Mimi Kodheli: Zëvendësministrat më 20 gusht, specialistë dhe anëtarë partie

435
Sigal

Mimi Kodheli: Do jenë pjesë e marrëveshjes dhe profesionistë

 Zëvendësministrat do të zgjidhen nga radhët e profesionistëve, në bazë të marrëveshjes me aleatët. Dje, ministrja e sapoemëruar e Ministrisë së Mbrojtjes u shpreh për “Telegraf”, se, zgjedhja e zëvendësministrave, do të bëhet sipas kuadrit të marrëveshjes, që PS-ja, ka me partitë aleate. Deri tani, procedura qëndron në pikën e propozimeve të mbledhura nga partitë, të cilat do t’i dorëzohen, kryeministrit Rama, pas datës 20 gusht. Pikërisht në këtë, datë, Rama do t’i shpërndajë ministrave emrat e zëvendësministrave me të cilët ata do të bashkëpunojnë, për një kohë të gjatë, në mënyrë që të plotësojnë pikat e reformave të koalicionit të Majtë.

Kriteret e zgjedhjes

Në rang, koalicioni, kriteri bazë i zgjedhjes është plotësimi i numrit të zëvendësministrave, nga çdo parti e caktuar, në mënyrë që gjithçka të plotësohet, pikë për pikë sipas marrëveshjes paraprake, midis Ramës dhe forcave politike të aleancës së Majtë. Deri këtu, problemi qëndron në kritere politike për të përmbushur numrin e nevojshëm, të zëvendësministrave, nga secila parti. Ndërsa në anën tjetër, partitë politike në bazë të orientimeve të përbashkëta, janë duke insistuar që përfaqësuesit e tyre, pra emrat e zëvendësministrave të tyre t’i përshtatin me sektorin, ku do të punojnë. Kjo sidomos do të kërkohet, në mënyrë absolute për disa ministri të veçanta siç janë Ministria e Rendit, e Mbrojtjes, e Shëndetësisë, e Financave, Bujqësisë, Kulturës, Sporteve etj., etj..  Kështu, zëvendësministrat e Shëndetësisë do të zgjidhen nga radhët e mjekëve, sipas eksperiencave dhe shkollimit, ndërsa zëvendësministrat Bujqësisë do të zgjidhen nga specialitetet bujqësore, e kështu me radhë. Në fakt, në këtë drejtim del një problem i madh sepse ushtarakët janë të papolitizuar dhe nuk militojnë në partitë politike, kështu që ata do të zgjidhen sipas preferencave të përafërta që një parti e caktuar ka për ndonjë prej individëve të kësaj fushe. Ndërkaq, në Kulturë do të përshtaten, njerëzit e artit, pavarësisht, se shumica e artistëve nuk militojnë me asnjë parti politike. Po kështu një problem më vete krijohet në lidhje me zëvendësministrat e Jashtëm, ku deri tani kanë mbizotëruar kushërinjtë e drejtuesve të lartë të politikës. Ndërsa si ambasadorë apo konsuj, janë vendosur shpesh sipas tarafeve familjare, ku shumica e tyre nuk marrin vesh nga diplomacia. Ndërkaq, në sektorin e arsimit do të përzgjidhen pedagogë dhe profesionistë të kësaj fushë, të cilët aktualisht militojnë në parti të ndryshme. Po kështu janë disa ministri, ku nuk nevojitet ndonjë specifikë e veçantë për profilin arsimor, siç është Ministria e Integrimit, e Punës, etj.. Këtu pa dyshim do të interferojnë njerëz pa ndonjë kërkesë të veçantë, por mjafton që ata të jenë militantë të një partie përkatëse, që do të kenë besimin e kryetarit të tyre.

A janë zgjedhur zëvendësministrat

E pyetur drejtpërsëdrejti për këtë problem, Mimi Kodheli, ministrja e sapo zgjedhur e Mbrojtjes u përgjigj: Në dijeninë time, zëvendësministrat nuk janë zgjedhur akoma. Në fakt, kjo përgjigje e Kodhelit përkon me faktin se lista e zëvendësministrave do t’i dorëzohet Ramës më 20 gusht. Por në fakt, në partitë përkatëse, emrat e zëvendësministrave që do të përfaqësojnë forcat e tyre politike, janë caktuar prej kohësh. Dhe në këtë mënyrë, emrat e tyre do të presin publikimin më 20 gusht. Deri atëherë, të gjithë kanë leje për pushimet verore, për të harruar stresin dhe presionin e fushatës elektorale, e cila ka një muaj e gjysmë që është fashitur.