Mimoza Hafizi: Platforma Blushi, lajm shumë i mirë për Partinë Socialiste

591
Deputetja e PS, Mimoza Hafizi, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke iu referuar deklaratve të ambasadorit amerikan Lu, për deputetët kriminelë, që pengojnë reformën në drejtësi, thotë se ky fakt tregon degradimin e klasës tonë politike. Zonja Hafizi, pohon se akoma shteti nuk ka krijuar një administratë profesionale, dinjitoze, larg politikës. Zonja Hafizi distancohet kundër deklaratave të deputetit Balla, i cili akuzoi Blushin se flet me gjuhën e PD, kur kritikon qeverisjen socialiste dhe zonja Hafizi shprehet se, “Detyra e çdo deputeti, çdo përfaqësuesi të popullit, është e lidhur me qeverisjen që t’i përafrohet sa më shumë perceptimit dhe gjykimit të qytetarëve”. Deputetja socialiste Hafizi thotë se « Unë do ngulmoj që Kongresi i PS të hapë garën për kryetarin e PS, sipas statutit aktual ». Ndërsa duke iu referuar platformës së Blushit, deputetja socialiste Mimoza Hafizi pohon se « Kjo platformë synon që partia të kthehet në pronë dhe instrument të anëtarësisë së saj. Ky dokument është një lajm shumë i mirë për Partinë Socialiste».
-Zonja Hafizi, pyeta një drejtor të Përgjithshëm të një institucioni shtetëror, i emëruar nga PS, ku mund të bëj kërkesë për punësim, sipas njoftimit të DAP. Drejtori më përgjigjet: Ju kritikoni Qeverinë tonë, si guxoni të pretendoni të punësoheni në shtet! Duke përgjithësuar fenomenin, pyetja është: Ju mund të mohoni akuzat, perceptimin që kanë shqiptarët sot se për t’u punësuar në shtet, duhet të jesh ose militant partie, ose mik i deputetit e ministrit?

Besoj se DAP i ka dhënë qartë të gjitha procedurat se ku duhet konkurruar. Normalisht, asnjë Drejtor i Përgjithshëm nuk është kompetent për të sqaruar privatisht kriteret dhe procedurat e punësimit. Nëse bën diçka të tillë, ai shkel ligjin.
Perceptimi i shqiptarëve është formuar në dekada, përballë një shteti, që ende nuk po arrin të krijojë një administratë profesionale, dinjitoze dhe larg politikës.

– Kur Ambasadori Amerikan Donald Lu në nëntor 2015 deklaroi publikisht se “Ministrat e korruptuar dhe deputetët kriminele nuk e duan, por e pengojnë Reformën në Drejtësi?”, e ka fjalën për ish- ministrat apo edhe të tanishëm? A ka deputetë kriminelë PS, siç akuzon Donald Lu?

Për këdo ta ketë patur fjalën zoti Lu, deklarata e tij, e përfaqësuesit të shtetit më të madh mik që ka vendi ynë, tregon për shkallën e degradimit të klasës sonë politike. Mendoj se parlamenti ynë nuk është në nivelin që Shqipëria e meriton, pas 25 viteve demokraci.

– Ju keni pohuar publikisht, që nga Shkodra janë votuar delegatë në Kongresin e PS edhe 5 të papunë. Nëse atyre do t’u lejohet të flasin në Kongresin e PS, çfarë suksesi të qeverisjes së “Rilindjes” mund të pohojnë?

Përderisa ata pranojnë të jenë delegatë në Kongresin e Partisë Socialiste, besoj se kanë shpresë që gjërat mund të përmirësohen për ta, për familjet e tyre dhe për shqiptarët.

– Ju ndani kritiken e disa kolegëve deputetë të PS, (midis tyre edhe Balla), që nëse deputeti i PS (Blushi konkretisht) kritikon kryeministrin dhe ministrat socialiste, flet gjuhën e PD?

Jam kundër këtij pozicioni. Detyra e çdo deputeti, çdo përfaqësuesi të popullit, është që lidhur me qeverisjen t’i përafrohet sa më shumë perceptimit dhe gjykimit të qytetarëve. Këto perceptime deputeti duhet të jetë i lirë t’i shprehë, në mision e tij të përmirësimit të qeverisjes. Normalisht kritikat shprehen në forumet partiake, apo në lidhjet institucionale që qeveria krijon me deputetët e mazhorancës. Kur forumet mungojnë, kritika në publik bëhet e pashmangshme.

– Sa vlerë politike, demokratike mund të ketë Kongresi i PS në 19 mars, kur nuk do të ketë garë për zgjedhjen e Kryetarit të PS dhe e dyta, Statuti i PS do hartohet dhe miratohet pas Kongresit, siç deklaroi zoti Fatmir Xhafa?

Unë do ngulmoj që Kongresi i PS të hapë garën për kryetarin e PS sipas statutit aktual, me parimin një anëtar një votë, duke përmbyllur detyrën e vet të vonuar për gati tre vite.

– Çfarë përfaqëson platforma e paraqitur nga deputeti Blushi për ndryshime statutore në PS ?

Blushi ka paraqitur një platformë për ndryshime statutore, e cila synon një frymë të re hapjeje të PS, bazuar në respektin e anëtarësisë përmes votimit për çështje të rëndësishme, bazuar në politikat e majta rreth të cilave socialistë mblidhen, bazuar në kolegjialitetin e vendimmarrjes, solidaritetin, shmangien e autoritarizmit, transparencën e financave dhe respektimin e disa normave themelore të etikës së përfaqësimit. Kjo platformë synon që partia të kthehet në pronë dhe instrument të anëtarësisë së saj. Ky dokument është një lajm shumë i mirë për Partinë Socialiste.
– Mendoni se në Kongresin e PS do të ketë përplasje deri në krisje, të grupeve politike Rama-Blushi?
Besoj se në Kongres do të mbizotërojë arsyeja. Partia Socialiste nuk mund ta pranojë më linjën e arrogancës ndaj normave dhe njerëzve që i mbrojnë ato.
– Mendoni se do te bashkekzistojnë pas Kongresit të PS edhe Rama edhe Blushi në Partinë Socialiste?
Do ishte jetike për Partinë Socialiste që të mbajë brenda saj të gjithë faktorët që i përkasin. Një parti s’mund të jetë e madhe, nëse përjashton.
Sigal