtojnë drejt spitalit të Gjakovës ?
Se si është shëndetësia sot, ketë munden ta pohojnë të gjithë ata që iu ka renë rasti për fat të keq që ti drejtohen dyerve të spitaleve në çdo cep të Shqipërisë. Kemi një shëndetësi në pikë të hallit. Si deputete kam replikuar drejtpërdrejtë me ministrin në seanca plenare duke paraqitur para kolegeve dhe qytetarëve disa fakte trishtuese për situatën e shërbimit shëndetësor në spitalin e B.Currit me të cilin ” krenohet” ministri.
-Reparti ditor i urgjencës së këtij spitali ka mungesë të preparateve antibiotikë për mjekimin e pacienteve që vijnë në këtë urgjence, mungesa të cilat shkojnë deri tek vagoni për vendosjen e një serumi.
-Në spital nuk ka reanimator dhe as mjek pediatër të specializuar. 
– Pjesa më e madhe e doktorëve të spitalit janë mjekë në pension, shumë të respektuar për karrierën e tyre por në mungese te politikave nxitëse dhe stimuluese për mjekët e rinj, spitali dhe qendrat shëndetësore vuajnë mungesën e personelit të ri dhe të kualifikuar mjekësor. Nisur nga të gjitha këto, të gjithë rastet e paraqitura me aksidente apo urgjenca të tjera të cilat kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale, në mungesë të reanimatorit detyrohen të shkojnë në Kosovë apo të nisen drejt Kukësit dhe Tiranës. Mjeku kirurg mund të marrë përsipër vetëm raste mjekimesh sipërfaqësore,por jo ndërhyrjet kirurgjikale me anestezi.
Gjithashtu edhe gratë shtatzëna që për arsye të ndryshme nuk mund të kenë një lindje natyrale janë të detyruara të marrin rrugën e Kosovës për lindje me operacion.
A janë këto fakte që mund të bëjnë ministrin krenar për shëndetësinë?
Sigal